Nga: KIÇO BLUSHI
Nëse dëshiron të dish cili është raporti ynë i lirisë: Qytetarmedia, pushtet- opozitë, pluralizëm- monizëm, parti-krerë, ligjehalle vetiake e komunitare, kurrkund nuk mund t’i kuptosh më mirë e më saktë se në emisionin: “Alo, Bashkimi?”. E jo vetëm liria, po edhe në ç’nivel maturimi a mjerimi gjendet aktualisht sistemi ynë demokratik. Për këtë nuk është e nevojshme të dëgjosh raportet e ndërkombëtarëve, të shohësh mimikën e Fyles e të Arvizusë, të studiosh e të krahasosh statistikat e INSTAT-it qeveritar, të dëgjosh fjalën e përkorë të kryeministrit një herë në qeveri e pastaj edhe në grupin parlamentar, të lëçitësh gazetat e të përpish ekranet, por mjafton të ndjekësh një mëngjes këtë emision të shumëkërkuar në NEWS 24.
Të qëndrosh gjysmë ore aty ku shqiptarët, të fshehur në anonimat (ndoshta edhe për këtë shkak ata nuk kanë as drojë dhe as frikë!), mësyjnë si jeniçerë njëri-tjetrin, qeverinë, opozitën, krerët pa dallim feje (në shumicën e rasteve jo pa dallim partie, krahine, rreshtimi, shërbimi e ca më pak ideje), duke u derdhur nga të katër anët, edhe nga jashtë që të telefonojnë sa më parë Bashkimin për t’u rrëfyer, për të dëshmuar, për të kritikuar e për t’u ankuar. Ndërsa shumica telefonojnë për të shfryrë mllefet, dertet, pasionet, gjykimet, paragjykimet, sharjet e mallkimet, hallet e mbihallet, kërkesat e ankesat, konfliktet e inatet, pëlqimet dhe mospëlqimet e ndërsjella. O sa mir’ me ken’ shqiptar!
Ndër ta ka jo pak mercenarë të instruktuar dhe të urdhëruar nga celulat e organizatave të partive të lagjeve që të reagojnë sa më ashpër kundër armiqve të partisë e të liderit përkatës, por më të shumtit janë hallexhinj e fakirfukarenj të shtyrë prej nevojës, ndoshta instiktive, për të gjetur një “kishë”, një vend e një person ku mund të falen, të zbrazen e të lehtësohen sadopak.
Gjithsesi të gjithë telefonojnë në kuturu, në hiçnajë, në eter, edhe pse e dinë fort mirë që kësisoj asgjë nuk mund të zgjidhet në këtë vend të bekuar, ku më shumë se te veprimi vetjak e kolektiv ende besohet, si në çdo parashoqëri, te yshtjet, te mrekullitë, te Zoti, te fati, te nëmosjet e mallkimet që kryhen nëpërmjet fjalëve, ekraneve, n’daç edhe internetit, të hedhura e të thëna në shumicën e herës me përçartje dhe urrejtje të ndërsjellë.
Nuk ka hapësirë mediatike më spontane e më të pakontrolluar se ekrani i një TV të hapur katekat për “zërin e qytetarëve” anonimë, ku çdo mëngjes bëhet lavazhi i trurit në një lavatriçe të gatshme, të palodhur dhe e të mrekullueshme, ku si në një derdhje të beftë përroi mund të kuptohet lehtësisht se fytyra e vërtetë e shoqërisë sonë është konfliktuale, moskomunikuese, hallemadhe, përherë problematike.
“Alo, Bashkimi?” në të vërtetë është shprehja më e spikatur e pafuqisë së qytetarit të sotëm rural, n’daç edhe urban, që e kupton më në fund se ka mbetur në mes të katër rrugëve, pa asnjë shpresë se mund të zgjidhen hallet e veta, ca më tepër ato të komunitetit, në dyert e shtetit, në zyrat e qeverisë, tek të zgjedhurit me “vota të lira e demokratike”, ca më pak te organet e Drejtësisë (së padrejtësisë). Ata që telefonojnë te Bashkimi për të qarë hallin janë njerëz të dëshpëruar që e kanë provuar më se një herë në kurrizin e tyre se tek ne halli nuk mund të zgjidhet në rrugë “institucionale”, aq më pak duke u mbështetur te fuqia e trysnia e bashkësisë, e bashkëveprimit në komunitet, me ndihmën e atij që në botën demokratike quhet opinion publik, por vetëm me nepotizëm, me klientelizëm partiak e fisnor, e, mbi të gjitha, me ryshfet.
“Alo, Bashkimi?” është një provë kokëfortë që çdo mëngjes dëshmon, sa hap sytë, se edhe njerëzia e këtij dymijëvjeçari të ri nuk kanë besim te njëri-tjetri dhe as te partitë e liderët e tyre, si struktura sociale të shpikura enkas për të mundësuar veprime e qëllime sipas interesave të përbashkëta. Ironia është se duket sikur, habitërisht telefonuesit kanë më shumë besim te Bashkimi, se te qeveria e tyre e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Nuk kanë punë, nuk kanë ujë, nuk kanë drita, nuk kanë ilaçe, nuk kanë shpresë, nuk as ka shpërblim fundviti për pensionistët, nuk janë kthyer pronat, nuk u është dhënë vjetërsia ushtarakëve etj etj. Të gjitha këto halle përmbi halle qahen e bien, si rrebesh, çdo mëngjes mbi supet dhe mbi durimin e Bashkimit. Aq sa ky nuk gjen rrugë tjetër veçse të pranojë modestisht se nuk ka asnjë mundësi dhe as fuqi t’ua zgjidhë hallet, përveç se t’i dëgjojë e t’i tolerojë jo më shumë se dy minuta. Kush këmbëngul, detyrohet, t’u tregojë derën ku duhet të trokasin e në mosdurim, edhe ta mbyllë bashkëbisedën.
E pra, rrëfimi i qytetarëve te Bashkimi nuk justifikohet dot me enigmën mistike të një prifti katolik, i cili teksa i dëgjon pas kafazit besimtarët e tij mban gjallë shpresën se fjalën e tyre, të mëkatarit apo të dëshpëruarit, ka për ta çuar te veshi i Zotit. Ndërsa Bashkimi, sa herë mbetet ngushtë, detyrohet të thotë afërsisht këto fjalë: Po pse nuk e kërkoni zgjidhjen te organet përkatëse? Po te cilat organe përkatëse, o Bashkim, tek ato që e kanë krijuar problemin? Absurdi është se qytetarët, sado të mefshtë të jenë, e dinë fort mirë që jo vetëm Bashkimi, po as Avokati i Popullit, i cili u zgjodh këto ditë me konsensus, as Helsinki dhe as dhjetëra OJF për “gratë e dhunuara”, nuk mund t’u japin dum halleve e problemeve që ata kanë me organet e drejtësisë, me institucionet qeveritare, me zyrat dhe çmimet e ujit, të telefonisë, të dritave, të ilaçeve dhe bukës…
* * *
Por “Alo, Bashkimi?”, me sa duket ka mbetur i vetmi ngushëllim “demokratik” që e bën njeriun e zakontë e të pashpresë të besojë, ndonëse naivisht, se ai ka qenë dhe ka mbetur një atdhetar i vetëdijshëm, i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm, sepse ja, shikoni e dëgjoni o milet se si po guxon të ankohet, të shajë e të thotë publikisht e “hapur” të vërtetën e hidhur, duke i provuar kësisoj vetes (shumë shumë familjes së vet, por jo botës, as qeverisë, madje as asaj që quhet shoqëri civile, derisa këtë akt kundërshtie e bën në anonimitet!) se medemek ai/ata ndjehen të lirë meqë shfaqin guxim të mjaftueshëm të kundërshtojnë, të flasin e të mos pajtohen me zezonat e mbrapshtitë e pafundme që kanë pllakosur jo vetëm atë vetë, por mbarë shoqërinë.
Vetëm se kjo lloj “lirie” për të llapur nuk ka asnjë vlerë, se jo vetëm që nuk zgjidh gjë, por e bën kaosin dhe anarkinë të shfaqen e të duken si demokraci e mirëfilltë, gjë që e rrënon edhe më tepër këtë të fundit, duke krijuar ndërkohë edhe “mjegullën” për ujqërit pushtetmbajtës, të cilët njëlloj si pararendësit, tjetër thonë, tjetër mendojnë e tjetër bëjnë. Ne kemi një liri që ngrihet mbi baltë, që ushqehet me sharje e shpifje, me gënjeshtra e mashtrime, me premtime të pambajtura, me iluzione që përherë përfundojnë në kosh të plehrave. Kjo lloj lirie shumë shpjet bëhet dëmsjellëse sepse ajo vlen dhe mban vetëm dhunuesit, të fortët, të pushtetshmit, oligarkët, të pafytyrët. Këtë mësim-pësim nuk është hera e parë dhe as e fundit që po e shijojmë, por nuk vëmë mend!
“Alo, Bashkimi?”, parë me këtë sy, vlen për të kuptuar se sa amiant, sa mospërfillje e sa mosdëgjim është hedhur në këto 21 vjet në themelet e demokracisë tonë, në enët komunikonjëse mes qytetarit dhe pushtetit, mes zgjedhësit dhe të zgjedhurit, mes shtetit dhe popullit, mes premtimeve elektorale të krerëve dhe zbatimit të tyre e në këtë rrafsh edhe mes interesit publik dhe atij vetjak. Fjala e moçme “qentë le të lehin, karvani shkon përpara” është ndoshta fraza më e përshtatshme për të ilustruar sa më sipër.
Një meritë të padiskutueshme për çvlerësimin e fjalës në këtë farë feje ka padyshim Berisha, i cili që ditën e parë që u shpall kryeministër deklaroi një numër telefoni (sot mund të quhet loja “telefoni i prishur”) ku qytetarët mund të ankoheshin sa të dëshironin, njëkohësisht ai dha urdhrin e prerë që ministrat e vartësit e tij nuk lejoheshin të hidhnin në gjyq asnjë gazetar, çfarëdo akuze të bëhej ndaj tyre. Të dy këto “vendime” u zbatuan pikë për pikë, aq sa tani ato, edhe nga qytetarët anonimë e pa kulturë që telefonojnë te Bashkimi mund të deshifrohen kësisoj: Bjerini ju legenit sa të doni, ne do të bëjmë atë që i pëlqen “komandantit”!
Në këto kushte jo vetëm ato që thuhen çdo mëngjes te Bashkimi, po edhe shtypi i shkruar, edhe ai që quhet pushtet i katërt, bashkë me opinionin publik, sot janë të asfiksuar e të zhvlerësuar sepse janë nxjerrë qëllimisht jashtë loje e jashtë funksionit. Ndaj në këtë llapaqenëri pa din e pa iman nuk mbetet tjetër ngushëllim përveç se edhe analistët, edhe gazetarët, edhe të varurit e të pavarurit e të gjitha llojeve e ngjyrave, madje edhe akademikët (nëse ka të tillë) t’i telefonojnë çdo mëngjes Bashkimit në NEWS 24 për të larë, së paku, gojën ose ndërgjegjen e plagosur.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)