Përse quajnë “vrasës” Fatmir Mediun!

0
37


Nt: Në këtë pikë Fatmir Mediu duhet të imitonte Sali Berishën dhe Ilir Metën. Duhet të hiqte portretin e tij nga autostrada duke vështruar buzagaz varrezat e Gërdecit. Duhet ta hiqte ashtu siç ka bërë Berisha dhe siglën e partisë së tij, që është bërë modeli i partisë sharlatane në këtë vend. Duhet të bënte minimumi siç bën Sali Berisha dhe Ilir Meta. Historia nuk është një beze që ngjyroset nga dizajnerat e fushatave elektorale, por një gur ku lënë shenjë gjërat e forta

Nga Mero Baze

Posterat e Fatmir Mediut janë prishur duke ngjitur mbi të letrën “vrasës”. Ky është një nga lajmet e shumtë për incidentet elektorale, për të cilat formalisht duhet të shqetësohemi. Por, ndryshe nga lajmet e tjera për incidente, ky është dhe një lajm pozitiv, që na bën të mendojmë se opinioni publik ende nuk ka vdekur. Atë që nuk e bën dot opozita dhe drejtësia, kujtohet dhe e bëjnë disa aktivistë të të drejtave të njeriut.

Por, përveç kësaj duket se ka një dhe një arsye tjetër perse njerëzit janë xhindosur pikërisht me Fatmir Mediun. Shumë shqiptarë, për të mos thënë të gjithë shqiptarët, edhe pse e quajnë përgjegjës Fatmir Mediun për tragjedinë e Gërdecit, nuk e konsiderojnë atë fajtor për tragjedinë. Në koshiencën e opinionit publik Fatmir Mediu përbuzet, pasi nuk them dot urrehet, për faktin se ka shërbyer si një maskë e fajtorëve të vërtetë të tragjedisë që janë në familjen e kryeministrit.

Ndaj Fatmir Mediut ka një ndjenjë të përzjerë përçmimi dhe bezdie që nuk ka të bëjë me atë çfarë bën mirë apo keq, por me atë përse po përdoret në politikën shqiptare. Shqiptarët janë realisht të zemëruar me Sali Berishën dhe politikën e tij, pasi ai ka prodhuar këtë situatë kur shteti është faktikisht në duart e fëmijëve të tij.

Për të marrë një licencë hidrocentrali, fabrike çimentoje, parku energjetik, parku turistik, deri dhe fidanë ulliri për të mbjellë në kopshte, duhet të kalosh nga njerëzit e djalit apo vajzës së tij. Vendi ka rënë papritur viktimë e një sistemi që ka fuqizuar, qoftë dhe si mit, fuqinë e familjes së kryeministrit. Dhe aq urrejtje sa ka për çdo gjë që shkon keq lidhet me ta. Fatmir Mediu, ashtu siç e thotë dhe vetë tavolinave, po sakrifikon për ta.

Po përse zhgarravitën pikërisht posterat e tij?
Këtu përgjigja është e thjeshtë. Fatmir Mediu si zakonisht është i fundit që e kupton sa keq i ka punët pushteti. I pari që e kuptoi në këtë fushatë elektorale se pushteti i ka punët keq me popullin ishte Sali Berisha. Ai u zhduk nga fushata elektorale në Tiranë, zhduku portretin e tij nga posterat e PD, bile shkoi dhe më në ekstrem, zhduku dhe siglën e PD nga posterat. Qysh nga 31 marsi i vitit 1991 kjo është fushata e parë elektorale ku Partia Demokratike nuk ka siglën e saj në postera.

Sali Berisha është politikani i parë që kuptoi se partia e tij dhe ai vetë urrehen nga shqiptarët, dhe sidomos nga kryeqyteti. Dhe u zhdukën. Hoqën fytyrën dhe shenjat e tyre nga rrugët gjatë fushatës elektorale. I dyti që e kuptoi këtë ishte Ilir Meta. Ai hoqi portretin tij nga ekranet dhe posterat. Nuk shfaqet askund a thua se është fshehur diku në malet e Skraparit. Nuk bën fushatë personale, nuk del në publik. Fshihet se e ka kuptuar se njerëzit nuk e duan.

I vetmi donkishot në këtë histori mbeti Fatmir Mediu. Ngaqë beson atë që thotë vetë se ai Gërdecin e bëri si nder për djalin e kryeministrit, mendon se shqiptarët nuk e kanë marrë inat. Dhe guxon të bëjë postera me fytyrën e tij duke qeshur dhe i vendos bash në Gërdec me fytyrë nga varrezat e 26 viktimave, që ka varrosur me papërgjegjshmërinë e tij.

Vendos postera me siglën e partisë së tij që shet gjithçka dhe betohet për Atdheun. Kjo e ekspozon atë në raport me dy fajtorët kryesorë të këtij vendi, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Kjo e bën atë viktimë të valës së zemërimit populist në vend dhe e bën objekt të asaj fushate denigruese të padrejtë, por shumë popullore kundër tij. Mendjelehtësia paguhet dhe ai po paguan pikërisht çmimin e mosnjohjes së realiteti të vendit që ka në shoqërinë shqiptare.

Ai mund të bëjë miliona, siç ka bërë, mund të hapë dhjetëra biznese të tjera jo vdekjeprurëse, mund të vërë syze dhe të duket intelektual, bile mund të fillojë të lexojë dhe libra, por ai e ka gdhendur portretin e tij tek shqiptarët. Është vonë të ndryshojë diçka. Ai dhe Lulëzim Basha, deri në momentin që do të gjykohen nga drejtësia, prej së cilës janë shmangur njëri me procedurë e tjetri me imunitet, janë vrasës dhe hajdutë të paragjykuar nga opinioni publik. Kur të gjykohen dhe të dalin të pafajshëm, do jetë debat tjetër.

Në këtë pikë Fatmir Mediu duhet të imitonte Sali Berishën dhe Ilir Metën. Duhet të hiqte portretin e tij nga autostrada duke vështruar buzagaz varrezat e Gërdecit. Duhet ta hiqte ashtu siç ka bërë Berisha dhe siglën e partisë së tij që është bërë modeli i partisë sharlatane në këtë vend. Duhet të bënte minimumi siç bën Sali Berisha dhe Ilir Meta. Historia nuk është një beze që ngjyroset nga dizajnerat e fushatave elektorale, por një gur ku lënë shenjë gjërat e forta.

Fatmir Mediu ka lënë në këtë vend 26 gurë varresh dhe përballë kësaj kujtese kolektive nuk mund të na nxjerrë si bezen e kuqe demave, posterat e tij elektoral, ashtu buzagaz, me fjalë të shenjta për atdheun dhe një patetizëm neveritës. Është kjo arsyeje përse ndaj tij ka një reagim dramatik dhe njëkohësisht të mbingarkuar me një urrejtje që nuk i drejtohet vetëm atij, por dhe atyre që janë fshehur.