Diferenca mes familjes evropiane dhe Familjes Berisha

0
46

Mero Baze

Nga Mero Baze

Aldo Bare, një i superakuzuar nga drejtësia për krime që kanë të bëjnë me periudhën pas vitit 1997, kryesisht në Lushnjë, po zhvillon një betejë ligjore, e cila mund t’i pushojë atij akuzat e ngritura, nëse gjykatat do të veprojnë me të njësoj sikurse vepruan me Lulzim Bashën. Precedenti që po përdor i superakuzuari i Lushnjës, të cilin Berisha ka qejf ta përmendë, dhe si sukses të tij, dhe si akuzë për kundërshtarët, nëse vihet para kritereve të njëjta me ministrin e Oborrit, Lulzim Basha, atëherë çështja penale në ngarkim të tij duhet të pushohet. Sipas avokatëve të tij mbrojtës, kanë kaluar afatet e hetimit dhe si rrjedhojë ai duhet të lirohet. Ky është pikërisht precedenti që kryeministri, Sali Berisha, dhe avokatët e tij mbrojtës përdorën për të mbyllur një çështje të nxehtë financiare, gjurmët e së cilës mund të na çojnë te “thesari i fshehur” i familjes Berisha në Turqi. Pra, argumentin më të fortë që ka në favor të tij sot Aldo Bare, arrestimin e të cilit Berisha ka qejf ta lakojë si heroizmin e tij më të madh në pushtet, është argument i dhënë nga Sali Berisha dhe presionet e tij mbi drejtësinë për të pushuar çështjen ndaj Lulzim Bashës, gjurmët e së cilës e çonin hajdutin në Familjen Berisha.

Tashmë ne jemi para dilemës, nëse do të kemi një sistem drejtësie të njëjtë për të gjithë të dyshuarit për krime, qofshin këta ministra apo kriminelë ordinerë, apo do të kemi dhe të dyshuar të ndarë në klasa. Pikërisht dilema e të shtruarit të kësaj pyetjeje i vë kryqin sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe nxit institucionet ndërkombëtare të ngrenë zërin përditë për ndarje të drejtësisë nga politika dhe shmangie të presioneve mbi të. Nëse do më pyesnin mua, ç’duhet bërë në këtë rast, natyrisht do të thosha që duhet të anulohet vendimi për Lulzim Bashën dhe duhet të futet ai në burg, por kjo është një këshillë që bie në vesh të shurdhër dhe me këtë kriter i bie që Sali Berisha, jo vetëm që nuk e ka arrestuar Aldo Baren, por e ka larë atë përfundimisht dhe nga akuzat, pasi i ka krijuar precedentin e nevojshëm që ai dëshiron për të dalë në liri.

Por jam i sigurt se drejtësia shqiptare nuk do të bëjë, as si dëshiroj unë, që dua ta shikoj Lulzim Bashën në gjykatë, as si dëshiron avokati i Aldo Bares, që dëshiron ta shikojë klientin e tij të lirë si Lulzim Bashën. Gjykatat tona, edhe në këtë rast, do të veprojnë ndryshe për njërin e ndryshe për tjetrin dhe kjo natyrisht është një dëshmi e standardit të tyre të dyfishtë.

Por, përtej fajësisë së gjykatave, në këtë rast duhet parë dhe mentaliteti antiperëndimor i kreut të pushtetit ndaj drejtësisë. Shumë kolegë të mi shpesh e thonë me mërzi punën e hapave të Shqipërisë drejt Evropës si çështje racizmi ndaj shqiptarëve, duke dhënë si argument Serbinë apo Maqedoninë, thuajse të ngjashme. Në të vërtetë nuk ngjajmë aspak, nëse i referohemi respektit që liderët e këtyre vendeve dëshmojnë për drejtësinë. Ne pamë javën e kaluar se si një gjykatë në Serbi dënoi me një gjobë prej 700 eurosh presidentin Tadiç, pse kishte pirë një gotë shampanje nga gëzimi në stadium, një gëzim i përligjur si tifoz dhe president i vendit të tij. Në të vërtetë zoti Tadiç u paraqit në gjykatë, pranoi dënimin dhe kërkoi ndjesë. Ndaj kryeministrit tonë vetëm ditët e fundit janë depozituar 5 padi në Gjykatën e Tiranës dhe disa tentativa për t’i bërë padi penale në Prokurorinë e Tiranës. Prokuroria nuk ka pranuar asnjë padi, për shkak se ai ka imunitet, ndërsa Gjykata ka pranuar paditë civile, për të cilat Berisha nuk paraqitet kurrë në Gjykatë. Për një lider në pushtet si ai, është e papërfytyrueshme shkuarja në Gjykatë dhe respektimi i sistemit të drejtësisë, nëse gjërat shkojnë kundër tij. Mjafton ky shembull për të kuptuar diferencën që ekziston mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë në raport me Perëndimin, edhe pse nga retorika Sali Berisha hiqet si properëndimor dhe serbët si antiperëndimorë. Në të vërtetë Perëndimi nuk është gjeopolitikë, por mentalitet dhe respekt ndaj shtetit ligjor, dhe kryeministri i vendit tim e rrezaton diferencën që ka mentaliteti perëndimor në çdo gjest, në çdo veprim politik dhe në çdo lëvizje politike.

Dhe si për ta mbyllur me këta shembuj ilustrues, mjafton të kujtojmë se dy ditët e fundit, liderët në Bruksel, duke përfshirë ministrin e Jashtëm suedez, Karl Bildt, apo Olli Rehn, kanë bërë thirrje për dialog politik në vend dhe zgjidhje evropiane të krizës, dhe pikërisht pas atyre thirrjeve ne kemi parë kryeministrin tonë të regjistrojë një deklaratë gjatë natës në një sallë bosh pa gazetarë dhe t’ua shpërndajë të nesërmen gazetarëve si kasetat e Bin Ladenit, për të fyer opozitën dhe për të koncentruar gjithë sharjet e mundshme ndaj saj. Kaq mjafton për të kuptuar se ky njeri përfundimisht bën diferencën mes Familjes evropiane dhe një shteti të falimentuar për shkak të kapjes së tij nga pushteti personal i një Familjeje joevropiane.