Qeveria jep 800 mijë dollarë për lobim, gjithçka në mënyrë sekrete

0
47

TemA, 5 Shkurt 2013

Sali Berisha dhe Frank Wisner

Këshilli i Ministrave ka marrë një javë më parë një vendim për të akorduar plot 800 mijë dollarë për lobim.

Vendimi i qeverisë më transparente në botë, që sipas Berishës konkurron vetëm me SHBA në këtë drejtim, nuk është hedhur në faqen zyrtare të kryeministrisë.

Po ashtu kryeministria as nuk ka sqaruar se për cilën kompani do të shkojnë këto para, të cilat janë para të taksapaguesve shqiptarë.

Me shumë gjasa, këto para do të shkojnë për kompaninë Patton Boggs, e cila ka nënshkruar një kontratë me qeverinë shqiptare, e cila është mbajtur sekret.

Qeveria ka angazhuar disa kompani lobimi për të përmirësuar imazhin e saj në SHBA. Këto kontrata bëhen përpara zgjedhjeve.

Pak ditë më pare Top-Channel bëri publike dy kontrata të qeverisë shqiptare me dy kompani lobuese në SHBA.

E para, ajo e kompanisë “Podesta”, me vlerë 720 mijë dollarë është lidhur në prill të vitit të kaluar e paguhet me këste mujore prej 55 mijë dollarë, ndërsa pjesa dërrmuese e vlerës është paguar tashmë.

Pikërisht, shlyerja e detyrimit për muajt e kaluar e përjashton që kjo shumë të ketë për destinacion “Podestan”.

Kontrata e dytë ishte ajo e amendimit të marrëveshjes me “Patton Boggs”, e publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Marrëveshja është lidhur në 7 dhjetor, vetëm dy muaj më parë dhe nuk përmbante çmimin që qeveria do i paguante kompanisë amerikane për shërbimet e lobimit.

Në këtë pikë, vendimi i një jave më parë i qeverisë duket se është pikërisht fatura e radhës për “Patton Bogs”, 800 mijë dollarë të tjera pas milionë dollarëve që janë paguar nga viti 2008 për kompanitë e lobimit.

Nëse është kështu, atëherë vlera të cilën paguan qeveria shqiptare me paratë e taksapaguesve shqiptare për lobim kalon kufijtë e menduar më pare, duke shkuar në plot një milion e 520 mijë dollarë për dy kompani.

Në të kundërt, pra nëse paratë nuk janë për “Patton Boggs”, do te rezultonte se veç “Patton Bogs” dhe “Podesta Grup”, qeveria paguan edhe një kompani të tretë lobimi krahas dy të sipërpërmendurave.