Ndjesë për trukun ndaj zotit Basha

0
66


Nga Mero Baze

Po detyrohem të tregoj një truk që kam bërë dje në gazetë. Në rubrikën “Antena brenda familjes” deshëm të shkruanim diçka për takimin e Bashës me intelektualët, që do të mbahej të mërkurën(dmth sot). Personazhi i rubrikës, i njohur si “Sandri”, do ta këshillonte atë se çfarë të fliste me intelektualët. Këtu nisi dhe truku. Duke parë se Basha s’ka asnjë ide origjinale të vetën në këtë fushatë, hapa premtimet e Sokol Olldashit dhe Spartak Ngjelës dhe mora “copy/paste” copa idesh nga ato të kandidatëve paraardhës. Ajo që ndodhi është e pabesueshme.

Lulëzim Basha tha para intelektualëve fiks ato gjëra që ne kishim “parashikuar” duke u nisur nga programet e dy paraardhësve të vet. Bile dhe spotin e tij për Tiranën, si për ta bërë më komike situatën, e ka xhiruar në të njëjtin sfond, dhe gati me të njëjtin model si spoti i Olldashit në vitin 2007, në majë të kullës së Bashkim Ulajt.

Unë nuk di si janë ndjerë ata që ishin në sallë kur Luli praktikisht ua ka lexuar atyre si program rubrikën e humorit të gazetës Tema, por në të vërtetë ana serioze e kësaj historie është se ne kemi përballë një njeri pa asnjë ide të vetën dhe pa asnjë grimë personaliteti për të drejtuar kryeqytetin. Në të vërtetë nga tri paraardhësit e Bashës, Ngjela ka pasur një program të mbështetur mbi parimet e lirisë së tregut dhe Olldashi një program më të përzierë, por shumë tokësor.

Basha rezulton të mos jetë as në tokë as në qiell me ato që thotë pa ua ditur dhe kuptimin, dhe nga teatraliteti me të cilin përpiqet t’i prezantojë si ide të vetat. Është aq qesharake fushata e tij në Tiranë, saqë siç e panë gjithë shqiptarët, i vetmi argument është që këshilltarët e tij kanë blerë “like” pa fund në Facebook dhe ia kanë kaluar faqes së Edi Ramës, por që është ende pas faqes së Lek Plepit.

Çdo njeri me një grimë të vogël personaliteti do paguante që kjo shaka të mos bëhej publike. Mirë Berisha që nuk kupton nga interneti dhe e di atë shesh mitingu duke i matur njerëzit me kokë për metër katror, por njerëzit që e rrethojnë atë e dinë së paku se ai nuk është duke luajtur Poker apo City Ville me Edi Ramën në Facebook, por në kryeqytet.

Cektësia e tij po kthehet në një problem real, edhe për një arsye thelbësore në raportet e tij me PD. Lulëzim Basha duket se bashkë me fushatën e tij, do të prodhojë një Parti të Re Demokratike brenda PD-së, një parti apo një klan strukturash, që t’i ketë të “vetët” për luftërat e vogla brenda asaj partie.

Stafi i tij i këshilltarëve janë tërësisht stafe që vijnë nga e majta, bile për vite të tëra luftëtarë të vendosur kundër PD-së. Grupi i tij më i afërt në fushatë, është grupi që ka drejtuar fushatën kundër Sokol Olldashit në vitin 2007, dhe distanca me PD është krijuar dhe fizikisht duke marrë zyra jashtë saj. Kjo ka bërë që ai të jetë një grumbull pikëpyetjesh për çdo problem të Tiranës. Shikoni qëndrimin e tij ndaj Piramidës.

Berisha thotë do ta prishim, Topalli ka filluar të ndërtojë parlamentin, kurse Basha thotë është mirë mos ta prishim se më del keq sondazhi. Shikoni qëndrimin ndaj betonizimit të Parkut Kombëtar. Berisha ndryshon destinacionin në kohën kur Basha ishte Ministër i Transportit dhe rregullimit të territorit, pra me autorizim të Bashës projektohet ideja e ndërtimeve tek Liqeni.

Berisha e miraton duke ia dhënë 53 për qind të sipërfaqes së ndërtimit ndërtuesit të Familjes së tij, ndryshon destinacionin e zonës përreth stadiumit Qemal Stafa për t’i dhënë Frangajt dhe Zamir Manes leje për të ndërtuar një kompleks në zemër të zonës kreative ngjitur me Parkun Kombëtar, dhe tashmë që klientët e tij i morën lejet, ky flet për anulime lejesh. Shikoni si flet për decentralizim kompetencash ndërkohë që vetëm para një jave qeveria i mori dhe një copë tokë që Bashkia kishte pas Pallatit të Kulturës pasi i duhet klientelës së qeverisë për ndërtim.

Pra, në gjithë atë që ai tenton ta quajë program të tij për Tiranën, nuk ka një ide të vetën, qoftë dhe të gabuar për qytetin, por ka një grumbull idesh që reflektojnë paqartësinë e tij se çfarë është mirë për të marrë vota dhe çfarë është keq. Po i thanë që me Piramidën humbet pikë, tërhiqet ndërkohë që nga kjo mund të humbasë pikë Edi Rama që është i majtë dhe jo një i djathtë.

Del e thotë që unë jam konservator i dhimbsur, por gruan dhe vajzën nuk pranon t’i bëjë me shtetësi shqiptare, por i mban në Holandë. Thotë që do të jem transparent për qytetarët e Tiranës, ndërkohë që jo vetëm në ndërgjegjen e tij, por në dokumentet e shtetit shqiptar, ai po fsheh dhe falsifikon çdo ditë të dhënat mbi një krim shtetëror që ka marrë katër jetë njerëzish më 21 janar dhe po vazhdon të vrasë, me peshën e dhimbjes që prodhoi, çdo ditë pasardhës të familjeve të viktimave.

Ky njeri ka një problem të madh me të vërtetën që duhet të njohë dhe të pranojë, dhe pastaj me atë çfarë duhet të bëjë. Ky as di ç’ka bërë, as di ç’po bën, dhe as di ç’do të bëjë. Ky di vetëm që s’ka qenë askush, e kanë bërë dikush dhe duan ta bëjnë gjithkush. Dhe një njeri që s’ka fatin e tij në dorë, e ke pak të vështirë t’i besosh fatin e kryeqytetit.

Unë mund t’i kërkoj ndjesë atij për trukun që i kemi bërë duke i paracaktuar fjalimin që do lexonte me intelektualët e PD-së, por dhe këtu kam dyshimin që ai as këtë nuk e kupton.