XHANOJA E FILMIT PËR FËMIJË, XHANOJA E TË GJITHËVE…

0
43

(Përsiatje rreth librit “Vitet e jetës sime” të regjisores së paharruar Xhanfise Keko)

Nga Skifter Këlliçi, Boston, SHBA

Prolog

Sapo kisha mbaruar së lexuari librin me kujtime “Vitët e jetës sime” të Xhanfize Kekos, regjisores së madhe të filmit për fëmijë, që u nda nga ne më 2007, libër që ma ka dhuruar djali i saj, Iliri, regjisor në RTVSH, kur në apartamentin tim ia behën dy miq, burrë e grua, me djalin e tyre 10-vjeçar. Kjo vizitë do të mbetej nga ato të zakonshmet, sikur para se ata të largoheshin, djali t’i afrohej tryezës, ta merrte atë libër në duar dhe duke treguar me gisht në ballinë foton e saj, të thoshte:

– Teto Xhanoja…

E pra, ai ka lindur në Kuinci, (Boston), ku jetoj prej më shumë se 12 vjetësh.

Siç më thanë pastaj prindërit e tij, e kishte parë atë vetëm një herë në Tiranë, madje rrugës, kur ishte kthyer atje bashkë me ta dhe, e kishte parë më pas edhe diku në një ekran kanali televiziv, kur po jepte intervistë. Kjo kishte ndodhur kur ai kishte qenë vetem… pesë vjeç. Por shumë nga filmat e saj i kishte parë që atëherë në televizor. Dhe i shihte edhë në këtu në Amerikë nëpërmjet stacioneve televizive shqiptare, madje dhe kompjuterit.

Kur ata u larguan, e mora sërishmi në duar librin e porsalexuar, e shfletova dhe m’u bë se nëpërmjet faqeve të tij, si avuj të padukshën po ngriheshin copëza ngjarjesh të cilat kishte përjetuar Xhanfise Kekoja, por që lidheshin edhe me mua vite e vite më parë, kur edhe unë, si tërë bashkëmoshatarët e mi, kisha nisur të kridhesha në botën aq magjike të filmit, disa nga të ua blatoj lexuesve në këto përsijatje.

* * *

“Ishte viti 1947,-shkruan Xhanfiseja në librin e saj.

– Kisha filluar punën si biletashitëse në kinema “Republika”. Gëzimi imi shte i papërmbajtur . Sa mbaroja mësimet, vrapoja në një cep të sallës dhe shikja cfarë mrekullie ndodhte në ekran. Ky ka qenë dhe mbetet kontakti im i parë me filmin. Duke kujtuar këtë moment, sot nuk di ta shpjegoj se për cfarë arsyejeje, megjithëse në qytetin tim të lindjes, në Gjirokastër kishte kinema, unë nuk kisha shkuar kurr atje.” (faqe 30).

E pra, një pasdite dimri të vitit 1947 para biletarisë së kinema “Republikës”, që në kohën e pushtimit fashist quhej “Imperial”, një fëmijë nja 9 vjeç, aq sa isha edhe unë atëherë, humbi biletën. Zuri të qante se biletaprerësi, me gjithë lutjet e tij përgjëruese, nuk e linte të futej në kinema. Atëherë biletashitësja, një vajzë e hajthme, shumë e re, sec i pëshpëriti në vesh biletaprerësit, pastaj e mori fëmijën për dore edhe e shoqëroi deri në sallën e shfaqjes.

Mua dhe shokëve të mi kjo na bëri shumë përshtyje…

Një mesditë prilli e vitit 1952…Ne nxënësit e vitit të parë të Gjimnazit “Qemal Stafa “ të Tiranës, me të mbaruar mësimet, shkuam për punë vullnetare në një ndërtesë të madhe, andej nga mali i Dajtit.Godina, sic na thanë mësuesit ëë na shoqëronin,pasi të mbaronte së ndërtuari, do të ishte kinostudio, me fjalë tjera një farë fabrike ku prodhohen filma, që neve kalamajve na pëlqenin së tepërmi. U mrekulluam me mjediset e kësaj vepre madhështore. Dhe pamë edhe të rinj që merrnin e jepnin midis tyre duke hyrë sa në një dhomë, në tjetrën. Mësuesit na thanë se ata ishin punonjësit e ardhëshëm të kinostudios. Ndër ta, një vajzë që më kujtoi biletashitësen e viteve të shkuara… por tashmë me e bëshme.

“Deri më 10 korrik të vitit 1952, -shkruan Xhanfise Keko në librin e saj “Ditë nga jeta ime”, -kur Kinostudioja “Shqipëria e Re” do të inaugurohej, ne shkonim atje herë me mjete të rastit,herë me autobus, hërë më këmbë, pasi transporti ende nuk ishte stabilizuar…”(faqe 51).

10 korrik 1952. U përurua Kinostudioja. I vogël, vetëm 14 –vjeçar, nuk kam qenë në këtë përurim, por fotot e tij i kam parë që atëherë. Në njerën prej tyre një vajzë veshur me një fustan me pika të bardha i jep gërshërët Enver Hoxhës që pret shiritin…

Përsëri kjo vajzë më kujtonte atë që kisha parë atë ditë që bënim punë vullnetare në kinostudion që po ndërtohej, madje edhe atë biletashitësen…

“Pasi të ftuarit zënë vend, – shkruan Xhanfisesja në libër, – dhe u fikën dritat, filloi të projektohej Kinoditari nr. 1. Nuk di si nuk më ka pushuar zemra ato caste nga emocioni… Pa u ndezur mirë dritat, Enver Hoxha duartrokiti i pari dhe u dha dorën atyre që kishte pranë…”(faqe 54).

Gusht i viti 1958…student i vitit të tretë të fakultetit histori-filologji të UT.Kisha filluar të lexoja rubrika artistike e kulturore në Radio Tirana,madje të merrja pjesë dhe emisionet e lajmeve dhe,vec tyre edhe shkoja në Kinostudio dhe lexoja edhe tekste të kinoditarëve. Tashmë isha 20 vjec. Dhe midis punonjësve që më zinte syri në studiot e filmit,pikasja përsëri atë vajën që kisha parë dikur…atë biletashitesen, të ngjashme me atë të fotos së përurimit të Kinostudios… Madje edhe më një djalosh shpatullgjërë pranë.

Një ditë e pyeta Koço Tollkon, operatorin e zërit, me të cilin më lidhte puna gjatë regjistrimit të teksteve të kinoditarëve, se cila ishte ajo vajzë dhe ai djalë pranë saj.

– Xhanfise Keko, teknike e montazhit dhe ai djali burri i saj Endri, – më shpegoi pastaj Kocoja dhe shtoi se pikërisht ajo kishte qenë biletashitëse e pastaj së bashku me Endrin kishte shkuar me studime në Bashkimin Sovjetik, ku ata të dy ishin dashuruar dhe pastaj martuar…Vec këtyre, pikërisht ajo ishte edhe vajza e fotos së përurimit të Kinostudios.

Në librin “Ditë nga jeta ime”, Xhanfiseja përshkruan punën e saj në ato vite si montazhiere e sa e sa kinoditarëve dhe kinoreportazheve, ndalet edhe te viti tragjik 1956, kur pas Konferencës së Tiranës diktatori Enver Hoxha sulmoi egërsisht tërë komunistët që u ngritën e diskutuan për zhvillimet demokratike në jetën e partisë, nën ndikimin e Kongresit të 20-të të PK të BS, shkruan me dhëmbje për dënimin e Viktor Stratoberdhës, i cili së bashku me regjizorin e madh sovjetik, Jutkjeciv, drejtuan xhirimet e filmit “Skënderbeu”, shkruan edhe për Nesti Zoton drejtor i Kinostudios, i cili, si Viktori, u pushua nga puna dhe u internua, si shumë e shumë komunistë të tjerë që guxuan të kritikonin në këtë konferencë udhëheqjen e lartë të Partisë e cila ishte shkëputur nga populli i vuajtur, kurse vetë po zhytej në të mira materiale.Mbi të gjitha, ajo nuk lë pa përshkruar edhe lindjen e dy fëmjëve,së pari të Ilirit, më 1952 dhe më 1958 të Teodorit, të cilët kur do të rriteshin, do të ndiqnin traditën e prindërvë të tyre, Xhanos dhe Endrit.

Viti 1971 ishte viti kur pata rast të njihesha së afërmi me Xhanfisen. Ishte viti kur ajo së bashku me skenaristin e njohur, Peci Dado, kishte shkruar skenarin e filmit ‘ABC…ZH”, film dokumentar,por edhe nëtë njetën kohë edhe artistik.Në këtë periudhë, falë përvojës së gjatë, ajo ishte bërë tani regjisore e montazhit,regjisore e filmave dokumentarë, duke bashkëpunuar,jo vetëm me të shoqin,Endrin,por edhe me regjizorë të njohur të filmit artistik, si Hysen Hakani dhe Dhimitër Anagnosti etj.

Duke kujtuar këtë film, në librin e saj Xhanfiseja shkruan:”Ajo që më mbetet të them sot është se mësuseja Henrieta Bimbashi dhe operatori Niko Theodosi kanë meritën e madhe që filmi tingëlloi aq natyrshëm. E para, për atmosferën që krijoi në klasë me fëmjët .I dyti, për xhirimet me kamerën e fshehtë.”(faqe 117).

Mirëpo Henrieta, mësuese vërtet shumë talentuar, ishte gruaja e pr. Hilmiut, djalit të hallës sime. Ndaj, pas premierës së filmit, që pati sukses të plotë, u përshendeta me Xhanon, e urova dhe kur një vit më pas,i shoqi, Endri filloi të punonte regjisor në TVSH,ku unë isha redaktor letrar dhe komentator sportiv,atëherë miqësia ime me të u bë edhe më e madhe.

Pas realizimit të këtij filmi shumë origjinal, Xhanfiseja, fitoi besim në vetevete ndaj në librin e saj shkruan:“E ndieja se tashmë se kisha kaluar tërësisht në krahun e filmit artistik”(Po aty).
Dhe kishte plotësisht të drejtë. Nga viti 1972 ajo, sic përshkruhet në libër, Xhanoja solli të papritura të mëdha në Kinostudion ”Shqipëria e Re”-realizimin si regjisore të filmave artistikë “Kryengritje në pallat”, ”Mimoza llastica”, ”Tinguj të luftës”, ”Tomka dhe shokët e tij” dhe, mbi të gjitha të filmit “Beni ecën vetë”, krijim i rrallë, falë edhe skenarit të mrekullueshëm të shkrimtarit të njohur Kiço Blushi, të tërë për fëmijë, duke e vënë kështu vetën në radhën e regjisorëve më të mirë të kinematografisë shqiptare të të gjitha kohërave.

Viti 1978… Mbi bazën e romanit tim për fëmijë “Pas gjurmëve’”kisha shkruar skenarin me të njejtin titull, i cili në konkursin e shpallur nga Kinostudioja më 1972 kishte fituar cmimin e tretë. Por asnjeri nga regjisorët “nuk e kishte zënë për bishti”, ndoshta meqë ishte për… fëmjë…

“Me skenarin “Pas gjurmëve”, – shkruan Xhanfiseja në librin e saj, – rashë ne kontakt për herë të parë më 10 dhjetor 1977, pasi ai ishte diskutuar në redaksisnë e filmit. Po atë ditë zhvillova bisedën e parë me autorin e skenarit, Skifter Këllici. Mbaj mend se ai më falenderoi për vemendjen ndaj skenarit të tij dhe mbi të gjitha u tregua i gatshëm të bashkëpunonim për cdo verejtje dhe sugjerim.”(faqe 201).

Dhe kështu është. Pas filmit të gjatë dokumentar “Nëpër fushat e futbollit”, prodhuar nga Kinostudioja më 1973,sipas skenarit tim, falë Xhanfisesë po bëja një hap tjetër, këtë radhë edhe më të madh, – në fushë e filmit artistik, që vite me pas do të pasohej edhe me skenarin e filmit “Fushë e blertë fushë e kuqe,(1985), të regjisorit Gëzim Erebara, me temë sportive.

Ashtu si edhe filmi “Beni ecën vetë“, edhe ky film i ri Xhanifesë, realizuar më 1979, pati sukses të madh tek të vegjëlit. Një ditë shkurti të atij viti ajo më tha se filmin e parë parë ata të “Byrosë Politike”, ku ishte pëlqyer, madje personalisht nga shefi ideologjisë, Ramiz Alia, i cili kishte përgëzuar grupin realizues, pra edhe mua… Edhe ky film, ashtu si “Beni…”, fitoi cmim në festivalin ndërkombëtar të filmit për fëmjë që zhvillohet cdo vit në Xhifoni(Itali).Por, për djall, këtë radhë nuk ishte “special”, por “Cmimi i presidentit të Republikës”,cka solli të papritura komiko-dramatike, të cilat po ua t’ua rrëfej lexuesve të këtij shkrimi.

Në mbëmjen e 2 shtatorit të vitit 1979, kur unë, familiarisht, po bëhesha gati të shkoja në dasmën e martesës me gruan time, Natasha Dulaku, atëherë redaktore e romanit në Shtëpnë Botuese “Naim Frashëri” dhe pastaj gazetare në RTVSH, publicisti i njohur, Napoleon Roshi, përgjegjësi i redaksisë së jashtme në gazetën “Bashkimi”, më erdhi në shtëpi dhe më dha sihariqin se filmi “Pas gjurmëve” kishte fitur cmimin e mësipërm të këtij festivali. Kishte lajm më të mirë se ky për të kremtuar dasmën time!..

Por, cuditërisht lajmi nuk u botua të nesërmen, e diel, në asnjë gazetë dhe nuk u transmetua as në emisionet e RTVSH-së… As të pasnesërmen, asnjëherë… Mora e dhashë me kolegët e mi të shtypit, aq me tepër me Xhanfisenë, e cila më tha nën zë se njoftimi në fjalë nuk jepej në shtyp, sepse çmimi ishte “….i presidentit të Republikës italiane”, me fjalë të tjera, i presidentit të një vendi kapitalist, i cili i jepte cmim filmit të një vendi…socialist.

Dhe të mos harrojmë se aso kohe president i këtij vendi ishte Sandro Pertini,(1986-1990), figurë shumë e dashur dhe popullore në Itali, aq më tepër luftëtar i shquar i Rezistencës antifashiste italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me gjithë ndërhyrjet e Xhanos dhe Endrit, jo vetëm tek drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por dhe tek të njohurit e tyre në Komitetin Qendor, botimi në shtyp i këtij njoftimi për një sukses të madh të artit tonë në arenën ndërkombëtare, nuk u dha që nuk u dha, kur ishte bërë i njohur në shtypin botëror.Dhe kuptohet se ky urdhër vinte nga kupola e kuqe, pra nga Ramiz Alia, për të mos thënë edhe nga vetë Enver Hoxha.

Por ja,në mëngjesin e së së dielës së fundit të janarit të vitit 1980, mora vesh se TVSH-ja do të transmetonte në orën 21.00 filmin ”Pas gjurmëve”.

Vrapova menjëherë në shtëpinë e Alfons Gurashit, gazetar i njohur i mikrofonit dhe kameres në RTVSH, që sot nuk është më midis nesh, i cili kishte miqësi me një nga drejtuesit e Drejtorisë së Shtypit në KQ.Pas një bisede më të Alfonsi më tha se pas njoftimit të transmetitmit të filmit në TVSH-së nga folësja do të shtoheshin fjalët: ”Ky film ka fituar cmimin e tretë në Festivalin e…midis 95 filmash nga shumë vend të botës”.Më së fundi.., ndonëse edhe në këtë rast me një shtrembërim, sepse filmi nuk kishte fituar çmimin e tretë, dhe kjo vetëm e vetëm që të mos përmendej “i mallkuari president i Republikës italiane… “

Të nesërmen Xhanfiseja, Endri dhe nga ana tjetër edhe unë, kur kalonim rrugëve të Tiranës, merrnim përgëzimet më të nxehta nga kushdo që na takonte.Por Xhanoja më falenderonte edhe mua, sepse unë, falë Alfonsit, kisha qenë nismëtar i këtij njoftimi që u përhap menjëherë tek tërë artdashësit shqiptarë.
Më pas, në faqet e librit të saj “Jeta ime”, Xhanfise Keko ndalet te filmat e tjerë artistikë për fëmjë që realizoi më pas: ”Partizani i vogël Velo, (1980), ”Një vonesë e vogël”,(1982), ”Taulanti kërkon një motër,(1984) dhe vecanërisht tek filmi “Kur xhirohej një film,(1981), që shënon një ndër kulmet e krijimtarisë së saj dhe të filmit shqiptar, aq më tepër që ky film është për të rritur dhe në të cilin ajo së bashku me shoqet e saj, shkrimtaret e njohura Natasha Lako dhe Shpresa Vreto, është edhe bashkautore e skenarit.

Pasi skenari, siç shkruan Xhanfiseja në libër,ishte miratuar nga të gjitha hallkat dhe nuk mbetej vecse të fillonin përgatitjet për xhirim,në bisedë me drejtorin e atëhershëm të Kinostudios, ajo mori cuditërisht këtë përgjigje që e tronditi së tepërmi:”Lart kanë mendimin se skenari juaj është kopje e një filmi amerikan që ka qëndruar për një kohë të gjatë në kinematë e Parisit”, (faqe 234).

Në libër regjisorja jonë e madhe përshkruan edhe çaste të tjera dëshpërimi, kur e nxorën në pension të parakohshëm, Endrin, të shoqin dhe kolegun e saj, (1981),kur pësoi goditjen e parë tragjike pas vdekjes së tij nga kanceri më 1987, kur pësoi edhe goditjen e dytë edhe më të madhe – humbjen e Teodorit, djalit të dytë, shkrimtar, poet dhe publicist i shquar, përsëri nga kanceri, më 2002, por edhe kjo qe një goditje e madhe,aq më shumë me një argument politik, i ca pseudotericienëve të Kupolës së Kuqe, që do të kishte pasur pasoja të rënda.

Por fatmirësisht kjo kaloi shpejt dhe filmi arriti të pëlqehej edhe nga vetë Enver Hoxha që ,sic e përshkruan Xhanoja në libër, e takoi gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të 8-të të PPSH-së nëntor të vitit 1981 dhe e përgëzoi me fjalët: “Urime për filmin…një film që ndihmon gjithë shoqërinë”,(faqe 252). (A e dinte ai vallë, se Xhanoja, siç e përshkruan në libër dhe siç më është shprehur edhe mua atëherë në konfidencë, ngrihej si” gjithë shoqëria”, pra populli, në pikë të mëngjesit për të blerë tri shishe qumësht,se kur kishte dëshirë të rrëkëllente një gotë raki në mbrëmjë me Endrin e kolëgë që i vinin në shtëpi, nuk kishte pak djathë, ndonjë kokërr vezë, pale… pak mish?)

…Para se të largohesha nga Shqipëria, në mars të vitit 1999, u përshendeta me Xhanon. M’u duk e zbehtë…Sikur kishte filluar të lodhej nga një jetë, me kaq ngazëllime që i solli arti, por dhe me kaq hidhërime që i solli jeta, një grua qe meritonte një pleqëri të qetë, pa telashe, që kishin kaluar dhe kalonin shumë e shumë artistë të tjerë si ajo, një grua, siç shkruan në libër, që pati peng se nuk mundi, veç të tjerash, të bënte një film me skenarin e të birit, Dorit, shkrimtar, me aq të ardhme.

”Ishte e shtunë dhe mëngjes herët, kur nëna ime u nda nga jeta, më 22 dhjetor 2007,-shkruan në pasthënie të librit, djali tjetër i saj, Iliri. – Për fat të keq, nuk arriti t’i shihte të botuara kujtimet që i titulloi ”Ditët e jetës sime”. (Dhe mua m’u kujtua që kështu nuk i pa të botuara kujtimet e tij edhe kineasti i shquar Viktor Gjika, shuar më 2009, kujtime për të cilat kam shkruar gjithashtu një shkrim të tillë, si ky i sotmi për Xhanon).

Epilog

Ai djali 10-vjeçar preku librin që kisha lënë në tyezë dhe duke treguar me gisht foton në ballinën e tij, tha: ”Teto Xhanoja”. Ai nuk e ka lexuar librin e saj me kujtime. Dhe nuk di nesë do ta lexojë. Por ç’rëndësi ka. Ai, si unë dhe si shumëkush, ka parë filmat e saj, që na kanë shoqëruar prej shumë e shumë vitesh e që nuk do të na shlyhen kurrsesi nga kujtesa, filma që janë pjesë e jetës sonë, ndaj kur kujtojmë atë, themi: ”Xhanoja e filmit për fëmijë, Xhanoja e të gjithëve”.