Rezart Palluqi, 10.12.2009
Zoti kryeministër!
S’kam ndërmënd të mbroj apo akuzoj lakuriqësinë e Ramës apo kujtdo qytetari tjetër. Secili bën ç’ti dojë shpirti me trupin e tij, qoftë ky rrugë-fshirës apo mbret.
Turp i vërtetë pra s’është të eksopozosh trupin tënd lakuriq kundrejt diellit. Meqë të ka zënë meraku me penisin e Ramës, dikush duhet të të shpjegoj se turpi i vërtetë në këtë rast është të përdorësh fjalorin që përdorni ju.
Qoftë edhe të përdorësh fjalën ‘brekë’, përpara mijëra qytetarëve shqiptarë është një niovel i papranueshem per institucionin qe ju perfaqesoni.
Është më mirë, pra, të ekspozosh organin tënd seksual në një plazh të lakuriqtë, (sepse për të flet ti, pasi gjymtyrët e tjerë të trupit lejohen lakuriq) sesa të heqësh brekët e mendjes përpara mijëra mendjeve me pantallona.
Përpiqu pra të mos na flasësh më, me mendje pa mbathje, (brekë është fjalë turke).
Eshtë e palejueshme për qytetarinë shqiptare kjo që po ndodh me ju kohët e fundit. Sindromat tuaja psiqike po fluturojnë mbi kokat tona si thika diktatoriale…
Së fundi, s’është e thënë që të jeshë i martuar, të keshë fëmijë, grua, që të jeshë politikan i suksesshëm.
Po ju kujtoj, se si artistët edhe politikanët e mëdhenj, s’kanë krijuar familje, pasi ajo të thith kohën e lirë. Ata e shmangën me vetdije krijimin e familjes për t’iu përkushtuar me mish e shpirt misioneve të tyre të mëdha historike apo kulturore.
*Autori eshte shkrimtar dhe poet. Jeton ne Holande.
* * *
Më poshtë pjesë nga fjala e S.Berishës dje:
Sot pas 19 vitesh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuej. Pse kjo? Absolutisht fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithat qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të lira të botës. Por votën tuej nuk mund ta njohë një njeri , i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, i mohoi kafshatën fëmijës së tij.
E atëherë çfarë mendoni ju se ky shok apo ky zotëri, do të mund të pranojë votën tuej, do të mund të pranojë fëmijët tuaj, do të mund të pranojë familjet tuaja? Kurrën e kurrës! Ky pinjoll, i një babai që firmoste ekzekutimin e intelektualëve, pikërisht muajin kur shembej muri i Berlinit, na shprehet se është krenar me trashëgiminë e tij, madje dhe kërcënon me trashëgiminë e tij.
Pasi ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze.
Dy vite me radhë, ka sulmuar me egërsinë më të madhe familjen time, fëmijët e mi, dhe së fundmi nipat dhe mbesat e mia. E vërteta është se këtë ai është i gatshëm ta bëjë me fëmijët e gjithsecilit prej jush, me bashkëshortet e gjithsecilit prej jush për fajin e vetëm se ato nuk zhvishen plazheve, siç i zhvesh ai të vetat apo, ato janë të ushqyer, nuk u është mohuar kafshata, janë trajtuar siç duhen të trajtojë prindi fëmijën.