Opozita: Kryesuese, fituese, mazhoritare

0
46

Preç Zogaj, 17.05.2011

Sipas numërimit live të kutisë së fundit, që e pa gjithë Shqipëria, Tiranën, metropolin e vetëm të vendit, e ka fituar shefi i opozitës, Edi Rama. Gjashtë prej shtatë bashkive të mëdha – Durrësin, Elbasanin, Korçën, Vlorën, Fierin dhe Beratin – i kanë fituar kandidatët e koalicionit opozitar, ndërkohë që koalicioni qeveritar ka fituar vetëm Shkodrën. Për faktin se këto qytete janë fytyra urbane e Shqipërisë dhe për faktin tjetër akoma më domethënës se në to jeton shumica e popullsisë së vendit, nuk do të duhej gjë tjetër për të deklaruar fitoren e qartë të opozitës në zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011.

E gjithë kjo ngaqë zgjedhjet vendore dallojnë nga zgjedhjet politike në përcaktimin e fituesit dhe humbësit. Kur flitet për zgjedhje vendore, Parisi peshon pothuajse sa pjesa tjetër e Francës. Në Greqi gjithashtu. Kush merr Athinën ka fituar gjysmën. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të rëndësisë botërore që kanë këto kryeqytete. Ndodh edhe për një arsye që lidhet me vetë kuptimin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta me sistem mazhoritar të kryetarëve të bashkive. Përderisa edhe këto zgjedhje bëhen për të prodhuar pushtet, atëherë pushtetin më të madh e kanë fituesit që qeverisin me shumë njerëz. Ja pse kryebashkiaku i Athinës dhe forca politike që e nxjerr fitojnë vërtetë gjysmën e Greqisë kur marrin kryeqytetin ku është mbledhur gjysma e vendit.

Le të imagjinojmë tani se si do të lexohej rezultati i zgjedhjeve vendore në Francë apo në Greqi, sikur opozita e këtyre vendeve të kishte fituar jo vetën Parisin dhe Athinën, por respektivisht edhe Lionin, Marsejen, Tuluzën, Nisen, Nantën, Patran, Larisën apo edhe Selanikun. Askush nuk do të mendohej dy herë për t’i njohur e shprehur opozitës nderimet e fitores. Ndërkaq, në Shqipëri opozita ka shkuar më larg në zgjedhjet vendore të datës 8 maj. Nuk ka fituar vetëm qytetet e mëdha.

Ka fituar qartë edhe në qytetet e kategorisë së dytë për sa i takon popullsisë, siç janë Lushnja, Kavaja, Pogradeci apo Gjirokastra, ndërkohë që të këtij rendi koalicioni qeveritar ka fituar vetëm bashkinë e Kamzës. Në bashkitë e tjera më të vogla, si Saranda, Laçi, Lezha, Patosi, Kruja, Kukësi, Burreli, Peshkopia, Puka, Shijaku, Tepelena, Përmeti, Kolonja, Librazhdi, Gramshi, Fushë-Kruja, Divjaka, Bajram Curri opozita kryeson në raportin dy me një. Duke zbritur në nivelin e komunave të mesme dhe të vogla situata e numrave fillon e flet dukshëm në favor të koalicionit qeveritar.

Por në analizë të fundit numri i banorëve që qeverisen nga të zgjedhurit e opozitës është aktualisht mbi tre herë më i madh se numri i banorëve ku do të drejtojnë të zgjedhurit e qeverisë. Resurset vendore që do të administrojë secila palë janë në të njëjtin raport.

Mënyrë tjetër për të lexuar rezultatin e zgjedhjeve lokale nuk ka. Opozita i ka të gjitha arsyet të këndojë fitoren dhe të niset fitimtare drejt sfidave të reja. Fitimtare, sepse realisht është e tillë. Por edhe e menduar. Ajo ka shumë për të reflektuar, korrigjuar e përmirësuar për të përgatitur rrotacionin e sigurt të pushtetit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Koalicioni qeveritar, me gjithë investimin e jashtëzakonshëm, i ka humbur zgjedhjet vendore. Por për shkak të natyrës që kanë këto zgjedhje, ku votohet edhe për këshillat e bashkive dhe komunave, zakoni është që askush të mos dorëzohet, të gjithë të gjejnë diçka për tu kënaqur në banketin rifugio të zgjedhjeve për këshilltarët. Të vjen edhe për të qeshur kur sheh kryeministrin Berisha që reklamon as më shumë e as më pak, por fitoren e tij në këto zgjedhje, duke cituar shumën e votave që kanë marrë partitë e koalicionit qeveritar në votimet proporcionale për këshilltarë.

Ai që gjatë gjithë fushatës s’ka reshtur së thëni se këto zgjedhje janë vetëm vendore, papritur i trajton si politike, madje duke i konvertuar votat për rrjetin e gjerë të këshilltarëve bashkiakë e komunalë në vota për deputetë! Ka humbur dy të tretat e bashkive kryesore dhe guxon të deklarohet fitimtar! Për këto lloj fitoresh urtësia dhe humori popullor kanë krijuar shprehje të tilla si “merr me lëng se mishi u mbarua”, “të mbahesh me shpatulla përdhe”, “të ngopesh me lugë të zbrazur” e të tjera e të tjera.

Po është për t’u bërë, llogaria e votave proporcionale duhet bërë duke marrë në konsideratë edhe votat e partive opozitare që nuk kanë qenë pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. Ndodh gjithnjë që votat e partive qeveritare mblidhen në një enë, kurse votat opozitare shpërndahen në dy tre enë të ndryshme. Votat për PBDNJ-në, për shembull, janë vota opozitare edhe pse kjo parti ka dalë e vetme në zgjedhje.

Gjithsesi, kur shohim morinë e rasteve absurde, qesharake dhe pa asnjë sens politik të shpërndarjes së votave për këshilltar, ku partia e çamëve për shembull del ndër të parat në Rrëshen dhe Tropojë, e kupton menjëherë se të kapesh pas këtyre votave është “të kapesh si i mbyturi pas fijes së barit”. Nëse do të ishte një votim i mirëfilltë politik votimi për këshilltarët, kryeministri Berisha sot do të duhej të kapte kokën me grushte që Partia Demokratike e drejtuar prej tij është në minimumin historik të votave të mbledhura qëkurse ka lindur dhe është kaluar me mbi njëqind mijë vota nga rivalja e saj kryesore për pushtet, Partia Socialiste. Nëse do të konsiderohej politike vota për këshilltarë, e djathta shqiptare duhet të mbajë shënim një katastrofë elektorale në zgjedhjet e 8 majit, duke qenë se edhe LSI është e majtë.

Nga ana tjetër, nëse ngulmon në një lexim politik të votës për këshilltarë, Berisha duhet të kapë kokën sërish me duar që baza demokratike në Durrës, Elbasan e gjetkë vazhdon ta votojë PD-në si parti të demokratëve, por nuk i voton kandidatët që zgjedh Berisha. Kjo është një e dhënë me domethënie të madhe, së cilës Berisha nuk mund t’i shmanget.

Në të vërtetë, sa me thellë zhytet për të kërkuar “fitoren” në këto zgjedhje, aq me shumë fakte kokëforta të humbjes takon në këtë mëtim. E di se ka humbur. Thjesht kërkon të vetëngushëllohet. Kërkon të shtyjë ditët dhe zgjidhjen e re politike. Nuk ia merr mendja se zgjidhja e re, në kushtet e reja të krijuara pas këtyre zgjedhjeve, përveçse vendit, i intereson tashmë atij dhe partisë së tij.

Në politikë rastet për t’u marrë një falënderim xhentëlmenësh kundërshtarëve, opozitarëve dhe oponentëve kthehen më shumë se njëherë. Berisha po e humb edhe këtë rast për të njohur dhe përshëndetur fitoren e qartë të opozitës nga qytetarët shqiptarë që slogani i qeverisë i quante të parët. Po tani nuk janë më të parët për zotin kryeministër?