8 Dhjetori, festa që u kthye në antimiting

0
30

Mero Baze

Nga Mero Baze

8 Dhjetori është një ditë e madhe në historinë e re të Shqipërisë, pasi ajo ishte dita kur u ngjiz lindja e opozitës politike në Shqipëri pas 45 vitesh komunizëm. Çdo përpjekje për ta kujtuar këtë ditë në të kundërt të misionit të saj është një fyerje e madhe për ata studentë, bashkëmoshatarë të mi, që dolën në rrugën Budi pak para mesnatës së 8 dhjetorit duke u përleshur me policinë. Katër ditët që pasuan 8 dhjetorin, janë katër ditët e rrokullisjes së madhe të diktaturës dhe krijimit të Shqipërisë pluraliste.

8 Dhjetori po kujtohet për herë të parë 19 vite më pas. Gjatë këtyre 19 viteve, asnjëherë Partia Demokratike nuk ka bërë ndonjë miting. Përkundër kësaj disa grupe të përcaktuara protagonistësh të Dhjetorit janë përbuzur prej saj. Arsyeja përse dje Sali Berisha thirri në shesh gjithë administratën e shtetit shqiptar dhe nxënësit e shkollave, nuk ka asgjë të përbashkët me respektin për 8 Dhjetorin.

Dje Sali Berisha i ka thirrur ata jo për miting, por për një antimiting të fshehur ndaj protestave të opozitës kundër tij. Ai po përpiqet të përdorë historinë e të tjerëve, se është i pafuqishëm të mbështetet tek e sotmja e tij. Ai po përpiqet të përdorë një ditë, e cila është simbol i lindjes së protestës, për të mbytur një protestë kundër tij. Ai po përpiqet të përdorë një ditë që është simbol i lindjes së opozitës, për të fyer dhe përbuzur opozitën e tij. Ai po përpiqet të bëjë dhe një krim historik. Ai po përpiqet të ndryshojë historinë duke nxjerrë në tribunë në emër të 8 Dhjetorit njerëz që jo vetëm nuk kanë asnjë lidhje me atë datë, por kanë qenë pjesë e rëndësishme e sistemit komunist kundër asaj date. Ky mision i deformuar i 8 Dhjetorit, dhe kjo përpjekje për ta përdorur atë datë kundër misionit për të cilën ajo ka lindur, është një fyerje për shoqërinë shqiptare dhe protagonistët realë të Dhjetorit ’90.

Një bilanc tjetër i hidhur që na e kujton 8 Dhjetori, është polifotoja e Dhjetorit ’90. Kjo polifoto sot nuk mund të botohet, pasi nga gjithë ata që dolën, që nisën vetë Dhjetorin e vitit 1990, ka mbetur vetëm Sali Berisha, që erdhi aty për të ndalur protestën dhe më pas e përdori atë. Ai ka zbuar nga Partia Demokratike të gjithë themeluesit e saj, të gjithë protagonistët e Dhjetorit dhe gjithë ata studentë që kontribuuan për atë ditë. Figurat që ai sot përpiqet të nxjerrë në ekran në emër të Dhjetorit ‘90, tregojnë krizën reale të lidhjes së tij me Dhjetorin e ’90-ës dhe fyerjen që ai i bën në emër të pushtetit personal dhe pushtetit të familjes së tij shpresave të sinqerta të atyre që bënë Dhjetorin e ’90-ës.