Denis Dedej, 16.04.2011
TIRANË – Zëvendësministri i Kulturës, Nikollë Lesi, paralajmëron se do të hapë një “bllok” tjetër, shumë më të rrezikshëm se ai i Ilir Metës për drejtuesit e institucionit ku ai punon. Qëndrimet e ashpra tw numrit dy të Ministrisë së Kulturës vijnë pas publikimit të një autorizimi të ish-ministrit Xhaferri, i cili autorizon zëvendësministren Turku që të drejtojë MKTRS-në deri në emërimin e një drejtuesi të ri. “Autorizoj znj. Suzana Turku, zëvendësministre në MTKRS të zëvendësojë ministrin deri në emërimin e ministrit të ri, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative”,- shkruhet në autorizimin e firmosur nga ish-ministri Xhaferri.
Për zotin Lesi, i cili deri më tani ka qenë vetë i ngarkuar në postin e ministrit deri në dekretimin e drejtuesit të ri të institucionit, ky autorizim nuk është i vlefshëm. I kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, ai akuzon ish-ministrin e Turizmit se e ka nënshkruar këtë dokument që nga restorantet e Durrësit vetëm dy ditë më parë.
Numri dy i MKTRS-së sqaron se është njohur rastësisht dhe jo në mënyrë zyrtare me një autorizim të ish-ministrit Ferdinand Xhaferraj. Sipas Lesit dokumenti në fjalë nuk është urdhër ministri, por thjesht autorizim. Ky dokument sipas tij, “është i paligjshëm, jokushtetues, dhe ka autorizuar kolegen tjetër, zëvendësministren Suzana Turku si ministre në detyrë”.
Lesi tregon se edhe komunikimi nuk ka qenë sipas rregullave: “Unë jam njohur jo në mënyrë zyrtare, pra nuk është mbledhur kolektivi i ministrisë, por kam qenë në një takim tjetër kur më është thënë që është vetëshpallur Suzana Turku ministre në detyrë me një autorizim të ish-ministrit Xhaferri. Pastaj kam kërkuar informacion nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, i cili në mënyrë korrekte më ka thënë tekstualisht që nuk ka urdhër as autorizim të ministrit Xhaferri të lëshuar para largimit të tij nga posti i ministrit”.
Më tej, Lesi sqaron se “ka parë një shkresë zyrtare, me numër protokolli e që mban datën 29 mars, ku sipas tij (Xhaferrit), paska autorizuar ministre në detyrë kolegen Suzana Turku, e cila është një kolege e nderuar”.
Për të, ky është një urdhër i paligjshëm, i pazbatueshëm. Zëvendësministri thotë se do të njohë vetëm ministrin e dekretuar nga kryeministri dhe jo ministra të firmosur nga restorantet e qytetit bregdetar.
“Unë njoh vetëm kryeministrin dhe njoh ministër të dekretuar nga kryeministri, jo ministra të dekretuar ose të autorizuar, ose të firmosur në restorantet e Durrësit këto ditë në fushatë. E theksoj, këta janë ministra të emëruar nga restorantet e Durrësit, të paligjshëm. Nuk po ngre akuza të tjera që mund të jenë dhe prapaskena të këtij autorizimi që pashë sot”,- deklaroi Lesi.
Ai paralajmëron se, “nëse vazhdohet në këtë rrugë të administrimit të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve me këto shkresa, unë detyrohem pastaj që të hap një bllok, jo si të Ilir Metës, por një bllok tjetër shumë më të rrezikshëm për ato që kanë qenë përpara meje”. Numri dy i MKTRS-së thekson se do t’i drejtohet edhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndjekje penale për falsifikimin e dokumenteve.