Mustafa Nano: Ja pse po e mbyll gazetën time online

0
47


Intervistoi Elona Demollari, 15.04.2011

Publicisti i njohur Mustafa Nano pritet të mbyllë faqen e tij online “ResPublica” për shkak të mungesës së fondeve. Faqja e hapur pak muaj më parë dallohet për frymën opozitare ndaj qeverisë. Në fillim, ajo është financuar nga Universiteti Europian i Tiranës, por ky i fundit e ndërpreu financimin javë më parë.

Faqja është një nga faqet më të vizituara online dhe përmblidhte një numër të konsiderueshëm publicistësh të njohur nga të gjitha trevat shqiptare të rajonit.
Mbyllja e mundshme e saj, do të shënonte, një tjetër humbje në opozicionin cilësor gjithmonë e më të paktë në vend.

Arsyet lidhen me pamundësinë e lartë financiare për të mbijetuar për shkak të klimës represive qeveritare ndaj zërave kritikë, klimë e vënë në dukje disa herë edhe në raportet e fundit ndërkombëtarë mbi gjendjen e medias në Shqipëri. Pas publikimit të lajmit dje në “Shekulli”, i kërkuam një intervistë z. Nano.

Pyetje: Është e vërtetë? Do ta mbyllni “Respublica”-n?
Përgjigje: Po, do ta mbyll.

Pyetje: Arsyet janë financiare?
Përgjigje: Kryesisht financiare. Por edhe sepse më lodhi kjo punë. Por prapë aty jemi, tek financimi. Më lodhi ngaqë s’kisha lekë. Po të kisha ca lekë, mund të punësoja dikë e mund të “delegoja” detyra.

Pyetje: Dikush thoshte në Rrjet, se “më çudit ky lajmi i mbylljes për arsye financiare, pasi blogu nuk ka nevojë fare për financime”.
Përgjigje: Ou? Po puna është se bëhet një ngatërresë në këtë mes.

Pyetje: Çfarë?
Përgjigje: Po të ish blog, do të ish ashtu si thotë ai dikush, d.m.th., nuk do të kish nevojë për financime. Blogu bëhet kollaj. Blogu është një ditar personal i dikujt. Ose blogjet më pretencioze, ato interaktive, duan thjesht një student që të shërbejë si moderator diskutimesh, si miratues komentesh, apo si personi që merr shkrime ku të mundë e i hedh si t’ia dojë qejfi në faqen e vet. Po edhe ky studenti i do nja 200-300 euro/muaj. Apo jo?

Pyetje: Ndërsa “Respublica”?
Përgjigje: Website-i respublica.al nuk është blog. Është gazetë online. Deri para një muaji unë publikoja shkrime ekskluzive. Dhe bashkëpunëtorët e mi nuk është se janë internautë të ngeshëm e përtacë, që lumturohen po t’u publikohet diku një shkrim. Përkundrazi, janë njerëz me kokëçarje, ambicie e interesa të mëdha në fusha të tjera të kulturës. Kanë emrin e tyre. Kanë veprat e tyre. Dinë të shkruajnë. Dinë të gjykojnë punët e kësaj bote. Ju mendoni se këta s’duhen paguar?

Pyetje: E keni fjalën për Ardian Vehbiun, Eda Derhemin…?
Përgjigje: Po, dhe për të tjerët që mund t’i shihni të afishuar tek lista e autorëve. Janë njerëz që më kanë bërë nder me gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në këtë nismë timen. E në këmbim kanë marrë honoraret.

Pyetje: Dhe sa para duhen saktësisht për të mbajtur një gazetë online?
Përgjigje: Varet nga gazeta që do të bësh, dhe si do ta bësh. Një gazetë online mund të bëhet dhe me dy mijë euro/muaj, por mund të bëhet dhe me 20 mijë euro/muaj.

Pyetje: Marrim si shembull gazetën konkrete “Respublica.al”.
Përgjigje: Po ja, ju thashë. Duhen paguar honoraret e bashkëpunëtorëve. Më është dashur dhe mua një rrogë, apo jo? Qysh prej shtatorit unë kam punuar 12-14 orë në ditë, çdo ditë, edhe të shtunën, edhe të dielën. S’e kam pasur hak një rrogë? Të mirë, madje?

Pyetje: I keni bërë të gjitha vetë?
Përgjigje: Absolutisht. Për të bërë këtë gazetë më është dashur të lexoj çdo ditë 15-20 gazeta e site të tjera, nga të cilat kam marrë ngacmimet për rubrikën “nanonews”, kam marrë shkrime për t’i përkthyer, për t’i komentuar, për t’i paraphrase-uar, për t’i kontekstualizuar, për t’i sjellë në versione divulgative etj., etj. Kështu që “Respublica” s’ka si të jetë blog.

Pyetje: Ju vjen keq që do t’ju duhet ta mbyllni?
Përgjigje: Jo dhe aq, pasi, siç ju thashë, më ka lodhur ca kjo periudhë. Por ndoshta mund ta mbaj si blog, d.m.th., me shënime të mijat, apo me komente të lexuesve. Shkurt, pa shpenzime. Nuk e di. Është për t’u parë kjo punë.

Pyetje: Pse mendoni se do t’ia vlente të financohej nisma juaj?
Përgjigje: S’di ç’të them. Unë vetë çmoj faktin, që në këtë website merren në mbrojtje e afirmohen vlera dhe këndvështrime liberal-progresiste. Sipas meje, “Respublica” ka qenë dhe është e vetmja qoshe mediatike në botën shqiptare, ku vibron një shqetësim ideologjik, apo doktrinor. Edhe artikujt e përkthyer janë zgjedhur me këtë logjikë. Ndërsa ju si gazetë “Shekulli”, tek lajmi i djeshëm mbi mbylljen e faqes, e shihnit vlerën e gazetës “Respublica.al” tek “qasja e qartë opozitare”.

Është dhe kjo alamet arsye, sidomos në një vend si ky i yni, ku të gjithë aktorët e faktorët me ndikim publik, madje dhe ambasadorët, intelektualët, shoqatat jo fitimprurëse etj., etj., janë rreshtuar me pushtetin.

Pyetje: E si shpjegohet që financimin e deritashëm e ka bërë Universiteti Europian i Tiranës? Ky universitet shquhet për një frymë konservatore në veprimtaritë e politikat e veta të botimit.
Përgjigje: Nuk e di. Për këtë duhet të pyesni H. Çilin. Mund të ketë qenë një trill i tij prej mecenati. Ndoshta!

Pyetje: Nuk keni trokitur diku tjetër për para?
Përgjigje: Si jo? Por paradoksalisht kam trokitur me idenë: do Zoti, s’më ndihmojnë! Ngaqë më ka lodhur vërtet kjo punë. Por më ka bërë përshtypje diçka. Biznesmenët shqiptarë janë të terrorizuar prej pushtetit. Disa syresh do të donin të më ndihmonin (ndër ta ka dhe lexues të zellshëm të site-it), por pa e nxjerrë emrin në shesh. E kuptoni? Jetojmë në një vend, ku biznesmenët vijojnë të kenë frikë nga pushteti.

Kudo biznesmenët do të jepnin para me synimin që t’u mbetej emri dhe t’u dilte nami si financues të një gazete, a të një gjëje me rëndësi publike, ndërsa në këtë vendin tonë janë të gatshëm të të japin para me kusht që emri i tyre të mbahet i fshehtë. Ky fakt e përkufizon regjimin e Tiranës më shumë e më mirë se sa 21 janari.

Pyetje: Është dhe periudhë krize, të cilën shumë biznese e vuajnë…
Përgjigje: Shikoni, në Shqipëri lëviz para e madhe; edhe në fushën e medias e të marketingut politik. Ja, shikoni ata horrat e shoqatës “Zgjohu”. Me dhjetëra-mijëra euro kanë gjetur (e kam lexuar në gazeta këtë fakt). Kollaj-kollaj. Dhe dihet përse i kanë përdorur.

Pyetje: Po tani çfarë do të bëni?
Përgjigje: Unë do të bëj atë që kam bërë gjithmonë. Do të shkruaj për ndonjë gazetë, do të bëj ndonjë program televiziv, e do t’i kthehem regjimit të parë: do të fle kur të dua, do të zgjohem kur të dua, do të kem kohë më shumë për të lexuar e për të shkruar për qejf.