Saif Gaddafi dhe unë

0
69

Dani Rodrik, 17.04.2011

Ekziston një bindje e fuqishme se akademikë dhe institucione që bashkëpunuan me një regjim të tillë neveritës (si ky i Gaddafi-t) – shpeshherë me inkurajimin nga vetë qeveritë e tyre, pa dyshim – kanë bërë një gabim të madh vlerësimi… Mirëpo është shumë më e lehtë që gjërat të vlerësohen në retrospektivë. A ishin ngjyrimet morale të hesapeve me Gaddafët kaq të dukshme para përhapjes së revolucioneve arabe edhe në Libi? Apo ta shtrojmë pyetjen më haptazi, a ishte kaq e qartë se këshilltarët duhet gjithnjë të qëndrojnë larg nga regjimet diktatoriale?

Jo shumë kohë më parë, një koleg nga Harwardi më shkroi se Saif al-Islam el-Gaddafi, njëri nga të bijtë e diktatorit të Libisë, do të ishte në qytet dhe dëshironte të takohej me mua. Ai ishte një bashkëbisedues interesant, tha kolegu im, me doktoratë nga Shkolla e Ekonomisë dhe e Shkencave Politike në Londër (LSE); do të më pëlqente të bisedoja me të dhe unë mund t’i ndihmoja me mendimet rreth çështjeve ekonomike.
Takimi doli të ishte një poshtërim.

Në fillim u informova nga një ish-nëpunës i kompanisë “Monitor”, i cili butësisht më paralajmëroi se nuk duhej të prisja tepër shumë. Vetë Saif i mbante fotokopjet e faqeve të njërit prej librave të mi, mbi të cilët kishte bërë disa nënvizime. Më shtroi disa pyetje – lidhur me rolin e OJQ-ve ndërkombëtare, mesa më kujtohet – të cilat dukeshin më se të distancuara nga fushat që unë prisja të diskutonim. Nuk më kujtohet se ai ishte aq i impresionuar me mua; e as me të. Me përfundimin e takimit, Saif më ftoi në Libi dhe unë thashë – më shumë nga mirësjellja sesa nga diçka tjetër – se do të isha i lumtur të shkoja.

Saif kurrë më nuk u paraqit, e as unë. Mirëpo sikur një ftesë e vërtetë të vinte, a do të udhëtoja në Libi, të kaloja ca kohë me të dhe mbase të takoja babanë e tij dhe miqtë? A do të pritesha me argumentet si: “Ne po përpiqemi ta zhvillojmë ekonominë tonë, dhe ju vërtet mund të na ndihmoni me njohuritë tuaja?”. Me fjalë të tjera, a do të shkoja hapave të disa kolegëve të mi të Harvardit, të cilët udhëtuan në Libi për të shkëmbyer mendimet dhe këshilluar diktatorin e vendit – dhe në fund u paguan për shërbimet e ofruara?

Këta njerëz të dijshëm janë cilësuar nëpër media javëve të fundit si persona që supozohet t’i kenë shërbyer Gaddafi-t.

Sir Howard Davies ka zgjedhur të japë dorëheqje nga posti i drejtorit të LSE-së, e cila ia ndau doktoratën Saifit (me disa që pretendojnë se ajo ishte plagjiat) dhe mori para për shkollën nga regjimi i Libisë.

Ekziston një bindje e fuqishme se akademikë dhe institucione që bashkëpunuan me një regjim të tillë neveritës – shpeshherë me inkurajimin nga vetë qeveritë e tyre, pa dyshim – kanë bërë një gabim të madh vlerësimi. Qëndrimi vrastar i Muammar Gaddafi-t gjatë kryengritjes ka zbuluar ngjyrat e vërteta të tij, pa marrë parasysh paraqitjet e tij të moderuara të ditëve të fundit. Dhe mbështetja e paradokohshme e Saif al-Islamit për babanë e tij sugjeron se ai nuk është një reformator liberal siç shumëkush besonte që ishte.

Mirëpo është shumë më e lehtë që gjërat të vlerësohen në retrospektivë. A ishin ngjyrimet morale të hesapeve me Gaddafët kaq të dukshme para përhapjes së revolucioneve arabe edhe në Libi? Apo ta shtrojmë pyetjen më haptazi, a ishte kaq e qartë se këshilltarët duhet gjithnjë të qëndrojnë larg nga regjimet diktatoriale?
Të diplomuarit nga universitetet e mbarë botës po hahen me njëri-tjetrin në përpjekje për të thelluar angazhimet e tyre në Kinë. Shumica e akademikëve do ta rrëmbenin shansin për të pasur një takim me Presidentin kinez, Hu Jintao.

Nuk kam dëgjuar aq shumë kritika për këto kontakte, të cilat duket se po cilësohen si normale dhe jo aq problematike. Dhe për më tepër disa do të mohonin madje se Kina është një regjim represiv që i trajton mizorisht kundërshtarët e vetë. Kujtimet nga Tiananmeni janë ende të freskëta. Por kush mund të thotë se si do të përgjigjej lidershipi kinez ndaj ndonjë kryengritjeje të ardhshme pro-demokraci, që do të kërcënonte rrëzimin e regjimit?

Apo çfarë ndodh me një shtet si Etiopia? Unë kam pasur diskutime intensive ekonomiko-politike me Kryeministrin Meles Zenawi, në Addis Ababa. Më duhet ta pranoj se gjatë këtyre bisedimeve jam kënaqur më shumë se në shumicën e takimeve që kam pasur në Uashington apo kryeqytete të tjera demokratike. Nuk kam iluzione rreth përkushtimit të Melesit për demokraci – apo mungesën e saj. Por unë po ashtu besoj se ai po përpiqet që të zhvillojë ekonominë e vet dhe unë ofroj këshillë politike, pasi besoj se nga ajo mund të përfitojnë edhe etiopianët e thjeshtë.

Rebusi me të cilin këshilltarët e regjimeve autoritare përballen është i ngjashëm me një problem të kamotshëm në filozofinë morale të njohur si dilema e “duarve të pista”. Një terrorist i mban peng disa persona dhe ai ju kërkon që t’u sillni ujë dhe ushqim atyre. Ju mund të zgjidhni aspektin moral apo të thoni: “Kurrë nuk do të bëj marrëveshje me një terrorist”. Mirëpo kështu mund t’ju shpëtojë mundësia për të ndihmuar pengjet. Shumica e filozofëve moralë do të thoshin se ndihma për pengjet është gjëja e drejtë që duhet bërë në këtë rast, edhe nëse me të vepruar kështu ndihmohet po ashtu edhe terroristi.

Mirëpo zgjedhja e një veprimi për të mirën më të gjerë nuk na shfajëson nga fajësia morale. Duart tona po që bëhen të pista, kur i ndihmojmë një terroristi apo diktatori. Filozofi Michael Walzer, e parafrazon bukur: “Është e lehtë t’ia bësh dikujt duart e pista në politikë”. Sidoqoftë, ai menjëherë shton se duart e pista “zakonisht janë gjëja e duhur për t’u bërë”.

Në fund, një këshilltar i liderëve autoritarë nuk mund t’i ikë dilemës. Shpesh, liderët kërkojnë angazhim vetëm sa për të legjitimuar sundimin e tyre, në të cilin rast një këshilltar i jashtëm duhet thjesht të qëndrojë sa më larg. Mirëpo kur këshilltari beson se puna e tij do t’u sillte përfitime atyre që faktikisht mbahen peng nga liderët e tyre, atëherë ai e ka obligim që të mos e kursejë këshillën.
Edhe atëherë ai duhet të jetë i vetëdijshëm se ekziston një shkallë e ndërlikueshmërisë morale. Nëse këshilltari nuk arrin të çlirohet nga ndjenja e bashkëveprimit disi të njollosur dhe ndjenja e të qenit paksa fajtor, atëherë ai mbase nuk ka arritur të pasqyrojë si duhet natyrën e marrëdhënies.

(Dani Rodrik, profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, është autor i librit “Paradoksi i globalizimit: Demokracia dhe e ardhmja e ekonomisë së botës”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).