LULI TRANSFORMERS

0
42


Sokol Balla

Po i afrohemi zgjedhjeve më të vështira ndonjëherë. Paradoksalisht, më të shqetësuar jemi ne, se politikanët. Qeveria thotë një gjë e bën një tjetër, ndërsa opozita ka zgjedhur përgjigjen më të thjeshtë: dhëmb për dhëmb. Dhe justifikimin e ka në majë të gjuhës: dakort, po a ka rrugë tjetër?
Për fat të keq, ndruaj se nuk ka. Shikoni ata institucione që duhet të na garantojnë jastëkun në mes të palëve. Ministri i brendshëm në detyrë i kërkon një polici të mbledhë policë të tjerë dhe “t’i shtypë” kokën simpatizantëve të një partie – që se si qëllon gjithmonë të jetë e opozitës. KQZ është bërë institucioni më bajat i militantizmit politik, duke mos ruajtur asnjë element surprize për çfarëdo idiotizmi që do të kthejë në vendimmarrje në ditët e javët e ardhshme.

Ka ngritur dhe këtë komisionin Bashir që kontrollon mediat e reklamat, e pak ditë më parë deshën të gjobisin gjithë televizionet që nuk kishin transmetuar kasetat e Lulit, dhe pse kishin transmetuar reklamën Kush është Luli? (apo Luli Transformers siç po njihet në zhargonin popullor). Dhe ajo që të vjen plasja, është se kujtojnë se i bëjnë mirë Lulit dhe PD! Po ndërkohë i bëjnë veçse keq. Tentativa për të bllokuar reklamën Luli Transformers në fakt zyrtarizoi suksesin e saj, kur zarat e dorës së tretë të pushtetit, kërkuan bllokimin e saj “se dëmton kundërshtarin”.

Jo ore! Po pse për çfarë tjetër e kishin bërë? Për t’i thënë shqiptarëve se PS mendon se Saliu është burrë i mirë? Bile me këtë argumentim, edhe vetë zarat, bile edhe vetë Saliu pranuan se Doktorrri i bën dëm Lulit në këtë fushatë. Këtë e dinim të gjithë, por tani Saliu e pranoi vetë. Ndaj kjo fushatë këtej e tutje do mbahet mend më shumë për suksesin e PR të së majtës që në javën e parë dhe mosdurimin e strukturave politike të policisë, për ta vënë dhunën shtetërore, në shërbim të qeveritarëve qëndrorë e lokalë, modeli i Xhelal Mbluit.

Fushatë e cila preku më herët sesa duhet median, kjo falë edhe një qëndrimi më të fortë e parimor të saj, që i solli edhe mbështetje ndërkombëtare. Por me pasoja. Që nga gjobat e propozuara nga komisioni Bashir, e deri tek prishja e debateve televizive. Ironike është se prishen debatet pikërisht aty ku kandidatët e PD respektohen më shumë, në mediat e pavarura, pasi aty respektohet ligji dhe profesioni. Ndërkohë që ata që i prishin debatet, janë VIP-at e mërzitur të mediave që janë kthyer në bythë të sëmura diareje kundër opozitës, pasi nuk i ndruhen as ligjit dhe as gjobave të komisionit Bashir, me të cilat edhe fshihen pasi bëjnë zbrazjen e radhës.

Puna është që mediat e tjera, nuk janë në garë politike siç janë këto të grupit të diaresë dhe kompeksohen pasi respektojnë rregullat e lojës. Ato nuk mund të bëjnë atë që PS po i bën PD në gjithë zonat që kjo mendonte se i kishte të vetat.

Shihni çpo i bën Mbluit ky kandidati i PS në Kamëz. Dilni një xhiro në Kavajë dhe numëroni me gishtat e dorës posterat e PD. Pse? Shumë e thjeshtë. Në këtë garë ku pala më e dobët në infrastrukturë dhe akses – opozita – po futet pa garanci, e vetmja mënyrë është të luftosh kundërshtarin me metodat e saj. Bile me njerëzit e saj.

PS është një formacion tradicional politik, kryesisht bashkim njerëzish me të njëjtat ide dhe formim. PD ka qenë gjithmonë një bashkim emocional interesash të njerëzve të shumë shtresave. Por kësaj radhe është ndryshe. Jo se PS-së i është shtuar interesi, por tashmë ka të njëjtin objektiv me një numër në rritje të atyre që kishin interesa me palën tjetër, por që u zhgënjyen e ngelën me gisht në gojë.

Tani ata i janë bashkuar PS dhe kanë marrë me vete, formën dhe motivimin që dikur i dhanë PD. I kanë dhënë nervin që zakonisht nuk e kanë, celulave të PS në bazë. Po afrojnë PS me pushtetin por në shkëmbim nuk duan asgjë. Kanë vetëm hakmarrje ndaj partisë që dikur i motivonte dhe mbështeste në interesat e tyre, por që sot e ka ngushtuar klientelën vetëm në një segment të ngushtë që shfaqet në gjashtë sekondat e Luli Transformers.

PD u tmerrua nga ajo reklamë. Sepse thoshte një të vërtetë të hidhur, në radhë të parë për ish mbështetësit e saj.