Vlerat euroatlantike vs llogarive elektorale

0
31

Nga Afrim Krasniqi, botuar ne Shqiptarja.Com, 06.02.2013

Kur Shqipëria u pranua në NATO motivi kryesor i SHBA dhe vendeve të tjera mbështetëse ishte roli aktiv dhe i njohur shqiptar në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale. Evidentimi i meritës për politikë moderacioni rajonal dhe i angazhimit për fqinjësi të qëndrueshme përbën elementin e përhershëm të çdo deklarimi amerikan dhe të BE drejtuar bilancit politik shqiptar. Prej 1992 Shqipëria zyrtare zgjodhi të ishte një vend i besueshëm partner i politikave perëndimore për rajonin. Problemet apo ftohjet në raportet shtetërore me ndonjë vend fqinj apo rajonal patën jetë të shkurtër. Tirana zyrtare, pavarësisht nëse qeveris e majta ose e djathta, në tërësinë e viteve të tranzicionit manifestoi maturi, gatishmëri dialogu, vullnet për pjesëmarrje aktive në nisma rajonale dhe për bashkëpunim ekonomik.

Tirana u vizitua nga sekretarët amerikanë Bejker, Ollbrajt, Pauell, Klinton, si dhe nga vetë Presidenti Bush për të ndjerë nga afër vlerësimin e lartë amerikan për vizionin evropian të politikës shqiptare në çështjet rajonale. Në një Ballkan të lodhur nga katër luftëra dhe dhjetëra konflikte të tjera etnike, fetare apo ideologjike, modeli shqiptar ishte dhe mbeti pikë referimi, edhe për shkak se Shqipëria, ndryshe nga çdo vend tjetër në botë, kufizohet në çdo drejtim tokësor nga bashkëkombës shqiptarë, të cilët administravisht bëjnë pjesë në katër-pesë shtete të tjera. Kaq vlerësim të lartë mori komponenti rajonal saqë shpeshherë merita rajonale la në hije kritikat për keqqeverisjen e brendshme, duke mbetur teza kryesore e politikës së jashtme dhe shtylla kurrizore e çdo qeverie gjatë 22 viteve të fundit.

Ky aset diplomatik, politik, shtetëror dhe kombëtar bëri të mundur pranimin e Shqipërisë në NATO, një vendimmarrje e ardhur vetëm pak javë pas tragjedisë së Gërdecit, ku ishin të implikuar dhe u shkarkuan e gjithë kupola e lartë ushtarake dhe civile e Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Pranimi në NATO ndodhi në kohën kur Maqedonia, një vend tjetër fqinj, mbeti peng i pretendimeve të fqinjit jugor lidhur me emërtimin zyrtar. Prej 2009 Shqipëria është në NATO, Maqedonia ende negocion votën greke, kurse Kosova është shtet i dytë “shqiptar” i pavarur në rajon. Prania në NATO do të duhej të reflektohej me një mentalitet të ri pune dhe reagimi nga faktorët politikë dhe institucionalë në Tiranë, jo vetëm si reagim pozitiv nga veto pozitive amerikane, por edhe si interes madhor për qytetarët dhe aspiratën e tyre për anëtarësim edhe në Bashkimin Evropian.

Pas katër vitesh Shqipëria është i vetmi vend ish komunist me tre refuzime zyrtare nga BE në kërkesën e saj për bisedime lidhur ftesën e anëtarësimit, për shkak të konfliktit të brendshëm politik, vonesat në reforma, mungesës së dialogut, korrupsionit të lartë politik dhe brishtësisë së shtetit të së drejtës. Referuar suksesit në NATO Shqipëria mbetet vendi i vetëm ish komunist që progresin e anëtarësimit në këtë organizatë nuk e përdori si aset dhe nxitje për shpejtimin e reformave drejt BE-së. Përkundrazi.

Flamuri i NATO-s u përdor më shumë si flamur elektoral në fushatën e vitit 2009 dhe 2011, dhe se dështimi rreth BE vijon të jetë flamur i ri elektoral edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Roli dhe vendi i Shqipërisë në NATO u dëmtua ndjeshëm nga ngjarjet tragjike të 21 janarit, protesta e dhunshme dhe vrasja nga zyrtarë të shtetit të katër qytetarëve të pafajshëm, vonesat në zbardhjen e kësaj tragjedie, mungesa e rezultateve antikorrupsion si dhe keqpërdorimi i ushtrisë dhe institucioneve të sigurisë në funksion të politikës elektorale të ditës.

Kështu në asnjë vend të NATO nuk mund të gjesh një Ministri Mbrojtjeje që organizon konferenca shtypi partiake brenda mjedisit të saj, që shpërndan deklarata thellësisht politike dhe militante kundër gjysmës së tjetër politike të parlamentit dhe shoqërisë, që refuzon kontrollin parlamentar dhe që pas çdo skandali financiar nxjerr alibi flamurin e NATO-s, etj. Gjithashtu në asnjë vend në NATO nuk mund të gjendet një shërbim tjetër sekret që gjysmën e fondeve dhe energjive ia kushton luftës së brendshme politike në vend, që brenda pak muajsh shkarkon e zëvendëson të gjithë ekipin drejtues të lartë e të mesëm në shkallë vendi dhe që drejtohet nga zyrtarë me dy ose më shumë shtetësi.

Në asnjë vend të NATO-s nuk mund të gjesh një Polici tjetër shtetërore që mban dukshëm dhe me krenari qëndrime politike antiopozitare, që shërben si njësi private mbrojtëse e biznesit dhe interesave politike të një klike në pushtet, që përdor institucionin për deklarime publike e kërcënime kundër kritikëve të qeverisë dhe që përjashton nga radhët e saj çdo zyrtar refuzues të urdhrave partiakë apo me lidhje familjare me kritikët e regjimit.

Ky bilanc negativ ka detyruar më se njëherë zyrtarët më të lartë të NATO-s të bëjnë deklarime kritike mbi gjendjen e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri, apo të ndërmjetësojnë dialogun dhe normalitetin demokratik midis aktorëve politikë e institucionalë në një vend anëtar, si Shqipëria. Po ashtu kjo ka çuar në kritika të vazhdueshme nga partneri ynë kryesor dhe strategjik SHBA, nga BE dhe nga shtetet e saj anëtare.

Në kohën kur pala shqiptare do të duhej të reflektojë maturi dhe reagim serioz institucional ndaj kritikave në rritje perëndimore dhe humbjes së tretë të shanseve të integrimit, ajo po bën të kundërtën, madje më të pamendueshmën: po vë në dyshim meritën kryesore shqiptare në gjeopolitikën rajonale dhe kontributin e saj kryesor në kundër euro-atlantik. Me një retorikë populiste nacionaliste, në kërkim të disa mijëra votave në zgjedhjet e qershorit 2013 dhe të zhvendosjes së debatit politik nga dështimet politike dhe ekonomike tek tezat nacionaliste, qeveria e Tiranës ka kaluar çdo limit të lejuar diplomatik.

Ajo provokoi incidente të panevojshme me fqinjët jugorë e lindorë, dhe së fundi edhe me politikën strategjike të SHBA dhe BE në Evropën Juglindore, duke krijuar një politikë të jashtme vetizoluese dhe dëmtuese për imazhin dhe prestigjin shtetëror. Të jesh politikan patriot është gjë e mirë, dhe mund ta dëshmosh veten duke krijuar një shtet të së drejtës për të cilin shtetasit të jenë krenar, një model demokracie që nderon vendin, një model ekonomik funksional, një ekonomi konkurruese, një sistem vlerash qytetare që luftojnë korrupsionin, klikat dhe abuzimet me pushtetin. Pra, të bësh thuajse të kundërtën e modelit që “patriotët” e vonuar të politikës shqiptare kanë krijuar në vitet e tyre të sundimit.

Teza e kufijve etnikë apo e pesë shteteve rajonale, e thënë nga kryeministri në forumin më të madh të sigurisë SHBA-Evropë me lehtësinë e një bisede provinciale në lokalet e lagjes, përveçse një teze të kundërt me strategjinë e sigurisë kombëtare dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, vjen në kundërshtim me parimet euroatlantike dhe dobëson ndjeshëm rolin e faktorit shqiptar në rajon. Kjo është arsyeja që BE reagoi ashpër, që Gjermania dhe disa shtete të tjera proshqiptare ishin kritike e vendosur diplomatike, që SHBA përmes zyrtarit të lartë përfaqësues tha se përdorimi i mesazheve nacionaliste për qëllime politike është një lojë e rrezikshme dhe se retorika e veprimet nacionaliste mund të destabilizojnë potencialisht Ballkanit dhe të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.

SHBA apeloi qeverinë shqiptare të jetë e qartë në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe se zgjedhjet nuk duhet të jenë justifikim për të dërguar mesazhe të përziera. Pala amerikane konfirmoi tezën se teza të tilla kritike për projektin e saj rajonal dhe vetë interesin afatgjatë të Shqipërisë, shënojnë “një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot, dhe votuesit nuk duhet të bien pré e kësaj”.

Mjafton ky bilanc negativ në politikën e jashtme, që vë në diskutim miqësinë amerikane, raportet me BE dhe meritat kryesore shumëvjeçare të shtetit shqiptar, për të kuptuar se politika e Tiranës, pasi ka humbur mbështetjen popullore, është e paaftë të zgjidhë problemet me të cilat ndeshen qytetarët dhe për të cilat është votuar, nuk ka sensin e përgjegjësisë dhe masës, rrezikon që për qëllime personale karrieriste të një individi ose klani politik të marrë peng edhe interesat madhorë shtetërore në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Kërcënimi i perëndimit me kriza nacionaliste është po aq absurd sa më 1996 dhe ka të njëjtin fund si të gjitha aventurat e njëjta rajonale. Në një shoqëri tjetër me kulturë demokratike kjo do të ishte temë kryesore e fushatës elektorale, por në Shqipëri, ku vija ndarëse midis shtetit dhe partisë, midis interesave shtetërore e partiakë, midis popullit dhe turmës, është minimale, nuk priten debate të tilla elitare. Gjithsesi, fakti që shqiptarët kanë mbështetjen më të madhe evropiane ndaj SHBA, BE dhe NATO-s, përbën shpresë se vota e tyre do të mund të ndëshkojë këdo që cenon këtë partneritet strategjik afatgjatë.

Sot shqiptarët kanë ende probleme e mungesa të kushteve të jetesës normale, të papunësisë dhe korrupsionit, të edukimit cilësor dhe drejtësisë së mohuar, të institucioneve të brishta dhe individit pa mbrojtje. Secila kërkon vëmendje dhe secila mund të zgjidhet me vullnet, ndershmëri, kurajë dhe vizion politik. Por problemi i përkatësisë dhe përkushtimit evropian në vlera e parime, në modele mendimi e veprimi, përbën sfidën kryesore dhe kërkon shumë energji, kohë, investim, kontribut e sakrifica. A janë shqiptarët të gatshëm të (për)zgjedhin cilësinë dhe prioritetin kryesor në shumëllojshmërinë e nevojave të tyre? Gjatë tranzicionit e kanë bërë të paktën dy herë. Pse të mos ketë një herë të tretë? Një mënyrë që politika të mos krijojë konflikte të reja, por të mbyllë të vjetrat, që koncepti “e treta e vërteta” të marrë kuptim edhe në politikë dhe të bëhet garanci për vlerat, parimet dhe përkatësinë tonë euroatlantike.