
Moikom Zeqo, 15.05.2011
Politika e demonizuar shqiptare po ftillëzon një epokë të re, atë të ndryshimit, pra të emancipimit të shumëpritur.
Ç’do të thotë kjo? Do të thotë rikthim besimi tek institucionet e demokracisë, gjë më e rëndësishme se sa gladiatorizmi i marrëzishëm dhe i skajshëm verbal dhe mediatik. Argumentet virtuale dhe spektakolare të ndërsjella mund të jenë module të psikologjisë së opinioneve partiake, mund të kenë forcë ndikuese, madje edhe manipuluese, por në fund të fundit duhet t’i shtrohen testit madhor dhe të patjetërsueshëm të votimit autoritar popullor.
Pra, kryeinstitucioni është votimi si prova e së vërtetës në popull. Ky është një mekanizëm sa numerik, aq dhe konceptual. Është i tillë që nuk mund as të tjetërsohet, as të zëvendësohet.
Në historinë e brishtë plot ambiguitete politikanizuese të demokracisë shqiptare, sfinksi politik i votimeve të 8 majit nuk ka për t’u harruar, për arsye të shumëfishta, substanciale. Në këtë proces me një transparencë të paparë, ndonëse edhe të vështirë, populli ka emancipuar në thelb politikën. Politika shqiptare mund t’i kapërcejë ekseset delirante si dhe vonesat konceptuale në një mënyrë të tillë, saqë mund të përurojë një stad të ri historik, më të kthjellët, më human, më serioz, më profesional. Skepticizmi si kriticizëm ka kuptim kur nuk humbet pikën optike të së ardhmes së vendit, që është njëkohësisht edhe e ardhmja e pashmangshme e të tërë protagonistëve dhe subjekteve politike shqiptare.
Në momentin e përjetuar, opozita shqiptare tregoi shpirtin e gjallë demokratik dhe vizionin e saj qytetar. Këtë tashmë nuk e dyshon më askush, as shqiptarët, as ndërkombëtarët. Ora e opozitës është e lexueshme, konkrete, shpresëdhënëse. Fitorja e opozitës ka një konotacion dhe imazh qytetar, në kuptimin e mirëfilltë politik, të padyshimtë, triumfues, mbushamendës!
Fitorja e Ramës, kryetarit energjik të opozitës për mandatin e katërt të kryeqytetit, përbën një rekord politik të pangjashëm me askënd. Asnjë figurë politike nuk e ka pasur këtë shans historik. Kritikuesit e tij duhet të reflektojnë nga vota popullore. Po kështu, fitorja e shumicës së bashkive të qyteteve të mëdha nga opozita. Të verbrit le të mos shikojnë, por historia shikon gjithçka!
Asnjë figurë politike në Shqipëri, as deputetët, ministrat dhe kryeministrat deri më sot, e përsëris askush, nuk është votuar me një masivitet të tillë dhe deri në kufijtë e pabesueshëm të katër mandateve kryeqytetase. Analistët, opinion-shprehësit e panumërt dhe tepër rutinorë të mediave kaq klienteliste në Shqipëri janë katandisur shpesh në rolin primitiv të thashethemexhinjve që lexojnë “fallin” e filxhanëve të kafeve të klaneve, pa asnjë sens të afrimit dhe të identifikimit me të vërtetën. Askush si kryetari i opozitës nuk është përgojuar deri në satanizim të tmerrshëm apokaliptik. Kjo e bën fitoren e tij akoma më të çmueshme, por konkretizon premisat bazore dhe afatgjata edhe për një ndërgjegjësim shumë më të madh se para 8 majit, pra është grishje për një emancipim akoma më të vazhdueshëm dhe më të madh të opozitës, si dhe të politikës shqiptare në përgjithësi.
Mendoj se zgjedhjet e 8 majit treguan urbi et orbi se, regjimi i shumicës formale qeverisëse është skualifikuar nga paradokset, nga autoritarizmi primitiv, retrograd, nga një parlamentokraci delirante dhe nga diletantizmi patetik, nga korrupsioni i paturpshëm dhe i vrazhdë, nga të vrarët e pafajshëm të Gërdecit dhe të 21 janarit (drejtësia për ta është ndëshkim i mafies qeveritare pa asnjë ngurrim), nga demagogjia spektakolare që atakon dhe infekton çdo psikikë normale dhe të shëndoshë. Nuk e kam fjalën për limitet kohore të mandateve. E kam fjalën për një disfatë konceptuale të gjërave dhe të të vepruarit, në kundërshtim me optikën dhe shpirtin demokratik.
Mbas 20 vjetësh, me shumë vështirësi dhe pezëm klanor, më në fund u realizua një votim ku vjedhja legjendare dhe e paturpshme, manipulimi i sofistikuar i votave duhet të konsiderohet (shpresoj), si një relike kriminale e së kaluarës. Këtu qëndron edhe një nga meritat historike të këmbënguljes, qëndresës dhe madhështisë vizionare së opozitës shqiptare dhe të kreut të saj.
Mbas 8 majit politika po kapërcen një kufi të vjetër, nuk ka ndëshkim votiv ose moral për një palë, por për të gjitha palët, ajo që quhet fitore për një parti, është edhe për partinë tjetër – ky është triumfi i vetë dialektikës së politikës shqiptare, madje është siguria institucionale për vetë elektoratet e mëdha që janë ravijëzuar tashmë pa diferenca plebishitare të mëdha (kjo s’duhet harruar.)
Pas kësaj prove të monitoruar ndërkombëtarisht dhe nga të gjithë, hapet një perspektivë serioze për të ndryshuar praktikat primitive, të kamufluara dhe mendësitë antagoniste të panevojshme dhe tepër të kushtueshme, pra të flaket përvoja antidemokratike dhe vonesat kronologjike të historisë sonë.
A mund të demonizohet më opozita pas kësaj ngjarjeje purifikuese sipas stilit vulgar qeveritar? A do të ketë më anatema groteske dhe qesharake? Do të jetë e vështirë. Koalicioni qeverisës “kolazh i neveritshëm politik, imoral” me këtë rast moralisht është i humbur, politikisht një proformancë pa asnjë kuptim.
Tashmë është koha për një rikonceptim të politikës shqiptare nga të gjitha anët, sidomos të dy forcave të mëdha politike.
Alternimi, rrotacioni i pushtetit është normal, madje normativ dhe kushtetues. Populli, vërtetë e emancipoi politikën, opozita gjithashtu e emancipoi politikën dhe vetveten, por kjo ‘atu’ nuk duhet në asnjë mënyrë që të humbasë dhe të mos përfillet me ndërgjegje të epërme politike.
Është atu-ja e së ardhmes! Ka shumë arsye për qetësi, maturi dhe shpresë për ndryshime të pandalshme dhe të pashlyeshme për Shqipërinë, për një histori më demokratike dhe më humane.







