Nga Mero Baze
Nëse një turist i huaj do të ishte dje rastësisht në Tiranë dhe rruga do t’i binte nga shkolla ‘Vasil Shanto’, me siguri do të mendonte se një akt terrori po ndodh brenda asaj shkolle. Në rrugën para derës së saj ishin të parkuara makina me targa diplomatike, me targa zyrtare, me targa private, të policisë, njerëz të axhituar dhe deputetë të rraskapitur që rrinë pas hekurave. Dhe nëse dikush do të guxonte ta sqaronte se nuk ka ndodhur ndonjë akt terrorist, por po numërohen votat e qytetarëve që kanë votuar më 8 maj, atij dhe gjithkujt tjetër do t’i ngulitej në mendje se zgjedhjet në këtë vend janë një betejë e frikshme e palëve për të ruajtur votat.
Zgjedhjet e njollosura shqiptare qysh nga fillimi i fushatës elektorale, pësuan dje ndoshta degradimin e tyre maksimal, kur në kryeqytetin e vendit njësia elektorale nr. 5 u bë pelegrinazh i gjithë ambasadorëve të Perëndimit, vëzhguesve të huaj dhe vendorë, qytetarëve të shqetësuar dhe qindra forcave të policisë. Për cilindo që tenton të mbrojë idenë se zgjedhjet shqiptarë ishin të ndershme e të lira, mjafton fotografia e djeshme dhe tensioni i shoqërisë shqiptare për kutitë e fundit në Tiranë për të kuptuar se ato nuk janë as të lira, as të ndershme dhe as transparente.
Kjo fotografi zgjedhjesh në kryeqytet dhe në zonën më të ndriçuar të tij, është shenjë e qartë se vullneti politik për zgjedhje nga ana e qeverisë ka munguar, ndërsa vullneti për manipulim po prodhon tension dhe makth për destabilizim. Me një skemë të rëndomtë dhe mediokre importuar nga manovrat banale të Genc Rulit dikur në vitin 2005, u tentuan të prishen vulat e sigurisë së kutive me qëllim që kutitë të dilnin të pavlefshme. U desh të vërshonin tek njësia 5, ambasadori Arvizu, ai holandez dhe diplomatë të tjerë perëndimorë që ky ngërç të kalohej. U desh pastaj që ambasadorët të uleshin në tavolinë si zot shtëpie për të frenuar skemën e manipulimit. Por asgjë nuk e shtyu para procesin deri në mesnatë, edhe pse për të numëruar ato 60 kuti do të mjaftonin maksimumi dy ditë.
Kryeministri Berisha, i cili ka pësuar një shok nervor me pasoja në shëndetin e tij, përdori arsyetimin e vizitës në spital për t’i qëndruar larg formalisht këtij zullumi, por duke e komanduar atë çdo minutë.
Tani sot pritet të dalë rezultati. Sipas gjithë gjasave, Edi Rama do të marrë mandatin e kryebashkiakut për herë të katërt, por ai është ndeshur në këtë fushatë me një mekanizëm të përbindshëm të përpunimit industrial të infrastrukturës zgjedhore, gati dy vjeçare, drejtuar nga ish Ministri i Brendshëm, sot kandidat për Bashkinë e Tiranës. Rama ka rritur ndjeshëm rezultatin e tij deri në 20 mijë vota në raport me zgjedhjet e shkuara, dhe kjo ka sens pasi ai të njëjtën gjë ka bërë me partinë e tij në gjithë Shqipërinë.
Por fare papritur dhe jashtë logjikës elektorale, Basha ka dyfishuar numrin e votave të partisë së tij, nga 54 mijë që ka marrë PD në 115 mijë që po shkon Basha, ç’ka tregon se kemi një mekanizëm jo elektoral që ka sjellë këtë rezultat. Kjo natyrisht duhet hetuar si një mekanizëm i përbindshëm që deformon vullnetin e qytetarëve në themel, dhe që guxon të rrisë artificialisht rreth 40 mijë vota në raport me zgjedhjet e kaluara, një njeri të cilin kryeqyteti për herë të fundit e ka parë duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm.
Të gjitha këto detaje të neveritshme të kësaj fushate, që nisin me fushatën e pandershme, me dhunën fizike, me tensionin pa fund dhe që mbyllen me një proces numërimi monstruoz, janë një fotografi e shëmtuar e këtyre zgjedhjeve, një fotografi që do të lërë në hije marrësin e mandatit të bashkisë së Tiranës.
Si banorë të këtij kryeqyteti, ne duhet të kishim votuar të dielën dhe të prisnim të dëgjonim rezultatin. Ne jo vetëm që nuk e kemi këtë luks, por thuajse një e treta e qytetarëve po angazhohet më shumë me mbrojtjen e votës se sa është angazhuar me votimin si proces. Gjithë ky spektër njerëzish të shqetësuar, gjithë këta diplomatë të Perëndimit që janë ulur këmbëkryq të mbrojnë votat tona, gjithë këto deklarata nga Brukseli dhe Uashingtoni, gjithë ky makth dhe tension popullor, tregojnë se Sali Berisha ka shkatërruar shëndetin e demokracisë në Shqipëri dhe ka 20 vjet që nuk na lejon të votojmë të lirë. Kaq mjafton që të ikë nga politika si njeri që mbyll tranzicionin nga diktatura ku zgjedhjet ishin votime, në një demokraci ku votimet janë zgjedhje të lira.







