Nga Mero Baze
Partia Demokratike rrezikon të vihet për herë të dytë në jetën e saj 20 vjeçare përballë akuzave ndërkombëtare për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe futjen e vendit në spiralen e luftës civile për shkak të vendimit të kryetarit të saj Sali Berisha për të lidhur fatin e kësaj partie me humbjen e Lulëzim Bashës në zgjedhjet e 8 Majit. Vendimi i PD për të mos njohur rezultatin zyrtar të zgjedhjeve në Tiranë dhe futja e saj në spiralen e përgjegjësisë kombëtare dhe ndërkombëtare për prishjen e zgjedhjeve dhe ndezjen e konfliktit civil në Shqipëri është një vendim i marrë me gjakftohtësi nga kreu i kësaj partie.
Ashtu si në vitin 1996 kur brenda asaj partie nuk pati asnjë zë serioz të ndalë atë proces shkatërrimtar për të ardhmen e PD dhe Shqipërisë, as dje dhe pardje kur para syve të gjithë shqiptarëve u rishfaq sëmundja e vjetër e liderit të asaj partie, nuk foli askush. Gjithë drejtuesit e PD, gjithë personalitetet e saj, janë të heshtur dhe Basha po i tërheq zvarrë në karrocën e humbjes së tij, duke çuar në greminë dhe Partinë Demokratike. Ata që thërrisnin të dielën që shkoi për njohje të rezultatit, tani janë të parët që nuk e njohin dhe po tentojnë të ndryshojnë rregullat pas mbarimit të lojës.
Vendimi i PD për të shkuar pas karrocës së humbjes së Lulëzim Bashës është një shenjë e qartë se procesi është i udhëhequr nga Berisha dhe se tashmë që ne flasim kemi arritur të humbasim përfundimisht shansin për të bërë zgjedhje të ndershme dhe të lira në Shqipëri. Berisha i varrosi përfundimisht këto zgjedhje dje me tentativën e tij zyrtare për të shpallur fitues Lulëzim Bashën përkundër rezultatit zyrtar që nxjerr fitues Edi Ramën. Kjo do të mjaftojë që PD dhe qeveria e saj të penalizohet sipas gjithë paralajmërimeve ndërkombëtare për standardin e këtyre zgjedhjeve dhe bashkë me të rrezikon të penalizohet dhe Shqipëria.
Së dyti Berisha po tenton të poshtërojë çdo personalitet të PD-së duke i detyruar ata të pranojnë si standard të karrierës së tyre politike, standardin e zgjedhjeve të grabitura. Çdokush që do të vazhdojë karrierën politike në atë parti pas Berishës do ta ketë 8 Majin dhe sjelljen ndaj grabitjes së mandatit të Bashkisë së Tiranës një njollë të errët dhe një shenjë poshtërimi të personalitetit të tij politik.
Shumë prej tyre e kanë për herë të dytë që gjenden në krye të asaj partie kur ajo prek kaq rëndë zgjedhjet, por kjo është hera e parë që ata po vihen në provë jo për pushtetin e tyre, por për mandatin e një njeriu që ka humbur dhe që Familja Berisha e do doemos në krye të Tiranës. Pra, tani standardi i poshtërimit është më i madh, pasi ata po heshtin për karrierën artificiale të një njeriu, i cili është një figurant shëtitës i Familjes.
Së treti PD po vihet në provë për të pranuar si lider të imponuar Lulëzim Bashën. Ata që mërmërisin korridoreve të PD-së për karrigen e mundshme të Lulëzim Bashës në parti, tani po poshtërohen publikisht pasi janë të detyruar jo vetëm ta pranojnë atë si lider të tyre, por dhe të sakrifikojnë personalitetin e tyre për tentativën e tij për të grabitur mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në një farë mënyre karriera politike e Lulëzim Bashës po kalon nga sprova e inkriminimit të tij të thellë dhe nga inkriminimi kolektivi i lidershipit të PD-së për këtë gjest. Nesër askush nuk do të ketë të drejtë të ndalë karrierën e tij për në krye të PD-së, jo vetëm pse do tua rekomandojë Familja Berisha, por mbi të gjitha se ata vetë kanë pranuar të sakrifikojnë për të në një moment poshtërues të karrierës së tij politike.
Njeriu, për të cilin u investua fushata më e pandershme e historisë së Shqipërisë, është sot njeriu për të cilin po investohet dhe vjedhja më dramatike e mandatit në favor të tij në historinë e këtij vendi. Partia Demokratike po e pranon këtë si një fat. Por Shqipëria po e përjeton këtë si një fatkeqësi dhe nuk ka për t’i hapur rrugë. Kjo do të ndajë fatin e Shqipërisë nga Partia Demokratike dhe do të bashkojë fatin e Partisë Demokratike me Lulëzim Bashën.