Braçe: Ristani kërkon të ndryshojë rezultatet, njësoj si në 2009-n

0
47


Ardit Rada, 17.05.2011

(E përditësuar) – Pas disa orësh qëndrimi në sallën e KQZ-së, deputetët socialistë u larguan duke deklaruar se vizita e tyre ishte brenda të gjitha normave dhe ne cilësinë e përfaqësuesve të mijëra zgjedhësve.

“Në erdhëm në mesditë në sallën e mbledhjes së KQZ-së për të ndjekur një mbledhje të hapur dhe publike. Ishim këtu në funksionet e deputetëve dhe përfaqësuesve të mijëra zgjedhësve tanë. Nuk shkelëm asnjë ligj, përkundrazi, respektuam të gjitha normat e mbledhjeve të hapura dhe publike”, tha Erjon Braçe, deputet i Partisë Socialiste.

“Kapëm në flagrancë kryetarin e KQZ-së dhe tre anëtarë të tjerë duke marrë vendimin mbi një akt të paligjshëm që synon të ndryshojë në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të kryeqytetit. Ne i kujtojmë shqiptarëve se Ristani dhe anëtarët e mazhorancës e kanë konsumuar këtë krim duke ndryshuar rezultatet zgjedhore disa herë në zgjedhjet e vitit 2009.

Më tej, Braçe theksoi se Ristani tentoi të krijonte konfrontim midis uniformave blu dhe deputetëve socialistë.

“Që para tre ditësh sipas një plani të hartuar nga Policia e Shtetit, forca speciale nga Elbasani, Shkodra dhe Durrësi, Tepelena dhe Gjirokastra janë nisur drejt Tiranës. Ristani u largua nga detyra për t’ia lënë detyrën e tij policisë”, tha Braçe.

Deputetët socialistë kanë vendosur të jenë edhe nesër të pranishëm në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konform të drejtave që i jep ligji. Braçe i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve nga Tropoja në Konispol që të mblidhen nesër në orën 09:00 përpara KQZ-së.

***************************

Një numër i konsiderueshëm i forcave të policisë hynë në ambientet e KQZ për të nxjerrë jashtë saj deputetët socialistë të cilët ndodhen të “ngujuar” në sallën e mbledhjeve.

Ndërkohë policia ka bllokuar portën e KQZ-së më forca të shumta policore për të mos lejuar hyrjen e personave të tjerë.

Pas “vizitës” së tyre, përfaqësuesi i uniformave blu lexoi një deklaratë ku i kërkonte socialistëve lirimin e ambienteve, por për shkak të imunitetit që deputetët gëzojnë, nuk mund të përdorin forcën. Këta të fundit nuk ka ndryshuar qëndrim.

Pavarësisht njoftimit nga ana e KQZ-së për shtyrjen e mbledhjes, deputetët socialistë nuk kanë lëvizur nga salla. “Mbledhjet e KQZ-së janë publike”, tha deputetja Vasilika Hysi duke i dhënë kështu përgjigje deklaratës së zëdhënësit të KQZ-së. Ndërkohë, deputetja Shega Ligori tha se “nuk trembemi nga fashistët”, duke e quajtur të padrejtë vendimin.

Sipas tyre, në seancën parlamentare të ditës së premte ata do të kërkojnë shkarkimin e Arben Ristanit nga kreu i KQZ-së për shkak të “braktisjes së detyrës”.

***********************
Sipas burimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbledhja e njoftuar për orën 18:00 të pasdites së sotme është shtyrë për nesër paradite. Shkak për këtë është bërë prezenca e deputetëve socialistë në ambientet e KQZ edhe pse kreu i këtij institucioni bëri thirrje që ato të largoheshin.

Por pavarësisht kërkesës së Ristanit, deputetët socialistë nuk kanë pranuar të lëvizin dhe ky veprim ka sjellë largimin e Ristanint dhe anullimin e mbledhjes.

Nëse palët nuk do të ndryshojnë qendrim, pritet që edhe mbledhja e nesërme të shtyhet duke bllokuar kështu rezultatin e zgjedhjeve për Tiranën.

******************************
Kur rezultati përfundimtar për Bashkinë e Tiranës vijon të mbahet pezull nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, grupi parlamentar i deputetëve socialistë kanë bërë një mbledhje të jashtëzakonshme, nga ku ka dalë me vendimin që një përfaqësi e tyre të marrë pjesë në mbledhjen e KQZ-së.

Në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur deputetët Nakim Dokle, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi, Blend Klosi, Pandeli Majko, Tom Doshi, Gamir Bizhga, etj. Prania e tyre lidhet me vendimin që KQZ pritet të marrë për rezultatin për Bashkinë e Tiranës.

Në nisje të mbledhjes, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i ka kërkuar një deputeti lirimin e karriges për anëtarin Njazi Kosovrasti, përfaqësues ligjor i PD-së në KQZ, ndërsa deputeti ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë. Ristani është shprehur se mbledhja është pezulluar dhe pas kësaj është larguar nga salla. Ndërkohë, deputetët socialistë dhe anëtarët e komisionit vijojnë të jenë në pritje të mbledhjes, ndërsa jashtë ambienteve të KQZ-së është shtuar prania e forcave të policisë.

Meksi: Po cënohet procesi zgjedhor si në ’96
Ermelinda Meksi deputete e PS është shprehur se me këto veprime rrezikohet të cenohet procesi zgjedhor. “Po rrezikon të prishet procesi zgjedhor si në vitin 1996. KQZ bën vetëm administrimin e procesverbaleve. Nëse ka kontestime kjo duhet bërë sipas rregullave, KQZ duhet të japë rezultatin përfundimtar. Rregullat nuk ndryshohen në mesin e lojës”, tha Meksi.

KQZ pritet të vendosë për fletët e kontestuara
Akti ligjor i hartuar nga administrata e KQZ-së shpreh se KAZAZ-të 46, 48, 49, 51, 53 , 54 dhe 55 kanë kërkuar rishikimin e tabelave të rezultateve. Nga këta KZAZ kërkohet që KQZ-ja të marrë një vendim për fletët e votimit të kontestuara. Në këtë akt thuhet se nëse KQZ vendos të marrë në shqyrtim votat e kontestuara kjo gjë do të bëhet pas përfundimit të numërimit të votave në të gjitha minibashkitë në mënyrë që të evidentohet i gjithë numri i votave të kontestuara. Në këtë mënyrë KQZ mund të pezullojë nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për Bashkinë e Tiranës nëse ky akt miratohet. Nënkryetarja e KQZ-së, Deshire Subashi, kërkoi 1 orë kohë për marrjen në shqyrtim të aktit. Pritet të KQZ të mblidhet në orën 13:30 për të votuar për aktin ligjor lidhur me votat e kontestuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hartojë një akt ligjor lidhur me procedurën që pritet të ndiqet për vlerësimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Tiranës. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani u shpreh se “duhet vlerësuar çdo votë e shqiptarëve” ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj tha se “kjo çështje është e përfunduar” dhe se “çdo tentativë për të ngatërruar procedura ekstraligjore tregon për pozicionim politik të KQZ”. “KZAZ-të kanë përfunduar vendimmarrjen e tyre. Juve u ka ngelur të bërë aritmetikën”, tha Gjonçaj.

Kreu i KQZ Ritania reagoi duke u shprehur se janë depozituar kërkesa nga KZAZ lidhur me vlerësimin e votave të kontestuara dhe se për këtë gjë duhet të shprehet KQZ. Nga ana tjetër përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti u shpreh se nëse PS-ja do të ketë ankesë për këtë duhet t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor. Më pas Ristani kërkoi përpilimin e aktit ligjor ndërsa Gjonçaj është larguar nga salla e mbledhjes në shenjë kundërshtimi. Mbledhja e KQZ u ndërpre për 30 minuta deri në përpilimin e aktit.

Redaksia Online