The Economist, 09.05.2011
Shqiptarët votojnë në zgjedhjet lokale. Në qoftë se votimet nuk përfundojnë me dhunë, vështirë se editorët e huaj do të përqendrohen në këtë ditë. Por për Shqipërinë, kjo është realisht një ngjarje e madhe. Albert Rakipi, kryetar i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, shkon deri aty sa i krahason këto zgjedhje, veçanërisht betejën për Tiranën, kryeqytetin, me betejën e Stalingradit.
Jeta normale politike në Shqipëri ka qenë e pazakontë për gati dy vjet. Në qershor 2009 Sali Berisha, lider i Partisë Demokratike, arriti një fitore të ngushtë në zgjedhje, çka i dha mundësinë e formimit të një koalicioni qeverisës me kundërshtarin e deriatëhershëm politik, Ilir Metën,i cili ishte larguar nga Partia Socialiste. Gjithësesi Edi Rama, kryebashkiak i Tiranës dhe lider i socialistëve, doli me pretendimin se zoti Berisha i vodhi ato zgjedhje.
Që atëherë, jeta politike në Shqipëri ka kaluar kriza të njëpasnjëshme; socialistët bojkotuan Parlamentin për një periudhë të konsiderueshme kohe, greva urie u kampuan para zyrës kryeministrore, të mbajtur tashmë nga Zoti Berisha, dhe, më dramatikja, në 21 janar një demonstratë opozicioni, përfundoi në mënyrë tragjike. Katër persona përfunduan të vrarë nga Garda e Republikës kur, brenda një ndërtese qeveritare u hap zjarr. Socialistët e quajtën këtë veprim një vrasje të qëllimshme, ndërsa Zoti Berisha deklaroi publikisht se protestuesit ishin përpjekur për të realizuar një grusht shteti, duke përdorur dhe armë të maskuara si çadra dhe stilolapsa.
Në 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe në dhjetor qytetarët u bënë pjesëtarë të grupit të shtetasve nga vende që zyrtarisht nuk janë pjesë e BE-së, të cilët mund të udhëtojnë në 25 vendet anëtare të zonës Shengen pa viza. Pra, e gjithë kjo është një njollë mjaft e turpshme për Shqipërinë. Trazirat politike kanë dëmtuar procesin e hyrjes në BE dhe Brukseli do të jetë duke vëzhguar me shumë kujdes ecurinë e zgjedhjeve të sotme.
Në qoftë se koalicioni i drejtuar nga zoti Berisha do të dalë mirë, Kryeministri mund të pranojë të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme. Kjo, thotë Zoti Rakipi, do të ishte “një fitore morale dhe politike mbi pretendimet e opozitës për vjedhjen e votës” në 2009. Por në qoftë se përparësi do të ketë koalicioni i drejtuar nga socialistët, atëherë kjo do të ishte një shtysë edhe më e madhe e kërkesave të tyre për zgjedhje të parakohshme.
Çelësi i gjithë fushëbetejës është Tirana. Zoti Rama kërkon aty një mandat të katërt si kryetar bashkie. Ai ka si oponent Lulzim Bashën, një figurë mjaft e afërt e zotit Berisha dhe e familjes së tij, i cili në karrierën e tij politike ka mbajtur disa poste ministrore, ndër të cilat atë të Punëve të Jashtme, Transportet dhe Telekomunikacionin dhe atë të Punëve të Brendshme. Në 2007 u hetua për korrupsion, akuza të cilat ranë në 2009.
Sipas Zotit Rakipi, ajo çfarë i duhet Shqipërisë është një fitore e pastër e një pale ose tjetrës. Përndryshe thotë ai, “ne do të vazhdojmë të jetojmë në tiraninë e status quosë në të cilën kemi jetuar dy vitet e fundit”.
Zoti Berisha është më flegmatik. Në një intervistë (në frëngjisht) për “Le Monde”, ai thotë se fitorja do të ishte padyshim diçka shumë e mirë, por humbja nuk do të ishte fatale. I pyetur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ai përgjigjet:
Procesi është i pandalshëm, por duhet të jetë i bazuar plotësisht në meritimin tonë dhe jo për shkak të klimës. Tani për tani, klima në BE nuk është shumë e ngrohtë për sa i përket zgjerimit, por kjo nuk do të thotë se kemi një pengesë të pakapërcyeshme. 86% e shqiptarëve janë për integrimin. Dhe unë personalisht besoj në gjykimin e arsyeshëm të tyre. Për një vend të vogël si Shqipëria, Bashkimi Europian është thuajse si një parajsë mbi tokë. Çdo hap që ne bëjmë, bëhet duke pasur parasysh lirinë, kushtet e jetesës dhe të ardhurat. Imagjinoni: Njëzet vjet më parë ne kishim 60000 bunkerë në Shqipëri. Sot në ato vende ka 60000 vila.
Të premten, zoti Rama deklaroi gjatë fushatës zgjedhore se: “Saliu (Z.Berisha) nuk është Kryeministri i Shqipërisë, por thjesht përfaqësuesi i një qeverie të shndërruar në regjim, i cili flet për ju, por mendon vetëm për veten e tij”.
Zoti Rakipi ka plotësisht të drejtë kur thotë se duhet dalë nga kjo rrugë qorre. Por ajo mund edhe të mos ndodhë sot. A do të besojnë shqiptarët ato çfarë u janë premtuar, nga të dyja palët, premtime të cilat përfshijnë gjithçka, që nga ndërtimi i tramvajeve, te heqja e taksave dhe deri te hapja e 300000 vendeve të reja të punës? Më shumë mundësi jo, megjithëse duhet thënë se shqiptarët, nga të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, janë padyshim më optimistët. Le të shpresojmë se beteja e sotme e Stalingradit do të përfundojë pa “viktima” dhe se do të zgjidhë ngërçin politik.