Importi i votave në zonën e tmerrit, ja si ‘fiton’ PD-ja në Gërdec

0
32


Luis Tanushi, 28.04.2011

Pyetja është shtruar nga shumëkush, pas deklaratave të Sali Berishës se në 2009, pra një vit pas tragjedisë së Gërdecit, gërdecarët votuan për të. Po cila është përgjigjja e kësaj pyetje? Shifrat duket se i japin të drejtë Berishës, mirëpo a është e mundur të votohet për dikë, e njëkohësisht të protestohet vazhdimisht kundër tij, siç bëjnë sot e kësaj dite familjarët e viktimave të Shpërthimit në Gërdec?

E pra, situata nuk është aspak paradoksale. Po, Partia Demokratike mund të fitojë në Gërdec, bashkë me aleaten e saj, Partinë Republikane të Fatmir Mediut, që sipas familjarëve të viktimave është përgjegjës i drejtpërdrejtë për shpërthimin tragjik në Gërdec. Aleanca Berisha-Mediu etj. madje mund të fitojë sërish, edhe në zgjedhje lokale të 2011.

Nuk ka nevojë të binden banorët se fajin nuk e ka Berisha apo Mediu, madje nuk ka rëndësi fare se ç’mendojnë ata. Fitorja e së djathtës është e garantuar përmes “importimit” të votave nga zona të tjera elektorale.

Gërdeci është një fshat brenda territorit administrativ të “Bashkisë Vorë”, që aktualisht drejtohet nga kryebashkiaku demokrat Fiqiri Ismaili. Përveç problemeve të shkaktuara direkt prej shpërthimit, banorët e zonës dhe familjarët e viktimave janë ankuar dhe për menaxhimin e fondeve të ndihmave për këto familje.

Sipas tyre, këto fonde janë shpërndarë e vijojnë të shpërndahen nga zoti Ismaili në mënyrë abuzive, duke favorizuar klientelën e farefisin e vet, dhe duke blerë vota me ato para që do të duhet të rikthenin sadopak shpresën tek këta qytetarë. Megjithatë, siç duket, Fiqiri Ismaili nuk ka pse të shqetësohet. Ai e nis garën e vet për Bashkinë e Vorës me rreth 500 vota avantazh.

Këshilltarët e Partisë Socialiste në Bashkinë e Vorës kanë dërguar pranë Bashkisë një kërkesë, me datën 11 mars 2011, ku kërkojnë sqarim prej Bashkisë mbi vendbanimin e një liste të identifikuar me 262 votues.

Sipas përfaqësuesve të PS-së, asnjë prej këtyre nuk banon në Vorë, as përkohësisht, pra as me qira. Në një kërkesë të dytë, këshilltarët opozitarë kërkojnë informacion edhe për vendbanimet e 220 votuesve të tjerë.

Mirëpo Bashkia e Vorës u ka kthyer përgjigjen që mban numrin e protokollit 424/1, dhe thotë se këto të dhëna, sipas ligjit “Për Gjendjen Civile” kanë karakter personal, pra nuk mund t’i jepen të tretëve. Nga ana tjetër po të njëjtit ligj i referohen dhe këshilltarët, që kërkojnë të vendosen në dijeni të dokumentave të vendbanimit, që kanë për detyrim të paraqesin votuesit kur ndryshojnë adresën.

Votë në këmbim të vendit të punës

Situata duket e tensionuar. Sipas një hulumtimi të gazetarëve të “Shekullit” rezulton që në listën e të dyshuarve të jenë edhe kushërinj e të afërm të vetë kryebashkiakut demokrat të Vorës, por shumicën e këtyre votuesve të panjohur e përbëjnë punonjës të firmës së tregtimit të materialeve bujqësore, “Agroblend”.

Kështu, banorë të përhershëm të komunave përreth, po edhe të vendeve të largëta, si Kukësi, Lushnja, Këlcyra e Korça, votojnë në Vorë. Ata nuk kanë asnjë kontratë qeraje, apo pronësi banese në qytezën pranë Tiranës, e gjithsesi votojnë aty. Kryesisht janë të punësuar në filiale, apo në firma që kanë lidhje direkte me “Agroblend”, një kompani që për pronar ka vetë Fiqiri Ismailin, kryetarin e Bashkisë së Vorës.

Importi i votuesve është një fenomen shqetësues, jo vetëm pse shformon vullnetin e qytetarëve, por edhe pse, në një rast të tillë, shkel të drejtat e punëtorëve të kësaj kompanie private, të cilët trajtohen si skllevër, duke u blerë dhe votat në shkëmbim të vendeve të punës.

Në një njësi administrative si Vora, diferencën mes fituesit dhe humbësit e bëjnë disa qindra vota. Ta nisësh garën me një avantazh prej afër 500 votash, do të thotë ta kesh atë të fituar që në fillim. Dhe kjo mund të jetë arsyeja e vërtetë se pse në Gërdec, edhe pas shpërthimit që mori jetë të pafajshmish, edhe pas një procesi hetimor e gjyqësor të zvarritur e të montuar që ende nuk e ka vënë gishtin te fajtorët për këtë tragjedi, vazhdon të fitojë pala që në të njëjtën kohë akuzohet si shkaktare.

Posterat e Mediut përmbysin Gërdecin

Posterat dhe billboardet me fytyra e slogane politikanësh kanë mbushur rrugët e Shqipërisë, ndërkohë që fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit ndizet gjithnjë e më shumë – falë incidenteve e aksidenteve që nuk po mungojnë, ditë pas dite, por sidomos falë provokimeve të hapura e të fshehura që duket sikur po përgatisin një atmosferë të helmatisur, terren për trazira.

Një prej këtyre provokimeve duket se është Gërdeci, ky fshat, a lagje që voton për Bashkinë Vorë, territor i mbushur me foto të stërmëdha të Fatmir Mediut, i cili ka qenë ofiqari i Ministrisë së Mbrojtjes në 15 mars të 2008, kur ndodhi shpërthimi famëkeq që mori dhjetëra jetë njerëzish, shkatërroi miliona euro prona dhe nxiu një herë e mirë jetët e shumë prej atyre që i mbijetuan tragjedisë të gjymtuar, ose atyre që humbën familjarët.

Nuk ka ndonjë arsye për këtë bombardim të Gërdecit me material propagandistik nga ana e Mediut, po të përjashtosh këtu impulsin e vrasësit që kthehet në një mënyrë ose në një tjetër në vendin e krimit, siç e përshkruan Dostojevski. Mirëpo rasti i prozatorit rus është pak ndryshe, sepse krimineli i tij e gjen një ndëshkim.

Bashkia “moderne” e Vorës rikonstruktohet çdo vit

Vora, në modestinë e vet nuk është një njësi administrative e parëndësishme. E shtrirë në një territor goxha të gjërë, Bashkia e Vorës grumbullon të ardhura e tatime nga një pjesë e mirë e bizneseve dhe industrive të vendosura përbri autostradës “Tiranë-Durrës”.

Natyrisht, përveç të ardhurave, kjo Bashki miraton leje e liçensa për të ndërtuar në një zonë me interes, shumë pranë Tiranës, pra kuptohet që përbën një objektiv tepër interesant për pushtetin. Vitet e fundit Vora është administruar nga Fiqiri Ismaili i Partisë Demokratike, që ka pretenduar se e ka kthyer Vorën në një “Bashki Moderne”.

Arsyeja pse quhet “Bashki Moderne” mund të vijë dhe nga fakti që ndërtesa e bashkisë “rinovohet” vit për vit, me fonde jo shumë të vogla. Këto janë disa nga të dhënat mbi administrimin e Bashkisë Vorë:

1. Plani i të ardhurave për vitin 2010 ka qenë 268.726.579 lekë, 40% e të cilave janë shpenzuar për të mbyllur investimet e parashikuara për 2009, por të parealizuara në afat.

2. Fondi i administratës së Bashkisë Vorë në vitin 2010 ka qenë 61.385.229 lekë, sepse kjo Bashki “moderne” e aspak modeste, ka 135 punonjës, aq sa mund të krahasohet me qytete të mëdha të Shqipërisë.

3. Për pastrimin e qytetit të Vorës në 2010 janë shpenzuar vetëm 4.800.000 lekë.

4. Për komunikim me celular nga administrata e bashkisë janë shpenzuar 900.000 lekë.

5. Për karburant janë shpenzuar 3.970.000 lekë

6. Për internet, nga bashkia Vorë është shpenzuar një shumë prej 2.900.000 lekë.

7. Në vitin 2008 rikonstruksioni i Bashkisë së Vorës ka kushtuar 6.000.000 lekë.

8. Në vitin 2009 rikonstruksioni i Bashkisë së Vorës ka kushtuar 32.000.000 lekë.

9. Në vitin 2010 rikonstruksioni i Bashkisë së Vorës ka kushtuar 7.851.746 lekë.

10. Po në vitin 2010 është miratuar për rikonstruksion fondi prej 13.409.374 lekë.

11. Në 2010 janë shpenzuar 1.000.000 lekë për të ndërtuar banjo publike, edhe pse qyteti sot e kësaj dite nuk ka të tilla.

Galeri foto: Lista me emrat dhe vendbanimet e personave që nuk banojnë në Vorë, por votojnë atje.