Shekulli, 17.04.2011
“Është shqetësuese mundësia që ambasadori Arvizu po e përdor këtë sulm kundër ‘Shekulli’-t si një mënyrë për të frikësuar median shqiptare”, – thotë shqiptaro-amerikani i njohur Geri Kokalari, në këtë intervistë dhënë kryeredaktorit të gazetës “Shekulli”, lidhur me letrën e Ambasadës Amerikane ku kjo njoftonte “Shekulli”-n se ndërpriste marrëdhëniet deri në një njoftim të dytë.
Për Kokalarin, duket e çuditshme që një ambasadë kaq e rëndësishme, të mos ketë aftësitë të dallojë një ngjyrim linguistik në një opinion të thjeshtë që gjithsesi me standardet amerikane, mbrohet si e drejtë absolute e mendimit të lirë. Ndaj, sipas tij, nuk bëhet fjalë për një gabim të thjeshtë në përkthim që mund të kalohej me një kërkesë ndjese të ambasadorit. “Në këtë episod ka disa aspekte që potencialisht janë shumë shqetësuese”, – thotë ai.
Zoti Kokalari, si e konsideroni letrën e Ambasadës Amerikane në Tiranë për gazetën “Shekulli”, ku njoftohet ndërprerja e marrëdhënieve me gazetën?
Në këtë ngjarje ka disa aspekte që potencialisht janë shumë shqetësuese.
Nëse do të mendonim që ambasadori Arvizu thjesht ka keqkuptuar një opinion botuar në “Shekulli” si një sulm racist ndaj tij, ky do të ishte vetëm një rast “humbjeje” në përkthim, pra një gabim i vogël që mund të korrigjohej nga ambasadori Arvizu duke i kërkuar falje autorit; mund të ishte në këtë kontekst edhe një indic, që tregon se Departamenti i Shtetit ka një problem personeli në Ambasadën e Tiranës, sepse me të drejtë, dikush mund të mendojë pas kësaj, që personi i caktuar në pozicionin e ambasadorit, nuk paska as aftësitë profesionale dhe as burimet e nevojshme për të deshifruar një çfarëdolloj nuance linguistike, përpara se të kërcejë në vendime ekstreme.
Por, siç thashë në fillim, në këtë episod ka disa aspekte që potencialisht janë shumë shqetësuese.
E para, pavarësisht asaj që autori i opinionit në “Shekulli” donte të thoshte, shkrimi i tij ishte një opinion, dhe nëse ai do të shkruante në SHBA, opinioni i tij do të mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.
Pra, kjo tregon që në fakt kemi të bëjmë me një ambasador me mentalitet si të Guliverit, i cili mendon se ky princip demokracie nuk ka nevojë të aplikohet për “liliputët” e Shqipërisë. Akoma më shumë shqetësuese është mundësia që Arvizu po e përdor këtë sulm kundër “Shekulli”-t si një mënyrë për të frikësuar median shqiptare. E vështruar kështu, kjo ngjarje duhet të shihet si një sulm ndaj të gjithë shqiptarëve.
Në dijeninë tuaj, ka ndonjë rast tjetër që një Ambasadë Amerikane të ndërmarrë veprime të ngjashme në ndonjë vend tjetër të botës? Nëse po, në çfarë kushtesh ka ndodhur?
Nuk di të ketë ndonjë shembull të tillë konkret. Sigurisht, Departamenti i Shtetit do të ngurronte të pranonte sjellje të tilla subversive, sepse kjo do të përbënte një standard të dyfishtë për parimin më themelor të demokracisë të Amerikës. Megjithatë, nuk do të habitesha, nëse do të mësoja raste, kur Departamenti Amerikan i Shtetit ka tentuar të dëmtojë fjalën e lirë në shtete të tjera, kur kjo fjalë nuk i ka pëlqyer.
Po pse ndodh kështu në Shqipëri, sipas jush?
Shqipëria prezanton në një mënyrë të çuditshme një situatë unike për mënyrën se si shqiptarët, me naivitet, vendosin Ambasadorët Amerikanë në piedestal. Në dijeninë time, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku një Ambasador Amerikan trajtohet si një “Pasha”.
Pra, e gjitha kjo krijon mundësinë për sjellje abuzive nga ana e Ambasadës. Kjo më brengos shumë mua, sepse në të dy periudhat, si atë komuniste dhe post-komuniste, shqiptarët kanë qenë të mbytur në një det konfuzioni dhe gënjeshtrash, por Ambasada u dukej si një fener shprese. Me një letër kalamajsh ky pakt është thyer.
Populli i Shqipërisë nuk duhet të ketë iluzione, sepse, po e përsëris: një ngjarje si kjo edhe nëse paraqitet në fasadë si një sulm i pajustifikuar dhe i gabuar ndaj “Shekulli”-t, është në fakt një sulm ndaj të gjitha mediave të Shqipërisë dhe si i tillë, një abuzim me ndjenjat e popullit shqiptar për Amerikën. Në Shqipëri, një piedestal mund ta bëjë edhe një njeri të vogël, të ndjehet i madh!
Çfarë i sugjeroni ju, – një shtetas amerikan dhe një shqiptar etnik, – redaksisë të gazetës “Shekulli” në këto rrethana?
Për mua, ky është një vendim i lehtë. “Shekulli” duhet të bëjë atë që bën çdo organizatë e ligjshme lajmesh: çdo ditë vazhdoni punën e publikimit të gazetës, raportoni faktet dhe shprehni lirshëm opinionet. Është në të drejtën tuaj dhe ju ia keni detyrim këtë shqiptarëve. Ose ju mund të dorëzoheni, – siç ka ndodhur tashmë me shumicën e medieve në Shqipëri, – përpara këtyre taktikave frikësuese që përdoren si nga diplomatët amerikanë, ashtu edhe nga Sali Berisha.
Thënia e të vërtetës mund të krijojë armiq për ju tek “Rruga e Elbasanit”, apo tek zyra e kryeministrit, por ju thelloni respektin që njerëzit kanë për ju në Shqipëri.
* * * * * * * * * * * * * * * * *
KE, Fyle: Nuk ka demokraci nëse s’mundemi të shprehemi lirshëm
“Liria e shprehjes nuk garantohet vetëm me miratimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve, por është një vlerë themelore, e cila duhet gjallëruar nga të gjitha shoqëritë dhe pa të cilat, asnjë demokraci nuk mund të funksionojë“. Këtë shprehje ka përdorur Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle në një takim informal që zhvilloi me gazetarë të përzgjedhur nga Ballkani.
Në një komunikatë të djeshme për shtyp, ku sqarohet organizimi i një konference të nivelit të lartë ndërkombëtar enkas për problemet e medias në rajon, nuk jepen më shumë detaje, por është përzgjedhur vetëm kjo shprehje e Komisionerit e cila përmendet fund e krye. Përsëritja në këtë rast shërben për të theksuar nevojën e garantimit të lirisë së medias në vendet e Ballkanit dhe se Komisioni është në dijeni.
Në komunikatën për shtyp theksohet se “liria e shprehjes është një shtyllë themelore për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në shoqëritë demokratike. BE pret që vendet kandidate e potencialisht kandidate të zbatojnë një parim të tillë kyç demokratik”.
Rëndësia që i kushtojnë këtij parimi ka nxitur organizimin e Konferencës që zhvillohet me 6 maj. 400 pjesëmarrës, mes të cilëve dhe gazetarë të kërcënuar, persekutuar apo të sulmuar për idetë e tyre, do të flasin për shkëmbimin e praktikave më të mira e mbi zgjidhjet ndaj sfidave në shtim të lirisë së medias në rajon. Konferenca e Komisionit është emërtuar “Fol”.
* * * * *
UGSH: Vendimi i Ambasadës USA ndaj Shekullit shton efektet censuruese në media
Më poshtë është deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, shpërndarë dje për të gjitha mediat në vend:
“..Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga rasti i paprecedent i ndërprerjes së marrëdhënieve profesionale prej Ambasadës së SHBA-së me gazetën e përditshme “Shekulli”, deri në një njoftim të mëtejshëm. Kjo deklaratë zyrtare, e përcjellë prej zyrtares së Çështjeve Publike të Ambasadës dhe publikuar prej gazetës në datën 15 prill 2011, përbën një rast me domethënie të rëndë dhe fatkeqësisht, ka shkaktuar habi dhe diskutime të shumta mes anëtarësisë së komunitetit të gazetarëve profesionistë të Shqipërisë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, nisur prej rastit në fjalë, shpreh shqetësimin e thellë për një situatë të tillë ku sfida e pafituar e gazetarisë shqiptare me etikën dhe Kodet e Etikës, pason me akte kaq ekstreme dhe të shumëdiskutuara, si ai i Ambasadës së SHBA-së, i cili sipas pikëpamjes sonë, do të pasojë diskutime dhe debate të mëtejshme në media dhe në mjediset e gazetarisë profesionale në vend dhe rajon. Kjo përballje mes vendimit zyrtar të Ambasadës së vendit më mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve me gazetën e përditshme “Shekulli”, e spikatur për qëndrime thellësisht opozitare, mbart në vetvete një situatë me ndikim mjaft negativ për gazetarët dhe bashkëpunëtorët profesionistë të kësaj gazete dhe pse jo edhe gazetarëve të tjerë oponentë dhe kritikë në vend.
Vendimi i Ambasadës së SHBA, i cili vjen pas shkrimit të kolegut Ilir Yzeiri, në të cilin pretendohet dhe konstatojmë, cënim të etikës, mbart një reflektim me pasoja në marrëdhëniet mes politikës vendore dhe mediave, e sidomos gazetarit të lirë në përgjithësi në Shqipërinë e këtyre ditëve me tension dhe “temperaturë” elektorale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, apelon ndaj këtij vendimi të Ambasadës së SHBA-së dhe kolegëve të gazetës “Shekulli” për ndërmarrjen e një akti mirëkuptues, konform rregullave dhe parimeve deontologjike që pasqyrohen edhe në Kodin shqiptar të Etikës. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton Shkëlqesinë e tij, zotin Ambasador, Aleksandër Arvizu për rishikim të këtij vendimi, i cili reflekton pasoja të dukshme dhe të padukshme në cilësinë e mëtejshme të lirisë së mendimit në shtypin shqiptar, përfshi edhe shtimin e efekteve censuruese, në mediat tona në përgjithësi.
Aleksandër Çipa / Kryetar
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë







