Kush fiton dhe ku hapet shampanja?

0
49


Preç Zogaj, 07.05.2011

Në orët e numërimit mbrapsht të fushatës elektorale nuk ka më dyshime se zgjedhjet e 8 majit, edhe pse produktin e kanë vendor, janë thellësisht politike në përmbajtje. Për opozitën dhe për qeverinë. Me dallimin se opozita i ka konsideruar të tilla qysh prej fillimit, duke qenë e qartë me qytetarët dhe duke marrë përsipër hapur, pa u fshehur prapa gishtit, pasojat e një votimi të tipit referendar. Ndërkohë që shumica qeveritare ka përshtatur një qëndrim evaziv dhe hileqar me dy kuptime. Me fjalë Berisha, Meta dhe politikanët e tjerë të shumicës kanë vijuar të thonë se këto zgjedhje janë vetëm vendore. Kurse me ” vepra” kanë bërë një fushatë thellësisht politike, së cilës, për shkak të krizës së thellë ekonomike, i kanë munguar vetëm shiritat dhe gërshërët për të qenë një fotokopje e fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Arsyeja e këtij qëndrimi si mësalla me dy faqe është shumë e qartë. Po doli vajzë, domethënë po humbi, qeveria do të mundohet të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë, me arsyetimin se “vendore ishin, ka ndodhur e ndodh edhe gjetkë, shumica mund t’i humbasë zgjedhjet vendore, por mandati i saj nuk vihet në diskutim para se t’i skadojë afati katërvjeçar, përndryshe do të bëhej lëmsh gjithçka, nuk do të kishte nevojë fare për dy lloj zgjedhjesh…” E të tjera e të tjera.

Ama, po doli djalë, Berisha i pari do të jepte shembullin e leximit politik të rrezultatit si një referendum popullor për qeverisjen e tij dhe për vetë atë si kryeministër. Në këtë pikë nuk duhet të ketë askush iluzione . Megjithëse nuk e kërkon votbesimin në mënyrë ballore si herë të tjera, por po provon me taktikën e krahëmarrjes dhe shumfishimit të grepave, Berisha nuk do të mendohej asnjë sekond për ta plasur e shpallur si personale fitoren eventuale të koalicionit “Aleanca për qytetarin”.

Dhe do të ketë të drejtë. Humbja do të jetë piksëpari e tij, edhe pse do të mëtojë tua faturojë të tjerëve. Fitorja do të jetë gjithashtu e tij, edhe pse tani bën sikur do ta arrijë me të tjerët. Kandidatët e tij në qytete kryesore, por edhe në bashki dhe komuna më pak të rëndësishme, janë të vetëdishëm se kësaj radhe me shumë se kurrë janë në garë piksëpari për të rikrijuar me votë popullore qeverinë e shumicës deri me tash të fabrikuar “Berisha-Meta” dhe për t’i dhënë një grusht lëvizjes së refuzuar opozitare për vendosjen e trasparencës dhe sundimit të ligjit.

Pavarësisht retorikës “vendore”, këta kandidatë tradhëtohen çdo ditë nga lloj-lloj incidentesh e gjestesh të mëdha e të vogla, që në lidhjen e tyre zbulojnë karakterin thellësisht politik të përformancës së tyre. Një gjest i tillë i vogël, por kuptimplotë ishte edhe porositja e një pankarte me fyerje kundër Spartak Ngjelës, Nard Ndokës dhe meje në mitingun elektotral përmbyllës të kandidatit të PD-së për bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferri.

A thua se është ndonjë gjë e bukur të vendosësh parulla fyese në duar anonimesh të futur mes turmës! Ferdinand Xhaferri e di mirë se po të jetë vërtetë vendore fushata e tij për kanalizimet, gjelbërimin apo mjedisin në Durrës, Spartak Ngjela, Nard Ndoka dhe ca më pak unë që merrem kryesisht me publicistikë politike, nuk kemi vend në antifushatën e tij. Por Xhaferri nuk konkuron për Durrësin. Durrësi është loja. Ai konkuron për Saliun, për qeverinë. Duke ia kthyer mbrapsht fyerjet në fjalë, unë nuk do ta quaja sakrilegj faktin që Xhaferri të flijohet për Saliun. Kjo është kredoja e tij politike.

Por duhet ta thotë, djalli e mori, tua thotë durrsakëve, sepse kur nuk ua thotë është njëlloj sikur po ua vjedh votën, me kujdes dhe pa qenë nevoja, për t’ja dërguar Berishës në Tiranë. Dhe më tej, si autori kryesor i mitingut të tij elektoral, ai nuk duhet të përdorë dy masa të ndryshme për të cilësuar politikanët e partive të vogla. Me fjalë të tjera, nëse opozitarët Ngjela dhe Ndoka, që sillen siç janë votuar, qënkan palaço për zotin Xhaferri, çfarë mund të thuhet për aleatët e tij, për Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin, që janë votuar si opozitarë, por kanë përfunduar qeveritarë?

E lëmë me kaq këtë detaj të mitingut të Xhaferrit. Ishte vetëm një ilustrim i karakterit politik të fushatës së kandidatëve të qeverisë. Pavarësisht përdëllimeve dhe përgjërimeve të tyre për rrugicën, kanalin apo çesmen e fshatit, që kanë rëndësinë e tyre, njerëzit tani e kanë shumë të qartë: në këto zgjedhje të gjitha palët kanë venë një bast të madh politik. Berisha ka vënë bastin e vazhdimësisë me të njëjtën formulë qeverisjeje. Ilir Meta ka vënë bastin e mbijetesës politike.

Edi Rama dhe opozita kanë venë bastin e rinisjes për një zgjidhje të re politike dhe zgjedhje të reja parlamentare në horizont. Shampanja e fitores në të gjitha rastet hapet në Tiranë. Opozita e thotë hapur ketë, pavarësisht se, kandidatët e saj, në respekt të garës vendore, kanë gërshëtuar fushatën për problemet e bashkive dhe komunave me fushatën politike kombëtare. Berisha me Metën nuk e thonë, por aty e kanë mendjen.

Kush do të fitojë? Nuk kemi sondazhe profesionale. Kemi vetëm arsyet e natyrës politike dhe ekonomike, që mua përsonalisht me shtyjnë të besoj në një fitore të qartë të opozitës së bashkuar. Kur nuk fitoi dot në vititn 2009 me një bilanc marramendës, që nuk kuptohej ende sa ishte i vërtertë dhe sa ishte fiktiv, si mund të fitojë zoti Berisha dy vjet më vonë, kur puna dhe investimet janë në gjendje nokdauni?

Si mund të fitojë me vidioskandalin “Meta” dhe me vrasjet politike të qytetarëve opozitarëve me 21 janar? Fitorja e qeverisë në këto zgjedhje, edhe pse ka andej-këndej kandidatë të mirë, është e pamundur sipas meje për arsye se shumica popullore nuk mund të prodhojë një fitore që përfaqëson në thelbin e vet shartimin e bllokut të korrupsionit me plumbat e krimit shtetëror. Po të ndodhte kjo, kauza e opozitës për vendosjen e sundimit të ligjit demokratik jo vetëm do të ndalonte, por do të merrte një goditje me pasoja për një kohë jo të shkurtër. Unë nuk gjykoj verdiktin e popullit sovran.

Në përgjithësi mendoj se shqiptarët kanë vendosur drejt në të gjitha zgjedhjet ku është lexuar pak a shumë me drejtësi vota e tyre. Besoj se kështu do të vendosin edhe kësaj radhe. Nuk besoj asesi se zgjedhësit mund të godasin opozitën e një pushteti të korruptuar, arbitrar dhe të dhunshëm deri në vrasje. Fitorja e opozitës do të jetë rifillimi i përpjekjes për të dalë nga qorrsokaku i krizës dyvjeçare. Kësaj ardhe “me kuti të hapura”, pasi vetë fitorja është kuti e hapur. Dhe me një qeveri , që nuk mund të mos lexojë verdiktin e zgjedhësve.