Fushata ilegale e PD

0
77

Mero Baze, 17.04.2011

Partia Demokratike po përpiqet të fshehë nga përballja me publikun anëtarët e kabinetit dhe figurat kryesore politike të PD-së, duke lënë gjithë hapësirën mediatike në funksion të ngjizjes së “personalitetit” të Lulëzim Bashës.

Përmes një projekti tërësisht artificial janë larguar nga fushata elektorale në Tiranë figurat kryesore të qeverisë që përfaqësojnë Tiranën, deputetë të saj dhe njerëz që kanë përvojë në drejtim të fushatës elektorale në Tiranë. Kështu për shembull zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, e cila udhëhoqi fushatën e Sokol Olldashit në vitin 2007, po mbahet larg fushatës dhe është zëvendësuar me një çupëlinë që duket sikur do qajë pas çdo rreshti që lexon nëpër lulishtet ku e nxjerr Basha.

Jashtë fushatës në Tiranë janë thuajse gjithë deputetët e PD-së së Tiranës, Florian Mima, Ilir Rusmali, Bujar Nishani Lajla Përnaska etj. Të vetmit nga lista e deputetëve të Tiranës që shfaqen në fushatë janë Bogdani, i cili njihet si njeri që e tërhoqi nga lëvizja Mjaft dhe zyrat e Edi Ramës në PD Lulëzim Basha, si dhe zëvendësministrja Tabaku që ka qenë në listat e pritjes së PD-së. Ky spostim i deputetëve të Tiranës, dhe sidomos atyre emrave që përfaqësojnë PD-në e vjetër në Tiranë, duket më shumë si një kërkesë personale e Bashës për t’u distancuar nga ata që konsiderohen si njerëz autentikë të PD-së dhe për të bërë fushatë me “njerëzit e tij” në PD.

Kjo mund të ketë brenda dhe anën e paranojave të Bashës si kandidat, por është shumë joserioze për Partinë Demokratike që të kalojë në ilegalitet vetëm për t’i lënë prozhektorët e skenës mbi Lulëzim Bashën. Po ashtu as ministrat e qeverisë Berisha nuk po guxojnë shumë të bëhen pjesë e fushatës. Të sigurt se ata rëndojnë imazhin e fushatës së Bashës, Berisha po i mban larg fushatës elektorale sipas parimit të tij tashmë të konsoliduar “me të tjerë fitoj, me të tjerë qeveris, me të tjerë ndaj pushtetin“.

Nuk e di sa ndikon brenda PD-së në Tiranë fakti që deputetet e saj nuk janë pjesë aktive e kësaj fushate, por e sigurt është që kalimi në ilegalitet i PD-së është një hipokrizi e madhe që lexohet që larg. Llogaritë e bëra nga shtabi i Bashës dhe konsulentët e tij janë shumë klienteliste dhe aspak produktive. Është më e lehtë për Bashën ta ndajë imazhin e tij me PD-në dhe njerëzit e saj në parlament dhe qeveri se sa ta lësh vetëm në fushë beteje me 4 arkivole në shpinë dhe një background të rëndë lidhur me shmangien e gjykimit të tij nga drejtësia.

Në një farë mënyre Berisha u ka bërë nder njerëzve të PD-së që nuk i ka përlyer në fushatën e Bashës, por nga ana tjetër i ka provokuar rëndë qytetarët duke i lënë vetëm për vetëm ndaj njeriut që duhet të shkojë para drejtësisë. Thyerja e vetmisë së Lulëzim Bashës në këtë fushatë dhe nxjerrja e PD-së nga ilegaliteti mund ta zbuste këtë situatë. Sado shanse t’i japë Berisha këto 40 ditë, as e bën dot Bashën, njeri me program, as e bën dot me personalitet, dhe aq më pak as e bën dot me “parti të re”. Siç thotë një fjalë e urtë popullore, “zagari nuk ushqehet ditën e gjahut, se nuk vrapon dot”.