Festimi monist i pluralizmit

0
41

Andrea Stefani, 10.12.2009

Edhe njëherë pushteti berishist na dha një shfaqje të mendësisë dhe verbimit monist. Dita e shpalljes së pluralizmit politik, 8 dhjetori, u festua nga Partia Demokratike në mënyrën më moniste të mundshme. Sheshi “Skënderbej” u mbush me simpatizantë të kësaj partie. Ndër flamujt partiakë shikoje vetëm flamuj blu, flamujt e Partisë Demokratike. Madje nuk u panë të paktën as flamuj të partive aleate të PD, as të atyre në bashkëqeverisje. Nuk është një harresë, nuk është një rastësi. Për shkaqe të manipulimit politik, Sali Berisha nuk do ta ndajë pluralisht as meritën dhe as festimin e ngjarjes historike të lindjes së pluralizmit.

***

Festa dhe mitingu i pluralizmit u bënë një ilustrim i krizës së pluralizmit në Shqipëri, i degjenerimit të tij në konfliktualitet. Në radhë të parë mes liderëve politikë. Partitë e opozitës mungonin në shesh. Flamujt e tyre, simpatizantët e tyre gjithashtu. Në sheshin e festës së pluralizmit nuk ishin gjithë flamujt e pluralizmit, nuk ishte i gjithë populli i pluralizmit. Ishte vetëm “populli” i partisë. Prandaj dhe mitingu i pardjeshëm i ngjasonte shumë mitingut të organizuar mbi 20 vjet më parë nga partia në pushtet, që e nxori përdhunshëm “popullin” të demonstronte solidaritetin me partinë dhe liderin kundër atyre të rinjve dhe të rejave që u arratisën në ambasada në kërkim të lirisë dhe si protestë ndaj izolimit e shtypjes. Partia e atëhershme në pushtet e nxori popullin në miting, e frikësuar nga ajo protestë masive, më e hershmja kundër sistemit komunist, që e sfidoi publikisht me aktin e arratisjes masive nga robëria. Hyrja në ambasada ishte një protestë.

Partia e sotme në pushtet e nxori popullin në rrugë, e frikësuar nga protesta e paradokohshme e opozitës që kërkon hapjen e kutive. Tamam si dje, edhe pushteti i sotëm populist kërkon t’i kundërvihet opozitës, lirisë së saj të protestës, pra lirisë që lindi më 8 dhjetor, duke nxjerrë “popullin” në rrugë. Reaksioni i pushtetit të sotëm ndaj protestës i ngjason si një pikë loti pikës së lotit reaksionit të pushtetit të djeshëm ndaj protestës. Dhe po tamam si dje, kur të rinjtë dhe të rejat që kapërcyen muret e getos komuniste, duke refuzuar të jetojnë në izolim, u etiketuan si “jashtëqitje të kombit”, po ashtu edhe opozita sot u etiketua në miting si “mbetje e së shkuarës”. Gjuha është thelbësisht e njëjtë, sepse edhe mendësia e pushteteve ka mbetur, për fat të keq, thelbësisht e njëjtë. Por si mund të rinovohet ajo kur kemi ende në krye të politikës dhe qeverisë politikanë të stërvjetër të fillimit të tranzicionit si Sali Berisha?

***

Pluralizmi politik mori fund në Shqipëri, kur menjëherë pasi komunistët erdhën në pushtet, i shpallën të gjithë ata që nuk e mbështesin pushtetin e tyre, partinë e tyre, liderin e tyre, armiq të popullit, që meritonin të zhdukeshin, të burgoseshin, të internoheshin. Sot përsëri dhe përsëri, opozita politike shpallet nga Berisha në pushtet armike e popullit që meriton të burgoset, sepse ajo është një mafie. Sepse a mund të mos jetë mafia armike e popullit? Është mjerim të shikosh sesi një Kryeministër, ditën e pluralizmit nuk bën thirrje për bashkim pluralist të partive dhe njerëzve rreth vlerave të lirisë, por në të kundërtën u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen “për lirinë” rreth tij dhe partisë së tij. Ejani “me ne” – tha Berisha. Ky bashkim që po kërkon Berisha, nuk është bashkimi pluralist, nuk është “e pluribus unum” e SHBA, por është uniteti i popullit rreth partisë, rreth Stalinit, Hitlerit, Musolinit, Enverit, është thirrja për një unitet që vret pluralizmin ditën e pluralizmit!

Fjalimi i Sali Berishë në miting qe, fund e krye, një retorikë boshe, një thes me thirrje për “lirinë”, por me thelb antiliri. Ai synoi të eksitojë pasionin e turmës, por jo të injektonte arsyen. Ai i thuri hosanara lirisë, por dha një tjetër provë se nuk ka asnjë koncept të qartë për lirinë, e cila është në thelb drejtësi. Tha se liritë e shqiptarëve janë më të sigurta se kurrë dhe kërcënoi: Mjerë kush do guxojë t’i kërcënojë ato! Një kërcënim që Berisha duhet t’ia adresonte vetvetes. Se vrasësit më të mëdhenj të lirive të popullit shqiptar kanë qenë pushtetarët e tij të kthyer në sundimtarë për shkak të grumbullimit të pushteteve të pakufizuara. Dhe Berisha është një nga ata që, bashkë me klanin e tij politik, kanë dalë deri edhe mbi ligjin. Ndërkaq, liria nuk është vetëm liria nga i huaji, sikundër kërkon ta shesë Berisha, duke spekuluar me anëtarësimin në NATO (këtë bënte dhe Enveri dikur duke betonuar bunkerë kundër NATO-s) por, sot mbi të gjitha, liria dhe liritë janë të drejta. Liria është e drejta e punës, e drejta e pronës, e drejta e fjalës, e drejta e organizimit.

Sa shqiptarë janë sot të sigurt se pushteti nuk do t’i flakë nga puna? Sa shqiptarë janë sot të sigurt se prona e atyre apo dhe e drejta e pronës së tyre nuk do dhunohet, nuk do përqeshet nga njerëz me pushtet? Sa të sigurt janë gazetarët se e drejta për të thënë atë që mendojnë, e drejta për të kritikuar rreptë pushtetin, qeveritë, Kryeministrin, nuk do t’i nënshtrohet një hakmarrjeje të hapur ose të fshehtë? Mijëra njerëz të përzënë nga puna për shkaqe politike apo korruptive, qindra ish-pronarë që nuk kanë marrë dot edhe pas 20 vjetësh nga rënia e komunizmit pronën e tyre të rrëmbyer nga komunizmi, gazetarët dhe mediat që vuajnë reprezaljet e hapura dhe të fshehta të pushtetit, faktojnë dhimbshëm se në ç’gjendje të mjeruar është katandisur liria, liritë dhe të drejtat në Shqipëri. Dhe a është e mjaftueshme për të gënjyer veten se liria po triumfon në këtë vend vetëm sepse lideri i pushtetit del në tribunë dhe bërtet rroftë liria! Harruam që kështu bërtiste edhe lideri i diktaturës?

Berisha doli në tribunë dhe tha se “mafies do t’i tregojmë ligjin me të gjithë rreptësinë e tij”. Të gjithë e kuptuan se e kishte me opozitën, me liderët e saj dhe në radhë të parë me Edi Ramën. Por a nuk është kjo një deklaratë fund e krye antiliri? Sepse a nuk është një pushtet tjetër, dhe jo ai i Kryeministrit, nuk janë të tjera institucione ato që i tregojnë ligjin mafies dhe shkelësve të tij? Deklarata e Berishës, e përsëritur shumë herë këto kohët e fundit, është pohimi se darët e ligjit nuk janë në duart e pushtetit të pavarur të drejtësisë, por në duart e Kryeministrit. Dhe atje ku zbatimi i ligjit është në dorë të Kryeministrit, atje nuk ka më as drejtësi dhe as liri. Atje ku drejtësia nuk ka dhëmbët e saj, por është një protezë në gojën e Kryeministrit, atëherë ky i fundit shndërrohet në një monstër, në një Leviatan që kafshon dhe kollofit lirinë. Edhe atë që u lind thuajse 20 vjet më parë, në 8 dhjetor.