Udhëheqësi dhe tregu i gjuhës së forcës

0
34

Nga Arbër Shtëmbari

Para disa ditësh të gjithë pamë e dëgjuam fjalimin e zotit Berisha në parlament ku ai me tone të ashpra sulmoi liderin e opozitës zotin Rama. Të kuptohemi, nuk u sulmua zoti Rama në lidhje me funksiononin apo statusin e tij politik, por u sulmua individi, personi i tij dhe rrethi i tij familjar. Në një kohë kur një krizë e përgjithshme, politike, ekonomike, sociale, ka përfshirë vendin, zoti Kryeministër shpërdoron kohën dhe hapësirën e çmuar të Kuvendit, për t’u marrë me telenovela, që nuk i interesojnë askujt. Ishte një diskurs formalisht jokorrekt, por dhe nga ana semantike tërësisht bosh. Të shihje zotin Berisha teksa luante atë shfaqje të shëmtuar ishte si të pësoje një inkuizicion viziv dhe auditiv.

Nuk është hera e parë që zoti Berisha “shpërthen” siç e quajtën disa media fjalimin e tij. Por, ta pranojmë, tek ky shpërthimi i fundit, tensioni homoerotik preku caqe të paeksploruara më parë. Është e kotë të pyesnim veten “po a ka këshilltarë ky kryeministër?” që do të mund sadopak ta ndriçonin despotin edhe në orët e tij më të errëta. Ne Berishën e njohim tashmë dhe teksa kujtojmë dëshmitë e kolegëve të tij të shkollës, që e përshkruanin si një njeri dikur kaq të respektuar, kaq inteligjent, kaq punëtor, tepër të sjellshëm, sot e shohim të shpërfytyruar në këtë farë feje. Kjo metamorfozë është një dramë në jetën e dikujt.

Por drama e tij personale teksa kalon radhën pa u analizuar në mediat shqiptare, rrezikon të shndërrohet në dramën tonë. Të transmetosh bruto këtë lloj diskursi në televizion pa artikuluar një analizë të thellë mbi të, do të thotë jo vetëm ta mbartësh, por edhe të mbarsesh me të, pra të bëhesh palë e dhunës verbale, do të thotë të nxitësh jo debatin, por pasimin e dhunës tek interlokutori tjetër dhe, ç’është më e keqja, duke ia përplasur spektatorit në formë abstrakte, thjesht imazh dhe tingull, e dhunon në hapësirën e tij personale. Është si të transmetosh një film horror apo “X” në mes të ditës.

Këto lloj diskursesh të dhunshme nuk sjellin absolutisht asgjë të mirë, përveçse ushqejnë frakturën sociale dhe shkaktojnë hemorragji kombëtare. Është e vërtet që mes shkëmbimeve gjuhësore krijohen raporte force simbolike midis palëve, gjë pozitive kjo, por ajo që presim nga këto përplasje politike është çlirimi i vlerave, jo i plehrave. Mungesa e një kulture komunikimi, nuk po dëmton cilësinë e jetës, por po dëmton gjallërinë e saj, burimin energjetik të saj, vetë shqiptarët.

Nga ana tjetër, vumë re që po ndodh diçka tejet negative: po shpronësohet nga aktiviteti i të menduarit, forma më elementare e të arsyetuarit, dyshimi! Dyshimi është forcë, është kusht që hap perspektiva drejt njohjes së të Vërtetës. Teksa dëgjonim fjalën e zotit Berisha në parlament, nuk pamë askënd nga deputetët në sallë të reagonte. Këta përfaqësues të popullit shqiptar janë pajtuar me këtë mendësi, i besojnë Berishës si dishepujt, Mesisë. Kur Krishti eci mbi det, i tha Pjerit: “O njeri besimpak, pse dyshove?” E tillë është dhe frika e këtyre dishepujve shqiptarë. Kanë frikë mos dispozitat e tyre në fushën politike cenohen. Ka anomali sinoptike. Neuronet kanë mbetur peng të grykësisë për pushtet dhe para.

Fakulteti i të menduarit është cenuar rëndë. Diskursi i Liderit universalizohet automatikisht sapo ai del në tregun simbolik të gjuhës së përdorur. Fjala nuk është vetëm lëvizje fizike e frymës, që krijon tingull. Fjala është kuptim. Por ky kuptim i korrespondon një klase të caktuar në konfigurimin e klasave sociale. Fjalët të kombinuara zbulojnë një mendësi, një stil jetese dhe mbi të gjitha, shije. Cc’duhet të kuptojë një shqiptar kur zoti Berisha objektivon gabimisht identitetin e të qenit shqiptar me rolin e të qenit “Burrë”. Sipas Berishës të jesh shqiptar, duhet të jesh Burrë! Cc’ndjen një femër shqiptare teksa dëgjon këto artikulime? Cc’kuptim do të kishte sikur për shembull një zonjeje të hijshme si zonja Topalli t’i kërkoje të tregohej “Burrë”?! Gjuha e përdorur nga kryeministri nxori në pah një mentalitet arkaik dhe skarco që nuk përket më me aspiratat e popullit shqiptar. Po keqpërdoren titujt zyrtar dhe vlerat kombëtare për të legjitimuar një treg gjuhësor primitiv dhe kanunor. E ajo që është më e rëndë akoma është se duke qenë një Zë zyrtar i prodhuar në sferën më të lartë të hierarkisë shtetërore, gjuha e tij institucionale prodhon standard të ulët komunikimi dhe zhvleftëson komunikimin standard që mësohet në institucione të tjera shtetërore, siç janë për shembull shkollat. Po formohet një komunitet gjuhësor i strukturuar mbi banalitetin që prodhon Dominimi i Njëshit e, që të integrohesh në këtë komunitet, duhet të riprodhosh të njëjtën gjuhë totalitare, pra të duhet të strukturohesh sipas normës së vendosur. Pra, ajo që pritet është që në ditët që vijojnë, në fjalimet e bashkëpunëtorëve të Berishës të hasim në po të njëjtën gjuhë që ka përdorur dhe lideri i tyre. E nëse në majë të hierarkisë së dhunës verbale është vetë zoti Berisha, nën të, po zhvillohet një luftë e vërtetë për të kapur pozicione në këtë hierarki. Para disa ditësh, zonja Topalli i hoqi mikrofonin zoti Basha kur ky filloi të sulmonte personalisht zotin Rama. Zoti Basha i ndërhyri zonjës Topalli në ekonominë e saj gjuhësore, ai u përpoq t’i rrëmbente asaj kapitalin e saj gjuhësor, simbolik, që në sytë e Liderit, do të shpërblehej. Duke i hequr mikrofonin zotit Basha, zonja Topalli mbrojti pozicionin e saj në hierarkinë simbolike të gjuhës që komuniteti i saj përdor.

Ne si qytetarë të thjeshtë ajo që na intereson është të shohim kur do të vijë ajo ditë që gjuha politike do të domestikohet. Si mund të ndryshojnë këto forma komunikimi? Një hipotezë mund të jetë përmes punës! Puna transformoi majmunin në njeri, me siguri puna do të mund të ndryshojë dhe këta “politikanë” të mbërthyer në forma sociale bazike. Kështu, në vend që të merreshin me jetën personale të zotit Rama, do të ishte shumë më mirë sikur zoti Kryeministër së bashku me kabinetin e tij t’i viheshin punës dhe t’i përgjigjeshin kërkesave politiko-sociale që kërkon koha jonë.

* saktivista.blogspot.com