Cilat unaza për Tiranën?

1
96


Preç Zogaj, 18.04.2011

“Kur ka shumë gra në shtëpi, ngelet buljera pa u mbushur”. Kjo shprehje mund të përdoret për të ilustruar fatin e unazës së madhe të Tiranës, ideuar dhe projektuar nga qeveria fundit komuniste e Adil Çarçanit, por që nuk ka marrë jetë në asnjë prej qeverisjeve vendore dhe qendrore që janë alternuar në Tiranë dhe në Shqipëri gjatë dy dekadave të demokracisë.

Vëmendja dhe përpjekjet janë rritur në katër-pesë vitet e fundit. Por ka ndodhur një çudi, që në fakt nuk është edhe aq çudi për politikën shqiptare të cic-miceve. Nënvlerësimin dhe indiferencën e mëparshme për ndërtimin e unazës së madhe e kanë zëvendësuar smira, xhelozitë, protagonizmi dhe gjithë produkti tjetër i marrëdhënieve të ngrira apo konfliktuale midis qeverisë së drejtuar nga Berisha dhe bashkisë së drejtuar nga Rama.

Përfundimi ka qenë dhe mbetet i njëjtë: Unaza e madhe fryn e gjëmon nëpër letra dhe konferenca, por nuk fillon që nuk fillon. Qeveria dhe bashkia akuzojnë prej kohësh njëra-tjetrën për qëndrime ndërbllokuese, duke e shtuar edhe me shumë konfuzionin për të ardhmen e veprës. Në fakt, edhe pse qeveria duhet të jetë e pranishme me kontributin e saj në çdo projekt me peshë në infrastrukturën e kryeqytetit të vendit, unaza e madhe e Tiranës është një “juridiksion” i bashkisë.

Nga ky këndvështrim nuk është kuptuar asnjëherë se si mund ta bllokojë bashkia qeverinë për një vepër që bashkia e ka prioritet dhe domosdoshmëri. Përveç deklaratave, qeveria nuk ka treguar ndonjëherë dokumente, fakte dhe argumente profesionalë për të mbështetur akuzuat e saj. Herën e fundit, në mbledhjen e datës 24 nëntor të vitit të kaluar, në njoftimin pompoz të radhës për nisjen “e menjëhershme” të punimeve për unazën e madhe, Berisha paralajmëroi “zbardhjen e dokumenteve” të sabotimit të unazës nga bashkia e Tiranës.

Kaluan pesë muaj. As është zbardhur gjë, as unaza s’ka nisur.
Pjesëmarrja e qeverisë në projektet e bashkisë duhet të bëhet në respekt të autonomisë vendore. Në qoftë se qeveria e zëvendëson respektin me arrogancën, apo jep përshtypjen se nuk po kërkon të marrë pjesë, por të fusë hundët dhe të bëhet zot në shtëpinë e tjetrit, atëherë është vetë qeveria që mbjell dështimin.

Publiku nuk njeh ndonjë rast kur qeveria Berisha ta ketë shtruar seriozisht, me dosje ekspertesh, me korrespondencë të rregullt, me takime pune në nivel politik dhe teknik, brenda kulturës së koabitacionit dhe bashkëpërgjegjësisë, çështjen e bashkëfinancimit me bashkinë e Tiranës të unazës së madhe. Ndërsa njihen shumë raste kur me ketë vepër është bërë politikë e tipit “ne duam, ju s’doni” para kamerave.

Por ndërsa bashkia ka fare pak hapësirë dhe mundësi të bllokojë qeverinë, qeveria e ka “pa doganë” hapësirën për të bllokuar bashkinë. Diku falë legjislacionit me bishta në lidhje me autonominë vendore. Diku tjetër falë arbitraritetit. Diku më tej falë këshilltarëve të LSI-së, që janë votuar majtas dhe kanë kaluar djathtas.

Për të qëndruar tek unaza e madhe, Bashkia e Tiranës e ka akuzuar Berishën se ky ka bllokuar marrjen prej saj të kredisë 20 milionë euro nga BERZH, që do të përdorej për ndërtimin e unazës së madhe në bazë të një projekti të mbështetur në të vjetrin, por të rishikuar dhe të përshtatur me kërkesat bashkëkohore. Kjo akuzë direkte është e rëndë. Kryeministri ka detyrimin të shpjegohet.

Qeveria ka marrë e po merr kredi të mëdha për segmentin Rrëshen-Kalimash të “Rrugës së Kombit” dhe tani së fundi për rrugën Tiranë-Elbasan. Me çfarë logjike mund të bllokojë kjo qeveri një kredi tridhjetë herë më të vogël për unazën e madhe të Tiranës, që nga pikëpamja e rëndësisë vlen sa një rrugë e madhe kombëtare? Vetën se këtë kredi do ta marrë bashkia e Tiranës?

Ku është këtu kultura e koabitacionit midis pushteteve të ngjyrave të kundërta politike? Shqipërisë do t’i ndodhë gjithnjë që pushtetin qendror ta këtë një forcë politike dhe pushtetin lokal një forcë tjetër. Po të ecet kështu, me logjikën e bllokimit, vendi nuk do të ngrihet kurrë. Kryeministri duhet të shpjegohet. Bashkia, nga ana e saj, ka detyrimin të jetë më eksplicite me publikun. Sidomos në këtë periudhë fushate, kur tema e unazës së madhe ka ricikluar të gjitha pikëpyetjet, keqkuptimet, konfuzionin dhe hilet rreth saj.

Cili është konfuzioni? Në kuadrin e luftës për protagonizëm “pse ta bësh ti, por ta bëj unë”, qeveria porositi para me shumë se një viti një projekt-ide të unazës së madhe të Tiranës. Në pjesën jugore të qytetit, “projekti i ri” i mbivendoset projektit të mëparshëm të Bashkisë me ndonjë ndryshim të vogël. Nuk kuptohej pse duhej bërë dy herë e njëjta punë, përveçse për tu mbushur xhepat disa “projektuesve”.

Por habia nuk përfundon këtu. Pasi shpallen se Unaza e madhe do të jepej me koncesion, duke përfshirë edhe segmentin Babrru-Bregu i Lumit-Ura e Kamzës me tetë korsi (!?), që do të shërbejë për të përballuar flukset e reja të rrugës së Arbrit (!?), pra, pasi lidhin bashkë për qëllime propagandistike një fantazi mbi tjetrën, Berisha me të tijtë filluan ta trajtonin pjesën jugore të unazës së madhe të Tiranës si një zgjatim të rrugës së re Elbasan-Tiranë me katër korsi dhe me tunele nga drejtimi i qafë Krrabës.

E kuptuan se nuk ka kuptim të harxhosh miliarda dhe të vish me katër korsi deri në Sauk. E panë, por nuk e di a e kanë kuptuar, se rruga Tiranë-Elbasan , si koridor i Shqipërisë së mesme, nuk mund ta ketë fillimin në Sauk, por te ura e Kamzës prej nga nisin degëzimet drejt Durrësit, Shkodrës dhe Kosovës.

E panë se po shpenzohen miliarda, pa laps në dorë, për të hapur tunele, kur natyra ka bërë një aks tjetër për të shkuar nga ura e Kamzës drejt Elbasanit pa tunele dhe shumë më lirë. Për të mbuluar të çarat dhe pikëpyetjet e aksit te gabuar, i “morën” Bashkisë unazën e madhe, por ta bërë vazhdim të autostradës së Elbasanit.

Po a mund të përfytyrojë njeri që vargu i kamionëve të transportit kombëtar e ndërkombëtar, që pritet të “thithë” autostrada katërqind milion eurosh Elbasan-Tiranë, do të kalojë nga lagja “Komuna e Parisit” dhe “Shkolla Teknologjike”? A mund ta pranojnë këtë qytetarët e Tiranës, që në këtë rast do të kalonin nga shiu në breshër për sa i përket ndotjes së ajrit? Përgjigjet dihen.

Por këto përgjigje duhet t’i japë patjetër edhe kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, zoti Lulëzim Basha, i cili gjer me sot po flet në përgjithësi dhe në hava për “unazën e madhe” pa treguar se cilin projekt dhe çfarë financimi ka parasysh. Basha nuk mund të premtojë ajër të pastër, nëse kamionët do të gumëzhijnë natë e ditë në “unazën e re” mes qytetit

Unaza e madhe e Tiranës duhet për Tiranën dhe për të ardhurit. Por unaza nuk mund të jetë pjesë e ndonjë autostrade kombëtare e ndërkombëtare. Nëse qeveria e ka ndarë mendjen të shkojë drejt Elbasanit me tunele nga Qafë-Krraba, atëherë duhet detyrimisht të projektojë një unazë të jashtme të Tiranës, atë që do të fillonte tek Ura e Farkës deri te Kthesa e Kamzës. Ky do të ishte vijimi i autostradës.

Do të kërkohen sërish para. Do të kërkohet sërish kohë. Por zgjidhjet e gabuara, si kjo e qeverisë Berisha kanë gjithnjë kosto mbi kosto. Për momentin e rëndësishme është të sqarohet për të gjithë se unaza e madhe Sauk-“Komuna e Parisit”-“Shkolla Teknologjike” është për Tiranën, ndërsa unaza e jashtme Ura e Farkës-Kthesa e Kamzës është për autostradën. Të mos bësh këtë sqarim do të thotë të jesh ose në konfuzion, ose në demagogji.

1 COMMENT

  1. “Të mos bësh këtë sqarim do të thotë të jesh ose në konfuzion, ose në demagogji.”
    Keshtu e mbyllni ju artikullin.
    Une personalisht jam i bindur qe ky artikull i shkruar nga ana juaj, me te njejten metode siç shkruheshin artikujte qe trajtonin probleme teknike para renies se dktatures, eshte krejt nje demagogji dhe i shkruar nga ana juaj pas konsultimit me nje profesionist arkitekt urbanist.
    Asnje gje nuk ke thene, asnje problem nuk ke ngritur vetem ke folur, siç thote populli “badjava”, ja ke futur kot: demagogji, demagogji, demagogji.

Comments are closed.