Shembulli i Edit

0
98


Edi Rama, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Tiranë, është fitues i zgjedhjeve të 8 Majit. Ai ndërroi hartën politike të Shqipërisë dhe na bindi të gjithëve se me konsistencë në politikë mund të arrihen rezultate spektakolare

Nga Leonard Kerquki

Teksa militantët e partive po i zgurdullojnë sytë duke numëruar vota në Tiranë tash e katër ditë, një gjë është e qartë si loti: Edi Rama është fitues i zgjedhjeve, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Kryeqytetin shqiptar, kur ky shkrim ta shohë dritën e botimit.

Ai i mori qytetet kryesore të Shqipërisë, depërtoi fuqishëm në Veri, mbajti Jugun dhe është në rrugë të mbarë për të fituar bindshëm edhe në votën proporcionale në rang kombëtar, diçka që nuk është parë vjetëve të fundit atje.

Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për një njeri që luftoi si luan tash e sa vjet, përballë tre liderëve kryesorë që kanë dominuar në skenën politike të Shqipërisë në njëzetë vjetët e fundit, Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatos Nanos.

I mundi ata, madje i turpëroi më 8 Maj.

Krejt kjo u zhvillua teksa Edi Rama ndihmonte kandidatët e Aleancës për të Ardhmen nga Vermoshi në Konispol dhe njëherësh luftonte për çdo votë për kandidaturën e tij rrugicave të Tiranës.

Sigurisht, ky sukses ka thyer shumë zemra tek ne, por secili njeri në Kosovë – përpara se të hedh baltë e vrer mbi figurën e Edi Ramës – do të duhej të reflektonte për shembullin e madh që na dha ky njeri.

Nuk jam njeriu i duhur për ta gjykuar një lider politik të Shqipërisë. Këtë shumë ma mirë se unë mund ta bëjnë gazetarët e Tiranës, por duke përcjellë karrierën politike të Edi Ramës besoj se fitorja që korri të dielën është rezultat i një konsistence të admirueshme politike të tij. Pse jo, mësim se si luftohet edhe kur gjithë bota është kundër teje. Thënë ndryshe, është shembull tipik i një vizionari që nuk lodhet së ndjekuri ëndrrën e tij.

Diçka të tillë nuk kemi parë në Kosovë.

Ky vend sot vuan pasojat e moskonsistencës në politikë dhe përgjithësisht në çdo segment të shoqërisë.

Shikoni se si vrapojnë deputetët sa në një krah në tjetrin. Shikoni se si njerëzit i ndërrojnë partitë pa pikë turpi. Shikoni se si një forcë e re, Partia Fryma e Re, shuhet për tre muaj – themeluesit e saj bien në gjunjë, shiten për pak para dhe karrierë. Kujtojeni Partinë Reformiste Ora. Shikoni njerëzit që krijojnë opinion në këtë vend – për një grusht parash janë në gjendje ta mbështesin edhe kriminelin më të madh që hyn në politikë. Çfarë mund të themi për intelektualët, për profesorët që ligjërojnë fakulteteve, për drejtuesit e shoqërisë civile? Pothuajse të gjithë ulen çdo ditë në prehrin e ndonjë pushtetari, qoftë ai i nivelit qendror apo lokal.

Edi Rama mund të ketë një mijë mëkate, por rruga e tij e suksesit është e ndryshme nga ajo që ndiqet sot në Kosovë nga elitat intelektuale dhe politike.

Ai ishte pozicionuar kundër pushtetit gjatë viteve të ’90 me shkrimet e tij në gazetën “Koha Jonë”, kur erdhi nga Parisi protestonte bashkë me qytetarët e Tiranës kundër “Saliut të Parë”, thyente shabllonet e politikanit kur mori postin e Ministrit të Kulturës, më pas rrëzonte një nga një kundërshtarët e tij për të parin e Bashkisë së Tiranës – nga Besnik Mustafaj, Spartak Ngjela e deri te Sokol Olldashi. Shkeli mbi Fatos Nanon e Ilir Metën – dy figura sinonim të korrupsionit galopant. Tash e gjashtë vjet lufton çdo ditë me Sali Berishën, përderisa ndërton raporte partneriteti, e jo raporte servilizmi me ambasadorët e huaj.

Kush do ta bënte këtë te ne?

Shenja të tilla, deri më tash, kemi parë te Lëvizja Vetëvendosje, por mbetet e paqartë nëse ata mund t’iu shkojnë deri në fund parimeve të tyre, duke pasur parasysh çetën e matrapazëve që sot gjenden në gjirin e saj.

Pjesa tjetër është tërësisht labile dhe lehtësisht e përshtatshme ndaj çdo situate.

Nuk po them se pikërisht Edi Rama është shembulli i duhur apo i vetëm.

Me pak fjalë: ideja e këtij teksti është nevoja urgjente që në politikën kosovare, në përgjithësi, të ekzistojë një konsistencë idesh dhe veprimesh, të cilat do të bënin që ky vend të ketë jo vetëm një të ardhme, por edhe një tashme shumë më të kënaqshme dhe të pëlqyeshme për qytetarin. E kjo konsistencë, thënë mes parantezash, gjithsesi do të duhej përfshinte në vete përgjegjësinë politike e morale, sundimin e ligjit, zhvillimin kulturor e ekonomik etj.

A është tepër utopike kjo?

Jo.

Por duke qenë se gjërat janë si janë, vërtet tingëllon ashtu.

Na mbetet neve të gjithëve ta shndërrojmë në realitet.