Heshtja e medies për “Dosjen Basha”

0
37


Nga Mero Baze

Pas sulmit të fundit të Berishës ndaj medies që po kërkon t’i jepet fund bojkotit ndaj fushatës së montuar elektorale, e cila prodhon kaseta në shesh-xhirimi, qëndron në të vërtetë shqetësimi se media po gërmon rrezikshëm përtej portretit të montuar të Lulëzim Bashës. Kjo ka bërë që Berisha të humbas qetësinë. Po ashtu qetësia e shtirur disa ditore e Lulëzim Bashës mori fund, pasi Top Channel, Vizion Plus dhe Neës 24 injoruan kasetat e tij.

Përmes Bordit të Monitorimit të Medies dhe vetë në fjalimet e tij prej ish “Qytetit Stalin”, Berisha lëshoi dje mallkimet e para për këtë vendim dinjitoz të medies, e cila është duke respektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për fushatën dhe parimet e saj profesionale. Por, përtej mallkimeve të Berishës për medien, duket se dhe media po kompleksohet prej tij duke u kthyer në një pasqyruese teknike e fushatës. Televizionet kryesore, përfshi dhe ato që po refuzojnë kasetat, nga ana tjetër nuk po ngrenë pyetje dhe nuk po bëjnë asnjë përpjekje të sqarojnë temat më të nxehta të kësaj fushate që lidhen kryesisht me figurat e kandidatëve.

Gazeta Shekulli ka disa ditë që po boton dokumente të pakundërshtueshme për të shkuarën e kandidatit kryesor të Berishës në këto zgjedhje, Lulëzim Basha. Së paku deri tani kemi prova se ky njeri ka mashtruar me deklarimet e pasurive të tij, ka një paqartësi lidhur me ekzistencën e një pasaporte amerikane në adresë të tij dhe disa pasaportave shqiptare, ka një fshehje të biografisë së tij lidhur me punën që ka bërë në Kosovë pranë Tribunalit të Hagës, etj. Asnjë medie në asnjë vend të botës, dhe asnjë gazetar serioz, nuk do të kishte injoruar këto fakte siç po bën media shqiptare në këtë fushatë. Unë i kuptoj xhelozitë e vogla të njerëzve të vegjël që drejtojnë medien shqiptare lidhur me eskluzivitetet banale që ata kërkojnë për faktet.

Por ky egoizëm është më shumë alibi se sa një arsye për të ndaluar ngritjen e pyetjeve që dalin nga këto fakte. Berisha filloi të reagojë për kasetat e Bashës pikërisht kur këto fakte dolën në dritë. Ai e di se është duke kërkuar një gjë të padrejtë, të cilën nuk ka për t’ia përmbushur askush, por në të vërtet ai është duke kërkuar që së paku të mos transmetohen problemet që po i dalin dhe që mund t’i dalin ende kandidatit të tij në Tiranë, Kamëz apo gjetkë. Ai nuk është duke i kërkuar medies bashkëpunim, por është duke e kërcënuar të mbyllë gojën dhe të mos përfshihet në këtë debat.

Dje për shembull gazeta Shekulli ka publikuar një fakt serioz, faktin që Lulëzim Basha në vitin 2001 ka blerë apartament në Hollandë me një pasaportë amerikane, me një numër serie, i cili nuk ekziston në pasaportat amerikane. Unë pyeta dikë pranë ambasadës amerikane dhe tha zyrtarisht se ambasada e ka të ndaluar të bëjë komente për këtë gjë. Atëherë për këtë gjë duhet të pyetet kandidati Lulëzim Basha dhe ta sqarojë këtë rrethanë.

Nuk po themi as që e ka fallco, as që e ka marrë në rrugë të pazakontë, por nëse ne Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Jashtëm e kemi pasur qytetar amerikan, dhe ky e ka fshehur këtë fakt nga biografia e tij, atëherë jemi para një situate serioze me personalitetin e tij. Falë Zotit ne jemi aleatë të qeverisë së SHBA, por në çdo rrethanë një nacionalitet i dytë i një Ministri duhet të deklarohet. Nëse ai e ka dhe e ka fshehur, duhet së paku që media ta pyesë për këtë vendim të tij. Po kështu po ngrihen pikëpyetje mbi pasurinë e tij, mbi deklarimet e gënjeshtërta në Tiranë dhe Hollandë, mbi kohën kur ka jetuar bashkë apo ndarazi me gruan e tij, mbi kohën kur gruaja e tij ka lënë shtetësinë holandeze etj. ‘

Në një intervistë justifikuese për gruan e tij, Sabri Godo tha se ajo ka lënë shtetësinë shqiptare në vitin 2004, pasi nuk e lejonin të blinte shtëpi në Hollandë, ndërsa tani del që ajo e ka blerë shtëpinë në vitin 2001 me pasaportë shqiptare me vendlindje Tepelene. Janë shumë gënjeshtra bashkë në një vend që rëndojnë mbi biografinë e këtij njeriu. Mund ta justifikojmë deri në një farë mase që e ka ves gënjeshtrën, por jo deri tek shtetësia, apo dokumentet e parregullta që përdor, përfshi ato shqiptare dhe amerikane.

Sulmi i Berishës mbi medien po bëhet jo aq për ti transmetuar atij kasetat, por të mos transmetuar dhe për të mos i bërë jehonë dokumenteve të tilla të rënda që po bëhen publike. Është shumë ofenduese për profesionin e një gazetari që të injorojë fakte të tilla si ato që ka botuar gazeta Shekulli me arsyetimin se nuk janë zbulime të tij. Injorimi i fakteve të tilla nga media është një dorëzim më i rëndë dhe më fyes për profesionin se sa detyrimi për të transmetuar një kasetë të montuar nga shtabi i Bashës. Në fund të fundit për kasetën e dinë të gjithë që e ka montuar Lulëzim Basha, kurse këto janë të vërteta për të cilat shqiptarët duhet ta gjykojnë këtë njeri, i cili nuk gënjen vetëm kur thotë se ç’do të bëjë, por gënjen në çdo rresht, dhe kur tregon kush ka qenë.