Intelektualët dhe Hegjemonia e Së Keqes

0
36


Bledar H. Prifti

Komentatorë, analistë, dhe mendimtarë të pushtetit na ofrojnë opinionet dhe mendimet në lidhjen me përplasjen Rama-Basha. Si një kor zhabash, çuditërisht, tinëzisht, dhe djallëzisht, fokusohen dhe kërkojnë të orientojnë vëmendjen e opinionit publik tek pseudoprogramet e kandidatëve. Dikush me të drejtë do të thojë se përse është e “çuditshme” apo “djallëzore” të debatohet për programet e paraqitur nga kandidati i perhershëm Lulzim Basha? Në Shqipërinë tonë është e çuditshme të diskutohet për programe politike pasi të gjithë e dimë mirë se programet janë përralla përmes së cilave synohet të mashtrohet djallëzisht opinioni publik.

Është e “çuditshme” pasi nuk mund të diskutohet për programe në një kohë kur për njëzet vite me radhë na janë paraqitur programe se si të vjedhësh dhe vrasësh sa më shumë. Na treguan programe në zgjedhjet e 2009-ës dhe në vitet që pasuan të gjithë pamë publikisht se si vidheshin, çnderoheshin, dhe vriteshin Shqiptarët nga qeveritarët dhe mercenarët e tyre.

Për njëzet vjet me radhë na kanë rjepur të gjallë (dhe vrarë) ku dhe si të mundnin. Është djallëzore pasi qëllimi kryesor i këtij pseudodebati mbi programet nuk është gjë tjetër por një tentativë për të mbuluar vjedhjet dhe krimet e bëra kundër këtij populli. Kjo është një tentativë djallëzore për ta mbuluar ujkun me lëkurë qengji dhe për ta bërë shejtanin të duket si ëngjëll në sytë e popullit. I vetmi program që i duhet Shqiptarëve është demokracia dhe drejtësia sociale në çdo sferë të jetës politike dhe sociale. Të gjitha të tjerat vijnë natyrshëm!!!

Por këtë program nuk mund ta hartojnë apo zbatojnë ata pushtetarë që për njëzet vite me radhë kanë hartuar dhe egzekutuar programe padrejtësish, vjedhjesh, dhe vrasjesh. Këtë program nuk mund ta bëjnë ata që në zgjedhjet e 2009ës na propoganduan programin e parajsës dhe për vitet që pasuan i zhytën Shqiptarët në llumin e baltës, turpit, dhe gjakut.
Këtë program sot nuk mund ta hartojë apo zbatojë dot sot as Sali Berisha, as Fatos Nano, dhe as Ilir Meta. Këtë program nuk mund ta hartojë apo zbatojë dot as pjella e tyre artificiale—Lulzim Basha—dhe as nuk mund ta kontrollojnë apo aprovojnë dot disa zorzopë pseudo/palointelektualë pa integritet dhe dinjitet human.

Në të vërtet, Lulzim Basha nuk ka fare të bëjë me zgjedhjet e 8 Majit. Ai është thjesht leva e vetme dhe e fundit e ngelur për të ndalur vdekjen politike/sociale të treshes Berisha-Nano-Meta dhe të kopesë që ata përfaqësojnë. Si i tillë, Basha gëzon mbështetjen e të gjithë kastës së hajdutëve dhe vrasësve të ndërtuar këto njëzet vjet nga pushtetet e Berishës, Nanos, dhe Metës. Këtë kastë hajdutësh dhe vrasësisht e shikojmë kudo dhe në çdo lloj formash. Në formën më të ndyrë dhe djallëzuar (dhe të bërë publike këto vitet e fundit) futen ata që i shërbejnë pushtetit të kusarisë fshehtazi dhe në mënyra të kamufluara.

Këta birbo, që i përmëndëm pak më lartë, në dukje shfaqen dhe pretendojnë të jenë të pavarur, por përbrënda ata janë mercenarët më të devotshëm dhe të paskrupult të pushtetit. Këta janë “intelligentsia” tek e cila lidh fatin e tij çdo pushtet totalitar dhe autokratik, dhe anasjelltas (intelligentsia nuk do të mund të jetonte pa këto soj pushtetesh). Përmes intelligentsias, pushtetet diktatoriale kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të legjitimojnë pushtetin e tyre. Përmes mercenarizmit të “intelligentsias”, regjimi/pushteti i Tiranës kërkon të legjitimojë çdo lloj çnderimi të Shqiptarëve si në rastin Pango, të legjitimojë çdo vjedhje/kusari si në rastin e zvkryeministrit hajdut, Ilir Meta, dhe të legjitimojë çdo vrasje të Shqiptarëve nga pushteti i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.

Për sa më sipër, përplasja midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nuk është një përplasje e radhës për pushtet. Ajo nuk është kurrsesi një betejë lokale dhe as nuk mund të jetë një betejë politike. Përplasja Rama-Basha është kulmimi i një lëvizje sociale e nisur kohë më parë nga Edi Rama (mbase në mënyrë të pavetdijshme) dhe që synon jo vetëm ndryshimin e politikbërjes por edhe shkatërrimin e hegjemonisë së antivlerave që kanë legjitimuar për vite me radhë kusarinë dhe barbarinë e njërëzve të veshur me pushtet. Ajo është një përplasje midis një klase të re politike që kërkon demokraci dhe drejtësi sociale dhe klasës së vjetër politike që ka vjedhur e vrarë Shqipërinë dhe Shqiptarët për njëzet vjet me radhë. Ndonjë zorzop do të shprehej tinëzisht me djallëzi se Edi Rama është pjesë e klasës së vjetër politike.

Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Këta zorzopë duhet t’i tregojnë popullit të vërtetën se Edi Rama kurrë nuk ka pasur postin e Presidentit, Kryeministërit, Ministrit të Rendit, Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Ekonomisë apo Financës, apo ndonjë post tjetër që ka pasur në dorë ekonominë, jetën, dhe fatin e Shqiptarëve dhe Shqipërisë. Edhe në Bashkinë e Tiranës, dje Edi Rama kontrollohej dhe limitohej në punën e tij nga mercenarët e Fatos Nanos në Këshillin Bashkiak kurse sot ai dhe populli i Tiranës persekutohen nga mercenarët e Sali Bershës dhe Ilir Metës deri në atë pikë sa nuk miratohet dot as buxheti për qytetarët e Tiranës.

Beteja e 8 Majit nuk ka filluar tani apo këto dy vitet e fundit. Kjo betejë ka filluar që në vitin 1990 kur një sekretar i Partisë së Punës, Sali Berisha, u inflitrua nga kasta komuniste e athershme në krye të lëvizjes antikomuniste dhe kur Shqipëria dhe politika Shqiptare pësoi një transformim fallco, duke u shndërruar nga pronë e Ramiz Alisë në pronë të Sali Berishës dhe Fatos Nanos. (Rastësisht apo jo, edhe beteja e Edi Ramës kundër Sali Berishës ka filluar në vitin 1990 kur Rama e akuzonte Berishën për spiun të sigurimit të shtetit dhe agjent të shërbimeve sekrete të një shteti fqinj.)

Dhe ashtu siç duhej të pritej, ndryshimi i sistemit politik duhet të kishte sjellë një ndryshim rrënjësor në filosofinë e të bërit politik dhe në tërësinë e vlerave që do të udhëhiqnin shoqërinë tonë. Por kjo gjë nuk ndodhi. Shoqëria shqiptare vazhdon të gjendet sot e kësaj dite nën diktatin e hegjemonisë së antivlerave të cilat përbuzin dinjitetin human dhe legjitimojnë vjedhjen, çnderimin, dhe vrasjen e Shqiptarëve të thjesht dhe të ndershëm në të njëjtën mënyrë si gjatë regjimit komunist.

Sot beteja nuk bëhet thjesht kundër Sali Berishës, Fatos Nanos, dhe Ilir Metës pasi këta janë thjesht egzekutues. Koha ka treguar se gjithsecili nga këta syresh mund të “bjerë si kovë pusi” brënda disa ditësh apo javësh nga pushteti. Beteja jonë reale dhe më e rëndësishme është ajo kundër pseudointelektualëve dhe hegjemonisë së antivlerave që ata promovojnë midis nesh. Ajo është gjithashtu një betejë kundër skepticizmit, apatisë, injorancës, dhe naivitetit që karakterizon pjesën tjetër.

Nëse kjo betejë fitohet, atherë, asnjë nga ne nuk ka arsye se përse të marrin rolin e Nostradamusit apo të friksohet nesër nga ardhja në pushtet e Edi Ramës apo kujtdo tjetër. Fundja, politika nuk është gjë tjetër por një shpërndarje autoritative e vlerave të shoqërisë. Nëse do të arrijmë që në 8 Maj të shkatërrojmë hegjemoninë e antivlerave të promovuar nga klasa e pseudointelektualëve shqiptarë, atherë politika e mëvonshme do të jetë një politikë që do të bëjë shpërndarjen e vlerave të shoqërisë të cilat do të promovojnë dhe mbrojnë së paku respektin për jetën dhe dinjitetin human.