Nga Mero Baze, 2 Shkurt 2013
Ilir Meta, i cili për një farë kohe tentoi të shpallte veten si partia më e kërkuar për koalicion, ka së paku nja dy javë që po kërkon me çdo kusht të gjej dikë që ta pranojë në koalicion. Pasi i konsumoi lojërat me Partinë Socialiste dhe nazet me Partinë Demokratike, pasi dështoi t’i bënte presion Berishës me koalicionin hipotetik me Shpëtim Idrizin, së fundmi po përpiqet të sponsorizojë mediatikisht një koalicion të tij me partinë e Bamir Topit dhe Vangjel Dules.
Nga mënyra se si po i serviret opinionit kjo përpjekje e tij, rrezaton më shumë shqetësimin e tij që nuk e pranon askush në koalicion, se ndonjë plan veprimi konkret. Në këtë fushatë është përfshirë ethshëm dhe Lulëzim Basha dhe media afër tij, të cilët e duan doemos Ilir Metën në një koalicion me Bamir Topin dhe Vangjel Dulen, për të pastruar figurën e tij.
Ky koalicion së pari nuk është konfirmuar as nga Bamir Topi dhe as nga Vangjel Dule. Përpjekja për t’i shkëputur Dules një fjali kortezie si një plan veprimi është banale dhe ilustron më shumë dëshirën e Ilir Metës për të qenë në atë koalicion se sa ndonjë plan konkret.
Koalicioni së dyti është i dëmshëm nga pikëpamja politike, sidomos për Bamir Topin. Me agresivitetin që ka dhe lidhjet me PD, plus komisionarët e saj, Ilir Meta do ta përdorë Bamir Topin jo vetëm për votat që ai ka në Shqipërinë e Mesme, por dhe për të shmangur goditjet politike ndaj tij në fushatë. Duke u shkelur syrin demokratëve se do të rikthejë votat e Topit dhe Dules në koalicion me Berishën pas zgjedhjeve, dhe duke u shkelur syrin socialistëve se kështu po dobëson Doktorin, Meta në fakt ka bërë një plan foshnjor, për të ngecur në një koalicion, i cili nuk ka asnjë interes politik dhe moral të jetë aleat me të.
Bamir Topi është një figurë qendrore e Partisë Demokratike, ish- nënkryetar i saj dhe President i Republikës dhe ai po tenton të qëndrojë më vete në këtë fushatë për të ruajtur identitetin e tij të djathtë. Nëse ai do nisej nga parimet e një opozitari, duhet të hyjë në administrativ votash me opozitën dhe të fuqizojë numrat e vet brenda atij koalicioni, por nuk e bën këtë me arsyetimin se është i djathtë dhe nuk bën koalicion me të majtën para zgjedhjeve. Nëse nuk e bën me të majtën e madhe dhe opozitare, nuk ka asnjë logjikë ta bëjë me të majtën e vogël dhe të kompromentuar politikisht dhe moralisht.
Nga ana tjetër nëse Topi ka ndërmend të bëjë një koalicion parazgjedhor me pushtetin, nuk ka pse e bën me pjesën më të korruptuar të tij, kur mund ta bëjë fare mirë me Partinë Demokratike, nga e cila është shkëputur. Pra, Bamir Topi ka plot arsye për të bërë koalicion si me PD dhe me PS, por e vetmja parti me të cilën nuk ka arsye të bëjë, është një parti e majtë me pushtetin me të cilin ai është në luftë.
Ky koalicion është i pakombinueshëm dhe nga pikëpamja elektorale. Nëse Topi me Dulen ka sens të bashkëpunojnë pasi njëri merr shumë vota në Shqipëri të Mesme dhe tjetri shumë vota në Jug duke ndihmuar njëri- tjetrin, nëse përfshijnë dhe Metën në këtë skemë, ata rrezikojnë të humbasin bastionet e tyre nën horizontalitetin politik të Ilir Metës dhe agresivitetin e strukturave të tij zhvatëse elektorale.
Pra, një koalicion i tillë nuk ka logjikë politike, morale dhe elektorale. Koalicioni mes Topit dhe Dules është një tjetër gjë, dhe ka logjikë si politike ashtu dhe elektorale. Ato janë dy parti të qendrës, me profil të moderuar dhe larg komprometimit politik të Ilir Metës. Kanë të dyja bastionet e tyre dhe po ashtu kanë shansin të shpërndajnë komisionerët e PBDNJ sipas rëndësisë që kanë bastionet e tyre. Të dy partitë kanë frymë opozitare dhe janë për ndryshimin. Në këtë pikë koalicioni i tyre mund të përbëjë një Pol të Tretë, por pa të tretin e përfolur, Ilir Metën. Ai më së shumti ka shanse të përfundojë në koalicion me Berishën, dhe hallakatjet e tij nga një pol në tjetrin, janë thjesht presione mbi Berishën për t’i dhënë deputetë në tavolinë.
Përpjekja e Metës për t’u ngjitur partive të moderuara opozitare, dhe nga ana tjetër fushata e tij agresive kundër strukturave të Partisë Socialiste, tregon në të vërtetë nervozizmin e tij për sorollatjen nëpër kallmishtat e kënetës në të cilën ka hyrë.
Ai nga një anë përpiqet të ndezë debate brenda Partisë Socialiste, duke blerë këshilltarë lokalë si në Sarandë, apo duke sajuar kandidatë për deputetë nga figura të medies, që janë kritikë me të, dhe nga ana tjetër tenton t’i rrisë pazarin Berishës duke i bërë presion me koalicione të mundshme me kundërshtarët e tij.
Në të vërtetë ky është pozicioni më poshtërues që ai ka pasur në skenën politike qysh nga shfaqja e kasetës. Edhe pse të gjithë bëjnë sikur e kanë harruar, sa herë që ai u ofron diçka të gjithëve u kujtohet kaseta dhe bëjnë sikur nuk dëgjojnë ofertën e tij. Dhe është kjo arsyeja që kemi dy javë që shurdhohemi nga lajme që nuk janë të vërteta, por të prodhuara nga ai, për shkak të pozitës me poshtëruese në të cilën ndodhet, kur askush nuk ka dëshirë t’u kërkojë vota shqiptarëve, me të në krah.