Për tre qytetet-zemra të fitores së opozitës

0
90


Preç Zogaj, 12.05.2011

“Qytetet- zemra” në literaturën politike quhen zakonisht ato qytete në të cilët mishërohet në një periudhë të caktuar një ide, një tendencë apo një histori zhvillimi me rrezatim të gjerë kombëtar e ndërkombëtar. Po guxoj ta përdor këtë nocion edhe për disa qytete të Shqipërisë sonë të vogël. E kam fjalën për Elbasanin, Durrësin dhe Korçën. Këto janë tre “qytete-zemra” të fitores së opozitës në zgjedhjet vendore të datës 8 maj.

Të merremi vesh. Harta e këtyre zgjedhjeve është plot me lajme dhe skupe. Kanë rënë dy bastione të vjetra të PD-së, si Kavaja dhe Laçi. Opozita e drejtuar nga Edi Rama e ka shtrirë fitoren e saj në gjithë territorin kombëtar. Ndërkaq, fitorja e katërt e shefit të opozitës në betejën e tij “dytësore” për Tiranën po kalon si në mitin homerik të Shilles dhe Kariotit. Të gjitha këto ngjarje kanë ngarkesës e befasisë dhe emocioneve. Nga ana tjetër, nuk kemi pse ta fshehim se fitoret e opozitës në Vlorë , Fier apo Gjirokastër, megjithë vlerën që kanë, nuk janë diskutuar ndonjëherë, siç nuk është vënë në diskutim dominimi i demokratëve në Shkodër.

Prej vitesh enigma e zgjedhjeve ” fshihet” në aksin e famshëm Durrës-Elbasan- Korçë. Kush fiton këtë aks, fiton Shqipërinë. Kjo është paradigma e gjithëpranuar, që ka lidhje me dy arsye. Së pari, me faktin se, duke mos llogaritur Tiranën si metropolin e vetëm të vendit, Durrësi, Elbasani dhe Korça janë tre prej gjashtë qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Së dyti, këto janë tre qytete ku partitë fituese të zgjedhjeve vendore dhe politike janë alternuar hërëpashere gjatë këtyre njëzet vjetëve.

Këto qytete nuk janë bastione të ngrira të njërës palë apo palës tjetër. Vota në këto qytete lëviz, gjykon dhe vlerëson përtej pozicioneve partiake apo ideologjike. Është një votë qytetare fleksibël që përjeton dhe shpreh në mënyrë pohuese ose mohuese frymën e një periudhe të caktuar qeverisjeje . Është fat që demokracia ka edhe qytete të tilla. Pa ta rrotacioni do të ishte i rrallë dhe jeta politike një mërzi.

Edhe për zgjedhjet e 8 majit, bastet më të mëdha janë venë natyrshëm pikërisht për Elbasanin, Durrësin dhe Korçën. Qeveria ” Berisha” ka eksperimetuar e provuar në këtë aks aleanca, ndërhyrje, manovra dhe marifete elektorale që do të mbahen mend gjatë. Për të marrë Elbasanin është përdorur elektoralisht e famshmja rrugë ” Tiranë-Elbasan”, që premtohet prej dy-tre vjetës, herë në variantin e ndërtimit me konçension nga drejtimi i Baldushkut, herë në variantin e ndërtimit me tunele me paratë e buxhetit të shtetit nga drejtimi i qafë Krrabës.

Berisha s’ka rreshtur ta premtojë këtë rrugë si dhuratë të mrekullueshme të qeverisë për qytetarët e Elbasanit. I gjendur në kundërkohë, ai inskenoi fillimin e punimeve në një ceremoni qesharake dhe të paimagjinueshme për një vepër të madhe, që ngjante me një miting partiak dhe ku nuk dukej asnjë makineri.

Fitorja e thellë dhe pa precedent e kandidatit të opozitës, zotit Qazim Sejdini kundër kandidatit të qeverisë, Durim Hushi, tregon qartë se retorika dhe përdorimi elektoral i rrugës nga Berisha është sfiduar nga qytetarët e Elbasanit. Mjaft prej tyre me siguri nuk e kanë besuar Berishën duke sjellë ndërmend premtimet e tij të pambajtura në prag të zgjedhjeve të vitit 2009 për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës dhe parkut industrial.

Mjaft të tjerë, më të informuar, mund të kenë dyshime dhe madje të mos jenë dakord që po merret në kohë krize një kredi katërqind milion euro për të hapur tunele, kur ka variante të tjera më të lira e më të leverdishme që nuk do ti beheshin barrë buxhetit dhe ekonomisë. Gjithsesi, Elbasani nuk e ka pranuar në formën që i është ofruar “dhuratën” e qeverisë. Kjo është një shuplakë, ky është një mësim për qeverinë e sotme dhe atë që mund të vijë neser.

Popullit nuk mund t’i dhurohen pasuritë e veta. Vetëm politikanët me mendësi diktatorësh mendojnë se popullit mund ti dhurohen vepra që financohen me paratë e vetë popullit.
Por në Elbasan ka dështuar bujshëm eksperimenti më i pastër i aleancës PD-LSI. Në Elbasan është provuar se në politikë veprojnë ligjësi kundërthënëse. Që do të thotë se nganjeherë dy parti nuk zmadhohen, por zvogëlohen kur “mblidhen” me njëra tjetrën. Kjo ndodh kur këto parti bashkohen vetëm për interesat vetjake të krerëve të tyre, dhe jo për nevojat politike të vendit. Durim Hushi, kandidati i kualicionit qevritar i propozuar nga LSI-ja, është viktimë e ligjësisë së lartpermendur.

Natyrisht, në rrezultatin spektakolar të Elbasanit, shohim reagimin e fuqishëm të një qyteti kundër qevesisë dhe kryeminstrit Berisha. Por kjo fitore nuk do të ishte kjo që është pa përsonalitetin e sprovuar të kandidatit Qazim Sejdini, që përfaqëson një profil shumë të veçantë të thjeshtësisë, përkushtimit dhe serjozitetit që duhet të karakterizojë një përfaqësues të popullit në bashki, në komunë apo në parlament. Analizat në ditët e ardhshme do të evidentojnë faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë fitore të thellë, por le të ndahemi këtu me Elbasanin dhe të shkojnë në Korçë.

Atje- e kemi parë të gjithë sepse per turp e faqe të zezë shumë gjera kanë ndodhur në dritë të diellit- qyteti dhe bashkia e drejtuar nga zoti Niko Peleshi ka qenë prej dy vjetësh në një trysni të pashembullt të qeverisë “Berisha”. Berisha dhe ministri i tij i Financave, zoti Bode, kishin planifikuar ta merrnin patjetër ketë bashki. Zoti Bode dhe “qeveria” e futbollit e zotit Duka, shkatërruan kampionatin kombëtar për të nxjerrë kampion për vota skuadrën e “Skenderbeut” të Korçës. Ka patur e ka trukime ndeshjesh për motive të ndryshme, por kjo që ka ndodhur në Shqipëri dhe në Korçë nuk besoj se ka precedent në gjithë historinë e futbollit.

Kërkund nuk është parë një ministër finance si zoti Bode që të afishohet dhe luajë kaq rëndë me sportin për të nxjerrë përfitime politke. Pasojat janë në tapet dhe kushedi si dhe kur do të riparohen. Në gjithë këtë histori të shëmtuar, korçarët që rivotuan bindshëm Niko Peleshin, këtë burrë të saktë në të folur dhe patjetër edhe në punën që bën, i dhanë qeverisë një shuplakë dhe një mësim të madh. I thanë: e duam sportin, e duam “Skenderbeun”, e duam të bëhët kammpion në fushën e lojës së ndërshme, por ne nuk jemi “indianë që genjehemi me pasqyra”.

E lemë Korçën dhe kthehemi në Durrës , ku kandidati i opozitës, Vangjush Dako, po çon përpara fitoren e tij, kundër kandidatit të koalicionit qeveritar. Ferdinand Xhaferri. Shumë vetë e mendonin utopi këtë fitore, kur nisi fushata. ” Partia Demokratike është shumë e fortë në Durrës; Ferdinand Xhaferri është i rregjur në këto punë. Ka më vete edhe LSI-në. Kurse Vangjushi s’para merr vesh nga partia…”. Këto gjera thuheshin, duke i qarë hallin për humbjen e pritshme. Por ka ndodhur një gjë e rrallë në Durrës, më saktë po ndodh, sepse numërimi nuk ka mbaruar akoma. A ta themi? Apo të presim përfundimin e numërimit dhe shpalljen zyrtare të fitores së Vangjush Dakos? Le të respektojmë numërimin. Le të presim për të folur paskëtaj për sfidën që i ka bërë qytetaria partishmërisë.