Selami: Më shqetëson harxhimi i energjive në çështje personale në vendin tonë

0
31

Nga VOA

Flet për Zërin e Amerikës ish-kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Eduard Selami

Eduard Selami

Zoti Selami, ajo që filloi dikur si një lëvizje studentore, u shndërrua si një lëvizje popullore në Shqipëri. Si i përkujtoni ju ato momente?

Patjetër që është një nga momentet më emocionuese të jetës sime personale, por mbi të gjitha do të thosha janë edhe momentet më progresive të gjithë historisë, mbase 100-vjeçare të Shqipërisë. Jo vetëm sepse ishte fillimi i fundit të diktaturës komuniste, por, si të thuash, ishte një rikthim te vlerat pro perëndimore, që kishin mendjet e ndritura të Rilindësve tanë, kur projektuan shtetin shqiptar në fund të shek të XIX. Në këtë aspekt unë mendoj se kjo ngjarje me të drejtë do të mbahet mend si një nga ngjarjet më progresive në historinë e Shqipërisë.

Tani, pas 20 vjetësh demokraci, si janë zbatuar në praktikë parimet e demokracisë? A kanë gjetur ato një zbatim real?

Duhet të them se në total, pavarësisht nga acarimet apo si të thuash skepticizmi, në përgjithësi Shqipëria ka ecur në rrugë të drejtë, me përjashtim të disa aksidenteve, të cilat mund të ishin evituar. Kuptohet që është një rrugë, e cila ende nuk ka përfunduar, por drejtimi është i duhur dhe unë mendoj që Shqipëria shumë shpejt do t’i bashkohet familjes evropiane.

Pikërisht Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, pritet që të jetë pjesë me të gjitha vlerat e kësaj organizate. Megjithatë, në Shqipëri duket se është keqkuptuar demokracia, e cila shihet në aspektin e një lirie pa kufi dhe në anën tjetër harrohet që kjo demokraci funksionon sipas një sistemi rregullator. Desha ta lidh këtu me krizën politike ose acarimin e situatës politike mes dy partive kryesore. Si e shikoni ju këtë acarim?

Është një shqetësim i drejtë. Me të drejtë thuhet se demokracia nuk është një formë e lehtë, por është forma më e mirë e qeverisjes dhe kërkon më shumë impenjim dhe më shumë strukturim të saj. Shteti ligjor pa diskutim që ka nevojë për zbatimin e ligjeve. Kur acarohet politika dhe jeta politike në Shqipëri, kuptohet që kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë minimizon edhe arritjet e demokracisë. Është për të theksuar se në demokraci ka vend për pozitën edhe për opozitën. Është si një shtëpi e përbashkët. Ashtu siç ka thënë edhe një nga presidentët më të famshëm të Amerikës, Abraham Lincoln, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë dhe të mbahet nëse është e përçarë nga të dyja anët. Një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë, kështu që në këtë aspekt unë mendoj që klasa politike shqiptare duhet të mbajë parasysh këtë gjë, që ka nevojë për të dyja palët dhe ka nevojë për një bashkëpunim të vazhdueshëm.

Sipas jush si mund të dilet nga kjo situatë kaq e acaruar, ku shpeshherë janë harruar edhe normat e etikës?

Është një shqetësim i drejtë. Mungesa e etikës, jo vetëm që lë një shije të keqe, por realisht në të njëjtën kohë, në mënyrë të drejtpërdrejtë është një mungesë respekti për sesionet dhe mbi të gjitha është një mungesë fokusimi mbi shqetësimit reale që janë njerëzit. Ata janë atje, rrugën konkrete do ta gjejnë. Por, universale është një gjë, që pa një dialog, pa një bashkëpunim, pa një respekt midis forcave politike nuk mund të ketë një përparim të dukshëm, i cili u takon të gjithë shqiptarëve.

Zoti Selami, ju keni qenë një protagonist i atyre ngjarjeve 19 vjet më parë në Shqipëri dhe tani jeni vëzhgues i kujdesshëm, ndonëse i largët, i ngjarjeve në Shqipëri. A shikoni ju një optimizëm drejt së ardhmes së Shqipërisë në organizmat evropiane?

Unë e kam thënë disa herë që optimizmi im është i vazhdueshëm dhe pavarësisht këtyre situatave, pasi unë jam këtu më shpesh, në rastet kur ka kriza, unë përsëri jam optimist në të ardhmen e afërt dhe të largët të Shqipërisë. Mendoj që klasa politike shqiptare ka pjekurinë e duhur. Edhe në momentet që duket se janë më të errëta dhe më konfrontuese, unë mendoj se do të gjendet gjuha e përbashkët, sepse ky është interesi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

Si e shikoni ju sfidën e demokratizimit të institucioneve në Shqipëri?

Atë çka dhe komuniteti ndërkombëtar ka theksuar dhe si të thuash edhe analistët e huaj, që po merr kohë që Shqipëria të kthehet në demokraci funksionale, ku shteti ligjor të operojë në mënyrë të vazhdueshme. Pa diskutim që ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit është një nga problemet më thelbësore dhe të mprehta të demokratizimit të institucioneve në Shqipëri. Në këtë aspekt unë mendoj se duhet të tregohet një kujdes shumë i madh. Dhe ajo që më shqetëson mua është harxhimi i energjive në çështje personale në vendin tonë. Sepse hiqet fokusi nga problemet qenësore, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me ecurinë dhe bashkimin e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare.

Sepse ky duhet parë si një problem i brendshëm. Bashkimi i Shqipërisë në Evropë do të vijë në një mënyrë të natyrshme, kur demokracia shqiptare të arrijë pjekurinë e saj. Dhe në këtë aspekt unë mendoj se ndarja e pushteteve dhe forcimi i pavarësisë së gjyqësorit është një nga problemet kryesore ku ka mbetur demokracia.