Nga: Kiço BLUSHI
Një hall bajagi i rëndë ka kapluar këto ditë trurin e KQZ-së, bordin e saj të monitorimit të mediave dhe na-tyrisht edhe vëmendjen e kandidatëve të partive kryesore. Fajin e paska pasqyra, d.m.th, mediat elektronike, të cilat duhet të pasqyrojnë kandidatët jo ashtu si janë, por ashtu si duan të ngjajnë. Sherr e mosmarrëveshje, kacafytje e keqkuptime për kohën televizive që do të duhet të ndahet, për mënyrën se si e sa do të jetë e balancuar kohëzgjatja, si do të pasqyrohen mitingjet, takimet me popullin, duarshtrëngimet e zjarrta, tubimet, brohoritjet, premtimet, entuziazmi i papërshkruar, përqafimet mallëngjenjëse të primarit populldashës sidomos nëpër fushata zgjedhore…
Në këtë tollovi njëzetvjeçare, nepsi për të zaptuar sa më shumë kohë e hapësirë në “pasqyrë” (ju kujtohet, besoj, ajo shprehja e famshme “terr informativ”, që e detyroi të ndjerin Arbnori të futej në grevë urie në zyrat e Kuvendit!…), pas njëzet vjetësh demokraci nuk është zbehur, përkundrazi! Sa më anonim, sa më i kompleksuar, sa më shumë probleme të kesh me opinionin publik dhe Drejtësinë, sa më puthador e i deformuar moralisht të jesh, madje edhe sa më injorant, aq më tepër ngulmon për protagonizëm, për t’u bërë i shquar brenda një nate, për të hyrë e për të mbetur në histori, për ta parë veten nëpër reklama, borde, qeverisje, debate, ekrane, spote e billborde gjigante…
Shikoni p.sh, se jo pak nga drejtimet e federatave sportive apo edhe të universiteteve private janë pushtuar ose nga gjysmë analfabetë, ose nga vetje me precedentë penalë, të bërë të kamur nëpër trafiqe. E këtë magji, për t’u bërë edhe i shquar i kombit, pa derdhur pikë djerse, pa talent e pa merita, për t’u emërtuar fët e fët madje edhe akademik, Mjeshtër i Madh, artist me famë, intelektual i zëshëm Forumesh, e më pas për të përfituar edhe një pension special nga qeveria…këto, para se të t’i dhurojë kreu i partisë, duhet t’i gatisë më së pari “pasqyra”, d.m.th, televizionet…
Mjafton të dalësh dy a tri herë në një Tv kombëtare për të sharë me rrënjë e me degë kundërshtarin politik të qeverisë apo të Bashkisë dhe sakaq do të gdhihesh jo vetëm një intelektual i shquar, po edhe një kandidat i përzgjedhur, i emëruar në një post! Mjafton të dalësh dy a tri herë si artist i mohuar a i persekutuar nëpër ekrane, të firmosësh një peticion, që fqinjët e lagjes të thonë: vërtet ky paska qenë i madh, po si nuk e kemi pas dit?!
Por kur “pasqyrat” guxojnë të rrëfejnë stadiumet ku shiten arbitrat e kur rrihen gladiatorët, kur vlerat false provohen që janë antivlera, kur “pasqyra” nxjerr pasaportat false, trafiqet, gënjeshtrat, abuzimet, llumësinë, nepotizmin, klientelizmin, pasuritë e paligjshme, “çimkat”, vilat, videokasetat… atëherë fajin e ka pasqyra, e cila, kuptohet, e ka hak të ndëshkohet, të bëhet thërrime!
* * *
Në kulmin të dehjes me vetveten, kur edhe një katundar që shpallet kandidat komune e sheh veten të rëndësishëm, meqë e ka përzgjedhur partia, ja ku u shfaq një risi e re: disa televizione vendosën të mos pranojnë kasetat e gatshme të partive dhe të shtabeve të kandidatëve që vijnë si trakte nga zyrat e sotme të agjitpropit. Kjo do të thotë që “pasqyra” po kërkon, pas gati njëzet vitesh pluralizëm mediatik, të ketë sadopak respekt për veten dhe për lirinë!
Por ja që KQZ provoi se ky synim ka për të qenë një tjetër mision i pamundur, edhe pse si kusht paraprak u vu pavarësia dhe profesionalizmi i mediave. Urdhri i KQZ-së për të pranuar “kasetat e gatshme” nuk është një thyerje e pasqyrës, por një tjetër përdhosje e saj! KQZ kërkon që fytyrat e kandidatëve të dalin nëpër ekrane të pudrosura, të grimuara, të trukuara, të falsifikuara, të buzëqeshura, të adhuruara nga zgjedhësit…! Takimet e kandidatëve duhet të jepen si festë, si një gëzim i papërshkruar! E thënë më troç, KQZ-ja e sotme e Ristanit kërkon që ne, të konsideruar si zgjedhës syleshë e të pagdhendur, duhet të hamë edhe një herë tjetër sapunin për djathë, d.m.th., të blejmë me votë demagogjinë dhe falsitetin e servirur me bollëk edhe në këtë ndeshje zgjedhore, e cila në plan të parë e qëllim kryesor ka trukimin e realitetit dhe manipulimin e opinionit publik! Kjo është një ndërhyrje e turpshme dhe vulgare në një pushtet të pavarur, misioni dhe funksioni i të cilit, sidomos nëpër fushata zgjedhore, konsiderohet i pazëvendësueshëm.
Natyrisht që jo KQZ-ja, por as Kuvendi, nuk mund të vendosin që televizionet e pavarura të pranojnë kasetat e gatshme, pasi kjo do ta bënte garën zgjedhore jo vetëm të pandershme, por edhe të njollosur keqemosmëkeq! Por kurthi është ngritur kohë më parë. Jo dhe aq ngaqë shefi i OSBE-së në Tiranë deklaroi se kasetat e gatshme edhe mund të jepen, por edhe mund të mos jepen, por se shumë shpejt ka për të dalë problemi i “balancimit të fushatës”…Pas shkeljes së “balancimit” do të hyjë në lojë jo vetëm bordi i monitorimit i KQZ-së, por edhe KRTSH-ja që do të vërë gjoba dhe ndëshkime “ligjore”… Kështu, nëse kandidati i PD-së, Basha, si po thuhet, nuk do të lejojë filmime nga operatorë të dyshimtë e të padëshiruar prej shtabit të tij, pasqyrimi i fushatës në Tiranë do të quhet i pabalancuar, pra edhe humbja e tij do t’i faturohet “mediave të shitura”…
E po ndodhi kjo, Berisha do të ringjallë “terrin informativ”, “censurën komuniste”, “këlyshët e bllokmenëve të korruptuar” etj, etj…Shenjën e parë të këtij reagimi ai e dha nga tribuna e një periferie, edhe pse tash është pronar i pashpallur e fuqiplotë i disa mediave private e sidomos i megafonit më të shpërfytyruar, i të ashtuquajturit RTSH publik, – për të cilin ne jemi të detyruar të paguajmë taksë vjetore, edhe pse është katandisur më keq se një lëvere, më përzishëm edhe nga koha kur Berisha ishte President, kur doli shprehja: “Amani more, na hiqni Salën na televizori se po na tremben fëmijët në gjumë!” Prandaj lufta për të pushtuar pasqyrën mediatike ka për të qenë një betejë e vështirë, tepër e kushtueshme, e sofistikuar, diabolike, sepse etja, padurimi, pangopësia dhe gara e shfrenuar e krerëve për t’u parë sa më shumë në “pasqyrë” ka kapur kulmin në këtë fushatë zgjedhore.
Aq të pangopur janë me veten në pasqyrë, sa tani krerët dalin vetë nëpër tribuna, të pashoqëruar as nga ndihmësit e tyre më të afërt! Nuk e durojnë dot hijen e tjetrit, nuk duan të ketë një të dytë apo të tretë, nuk dëgjojnë kurrë ata që takojnë, dëgjojnë vetëm zërin e tyre, pasqyrimin e fytyrës së tyre, hiqen sikur kanë shkuar për dialog me popullin, teksa bëjnë monolog para kamerave e mikrofonave. Nuk ka rëndësi ç’thonë, nuk ka rëndësi nëse përsëritin të njëjta fjalë dhe “argumente”, rëndësi ka që shihen në “pasqyrë” disa herë në ditë!Ky është thelbi e qëllimi i kësaj fushate! Sa më shumë mitingje, sa më shumë pjesëmarrës, qofshin të paguar, sa më tepër klithma entuziaste, postera, flamurë që tunden e shkunden para kamerave, makina kuturulëvizëse me portrete kandidatësh që buzëqeshin kotnjasikoti rrugëve të Shqipërisë, aq më e garantuar do ta jetë lavdia e rrjedhimisht edhe fitorja!
Sepse besohet që populli sylesh e barngrënës do të detyrohet të thotë me vete: derisa filan kandidat a kryetar partie e ndjekin kaq shumë njerëz, e duan aq shumë përkrahës, sa nuk i përmbajnë dot klithmat e lotët, duke u puthur, si një shenjtori, edhe duart, derisa banorët duken aq të gëzuar që po e shohin e dëgjojnë udhëheqësin live, atëherë ky/ata lipset të jenë më të mirët!
* * *
Nuk ka gjë më rutinore dhe më të rëndomtë se skema e një kronike të një udhëheqësi në fushatë: i mallosur ky zbret “në bazë” të kuvendojë me popullin, del vrullshëm nga makina, ndërsa populli që tregohet se mezi pret ta shohë e ta prekë; plani tjetër: udhëheqësin shtrëngon duart me popullin, përqafon një fëmijë e një të moshuar e… e pastaj ngjitet turrshëm në tribunë, me atë buzëqeshjen e sforcuar që i ngjan një grimase standarde…
I njëjti zë i ngjirur, prej njëzet vitesh do të përmendë sukseset e begatinë që na ka sjellë (përmbysjen e komunizmit, futjen në NATO, heqjen e vizave, rritjen e pensioneve e pagave, rrugët e shtruara e ato që do të shtrohen, tunelet, moshën e internetit…etj, etj); e pastaj një sulm asgjësonjës ndaj “armiqve” të partisë… Askush nuk dëgjon ç’thuhet, askush nuk kupton asgjë, të gjithë ulërijnë…derisa udhëheqësi largohet nga duart që duan të mos e lëshojnë…
Në botën e sotme kështu ndiqen vetëm artisët, staret. Popstaret… Falë internetit dhe teknologjisë, lajmet e këtushme i ndjekin më shumë e më shpejt se ne ata shqiptarë që janë jashtë Shqipërie. Kjo do të thotë që një mesazh, një informacion, një platformë, një ide, një projekt, një debat, një alternativë mund të përcillen më kollaj nëpërmjet botës së internetit e televizionit se sa nëpërmjet tubimeve nëpër zgëqe, ku nuk vepron komunikimi, ku veshi e syri nuk i përcjellin trurit asnjë ide, por vetëm zallamahi, ku është e pamundur të bëhet dialog nga tribunat…
Takimet elektorale me popullin në këtë kuptim janë pa asnjë vlerë. Ndryshe nga fillimet e demokracisë, takimet elektorale besoj se nuk ndikojnë te votat, te bindjet e njerëzve, sepse sot rrallëkush ndryshon drejtimin e votës së tij “meqë erdhi e na foli vetë udhëheqësi”, apo me që “na shkeli në konak e na kërkoi besën”…Tekefundit, takimet janë përsëritje e bukurilustruar e një kohe të perënduar, kur nuk kishte mjete komunikimi, as TV, as radio, as telefon, e kur, regjimet totalitare, nazizmi e më pas komunizmi, përdornin sheshet e rrëmbushura dhe entuziazmin e masave për të provuar mbështetjen dhe dashurinë e papërshkruar të popullit punonjës për krerët…
Ndaj nisma për të refuzuar kasetat e gatshme, për të pasqyruar mëvetësisht veprimtaritë politike të partive edhe pse tregon rritjen e përgjegjësisë së mediave, por nuk do të jetë një punë e kollajtë, si u pandeh në fillim. Sepse në Shqipëri asnjë pushtet, as ai mediatik, (i cili, duhet pranuar, e ka të vështirë të jetë plotësisht i pavarur nga partitokracia, nga qeveria, nga taksat, tatimet, nga klanet, nga reklamat e përfitimet apo edhe nga trafiqet e influencës), nuk mund të përballet gjatë me oligarkitë partiake dhe krerët e tyre fuqiplotë!
Ja përse, pavarësisht nga efektet e dritës dhe të hijes, nga krizat dhe nga hallet e një shoqërie, “pasqyra” do të detyrohet të tregojë jo atë fytyrë që ke, po atë fytyrë që dëshiron të kesh…Përndryshe, “pasqyra” që nuk pranon të bëjë lojën e vjetër të manipulimit e prostituimit, në mos do të thyhet, duhet të plasaritet, në mos do të plasaritet, do të njolloset, në mos po duhet të bëhet konkave që të mos e tregojë mbretin lakuriq…
Ky është thelbi i asaj që po ndodh këto ditë në KQZ!