
Nga Enver Robelli, robelli@bluewin.ch
I. Idealisti i fyer
“Është vështirë të mos shkruash satirë”. Kështu thoshte satiriku romak Juvenali para dy mijë vjetësh. Gazetari gjerman Kurt Tucholsky para një shekulli pyeste: “Çka i lejohet satirës?” – dhe përgjigjej vetë: “Gjithçka”. Mirë që ai nuk ka jetuar në Kosovë, por në Gjermani. Është mirë të ndalemi pak te gazetari dhe shkrimtari Kurt Tucholsky (1890-1935), i cili, për fat të keq, s’njihet aq në viset shqiptare. Në fillim të shekullit XX ai ishte autori më i lexuar, më satirik gjerman dhe kritik i ashpër i fenomeneve negative të kohës. Tucholsky mbështeste idetë humaniste dhe pacifiste; shumë tekste të tij edhe sot janë aktuale. Sa i përket satirës, të cilën Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e shpjegon si ironi e hidhur, therëse, autori gjerman shkruante: “Satiriku është një idealist i fyer: ai dëshiron ta shohë botën të mirë, por ajo është e keqe, andaj ai përplaset kundër së keqes”. Në vitin 1919 Tucholsky e mbronte të drejtën e satirës me këmbëngulje: “Mbi të gjitha gjermani e bën një gabim: ai e ngatërron atë që prezantohet me prezantuesin. Nëse dua t’i tregoj pasojat e alkoolizimit, pra nëse e luftoj këtë ves, atëherë nuk mund ta bëj këtë me citate të përshpirtshme të Biblës, por më efektshëm do ta bëj përmes interpretimit goditës të një njeriu, i cili është i dehur pafundësisht”. Një paraardhës i Tucholskyit, i famshmi Friedrich Schiller në vitin 1795 shkruante: “Në satirë realiteti si mungesë i vihet përballë idealit si realiteti më i lartë”.
II. “Habemus papam”
Në gjithë këtë përplasje kundër së keqes në Kosovë, e cila nuk lidhet vetëm me politikën në pushtet dhe atë në opozitë, por edhe me disa segmente të shoqërisë dhe me shumë ideale të përdhosura, megjithatë është vështirë të jesh përherë serioz. Ose, siç tregonte Juvenali, është vështirë të mos shkruash satirë. Që nga mbajtja e zgjedhjeve (?) të 12 dhjetorit Kosova ka kaluar prej një furtune politike në tjetrën. Ka pasur shumë protagonistë, të cilët ndoshta nganjëherë pavullnetshëm janë tallur me disa anomali politike kosovare. Për shkak se është mysafir në këtë vend dhe në shenjë nderimi po e marrim këtu si shembull të parë ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Christopher Dell, i cili përkundër agjendës së stër-stër-stërngarkuar gjen vend edhe për humor. Madje shpesh ka stil në këtë zhanër. Ditën kur (nuk) u zgjodh Behgjet Pacolli kryetar i Kosovës, pra më 22 shkurt, Dell në profilin e tij në një rrjet social në internet kishte shkruar: “Habemus papa”. Në fakt Dell do duhej të shkruante korrekt “Habemus papam”. Me këto fjalë një kardinal i Vatikanit shfaqet në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe tregon se konklava (tubimi i kardinalëve të autorizuar) e ka zgjedhur një Papë të ri. Dell me komentin e tij i referohej zgjedhjes së Pacollit në postin e kryetarit të Kosovës, duke e krahasuar këtë ngjarje në Kuvend me zgjedhjen e Papës. Një satirë e mirë, por krahasim i pavend, sepse në Vatikan pas zgjedhjes së Papës nga oxhaku del tym i bardhë si shenjë e suksesit. Mbi pullazin e Kuvendit të Kosovës më 22 shkurt s’është parë asnjë qyng, as tym i bardhë, përveç helmtymit të zi të Obiliqit. Nga perspektiva e sotme mund të thuhet se zgjedhja e Papës bëhet në rrethana më transparente sesa u bë zgjedhja e Pacollit. Kundër kandidaturës së tij, siç dihet, ishte angazhuar vendosmërisht edhe ambasadori Dell, duke i thënë këshilltarit Dase Rakshup t’ia shkruajë një mesazh Pacollit me këtë përmbajtje: “Tërhiqu se nuk ke shans në raundin e tretë”. Pacolli s’e dëgjoi, kandidoi dhe fitoi. Ose humbi. Një dreq i bie në fije kësaj pune. Sidoqoftë ai s’është më në Presidencë; aty tani ka hyrë një zonjë e panjollosur, e cila duhet të pastrojë arenën nga përleshja e burrave politikë dhe t’ia kthejë dinjitetin postit të lartë shtetëror. Megjithatë, muhabeti në distancë mes Dellit dhe Pacollit vazhdon. Ky i fundit doli në televizion dhe e tregoi njëfarë historie diçka me zarf. Ambasadori me siguri do të dëshironte që kjo histori të mos dihej kurrë publikisht. Pacolli foli, ambasadori u acarua dhe shkroi në rrjetin social: “Besoj se zoti Pacolli është konfuz. Ai e ka humbur Presidencën e Kosovës dhe jo Oskarin për rolin më të mirë”. Qysh thuhej dikur: të vegjlit i hanë kajsitë, të mëdhenjve u mpihen dhëmbët. Ambasadori paguhet për të promovuar vlerat e vendit të tij, prandaj është e kuptueshme që ai lë për të kuptuar se më shumë vlerë ka një Oskar i Hollywoodit sesa posti i presidentit të Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh se me çfarë papërgjegjësie janë sjellë bajraktarët lokalë muajve të fundit ndaj këtij funksioni reprezentativ, por të rëndësishëm shtetëror.
III. Një festë e re
Të mërkurën, më 6 prill 2011, rreth orës 21:00, tre bajraktarë lokalë dhe ambasadori Dell, i cili, siç u tha, i kishte “krijuar kushtet” për takimin e triumviratit, u shfaqën në një konferencë për media. Nëse nuk na tradhton kujtesa kjo paraqitje zgjati pak më shumë se gjysmë ore – dhe brenda kësaj kohe të shkurtër krerët e bajraqeve u falënderuan dhjetë herë në disa drejtime. Do të ishte mirë që Kuvendi i Kosovës në një seancë solemne ta shpallë 6 prillin si Ditë të Falënderimeve. Edhe Amerika e ka në kalendarin e festave Ditën e Falënderimeve. Në të ardhmen 6 prilli do të jetë ditë e lirë për të gjithë punëtorët – dhe kjo vlen si për ata që punojnë për shtetin, ashtu dhe për të tjerët që punojnë në ekonomi private, sidomos vlen për përfaqësuesit e plehut artificial. Të gjithë do të ëmbëlsohen me sheqerka (bonbone Negro) dhe me një rritje rroge të paparë deri më sot. Banalistët do të shkruajnë fjalë të zgjedhura për këtë ditë, fundja kjo është detyrë e tyre: të shkruajnë nga të fryjë era dhe nga të vijnë duhma e parave. Kështu ata i përngjajnë edhe më mirë atij këndesit prej teneqes të vendosur mbi pullaz, i cili vërtet sillet nga të rrahë era.
IV. Më shumë hot se mail
A e dini, të nderuara lexuese, të nderuar lexues, e kujt është kjo adresë elektronike dhe ç’domethënie ka: zpkosova@gmail.com? A mos është emaili i ndonjë agjencie turistike që organizon fluturime Zürich-Prishtinë? Athua është adresa e ndonjë gazete, për shembull “Zëri i Popullit” i Kosovës? A ka të ngjarë të jetë Zyra në Preshevë e Kosovës? Mund të jetë adresa e firmës Zero Pozitive, përfaqësia në Kosovë. Ose e ndonjë tyxhari që shet zabele dhe pyje në Kosovë. Mos fshihet pas këtij emaili personi me emrin Zabërhan Padishahu nga Kosova? Gjithçka mund të jetë, por në Kosovë zpkosova@gmail.com është emaili kontaktues i Departamentit të Informacionit dhe Komunikimit me Publikun i Presidencës së Kosovës (shkurt: DIKPPK). Së paku kështu ka qenë deri para pak ditësh. Për të kursyer buxhetin e shtetit – mos qeshni! – është hequr dorë nga krijimi i një emaili zyrtar të Presidencës dhe është vendosur të përdoret një email që mund të hapet falas në gmail. Ka mundur të ndodhë edhe më keq, për shembull sikur të hapej një email: zpkosova@hotmail.com. Ose: zpkosova@gmx.net, zpkosova@love.info, zpkosova@kiss-kiss.com, apo – zoti na ruajttë – zpkosova@srbija-online.rs. Adresa elektronike zpkosova@gmail.com është pjesë e bërllokut që ka mbetur kush e di prej kujt dhe shpresojmë se zonja presidente dhe këshilltarët e saj do ta hedhin në shportën e mbeturinave, sepse s’i duhet askujt. Paramendojeni sikur t’i drejtoheni përmes këtij emaili një gazete me ndikim në Evropë apo Amerikë me ofertën për intervistë me presidenten. Asnjë redaktor, asnjë korrespondent s’do ta merrte seriozisht as dërguesin, as shtetin përkatës. Shpesh janë gjërat simbolike ato që i bëjnë dëmet e mëdha. Përveç emailit mbetet të shihet se si do të rregullohet edhe puna e mobileve që Pacolli kokë më vete i solli në Presidencë. Ai ka thënë se i ka blerë vetë dhe vazhdon madje të jetë i bindur se janë të bukura. Presidenca ose duhet t’ia kthejë këto mobile Pacollit, sepse si pronë private i takojnë atij, ose të kërkojë prej tij që me një deklaratë me shkrim t’ia falë shtetit (nëse këtë e lejojnë ligjet e Kosovës). Ndryshe mund të ndodhë që pas dy vjetësh Pacolli, i cili ka përvojë të madhe me padi, mund ta hedhë në gjyq Presidencën për shfrytëzim të palejueshëm të pronës private. Vërtet, n’ditë të sotit, është vështirë të mos shkruash satirë.







