Lufta e vogël e përkorë

0
49

Tiranë, 12 prill 2011 – Nga puna disavjeçare kërkimore në terren, dëshmitë nga gra të dhunuara në luftën e fundit, rezultoi “Lufta e vogël e përkorë”, roman dokumentar i Elvira Donesit që sot hidhet në qarkullim në Itali nga “Einaudi”.

Romani është pajisur me parathënie të shkruar nga Roberto Saviano, autori i “Gomorrës”. “Shekulli” po e boton një fragment të opinionit të tij i cili, qysh në fillim e çliron lexuesin, së pari, nga një paragjykim për vepra ku autori nuk mund të jetë i njëanshëm.

Së paku Saviano, si një nga lexuesit e parë të këtij romani dhe si shkrimtar politik, na garanton se nuk ka te “Lufta” asnjë simpati për luftëtarët shqiptarë që u vendosën në front ndaj ushtrisë serbe për pastrimin etnik të Milosheviçit. Nuk ka shumë pyetje, dyshime e hetime për origjinën e UÇK-së dhe aktivitetin e saj.

Autorja është shkrimtare shqiptare që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe prej pak vitesh librat i shkruan italisht, gjuha e saj e adoptuar. Kështu që, si shqiptare, merret me mend që ndaj 78 ditëve të bombardimit mbi Kosovë e Serbi, interesi i saj nuk ishte thjesht profesional.

Dones, siç na bën të ditur ajo me rastin e daljes së dritë të romani, ndoshta i pari i këtij lloji në botën shqiptare, ka bërë një kthim te formula e shkrimit të një “non-fictional novel”: “Duke mos dashur të shkruaja një reportazh lufte e njëkohësisht duke besuar se shpesh letërsia është me depërtuese ngaqë kthen në fiksion masat e të përndjekurve, të të masakruarve, të shifrave, u jep atyre fytyra, emra të përveçëm (shifrat, masat, jo rrallë bëhen gati të papërfillshme në cektësinëe botës që vështron nga jashtë), nuk pati dyshim tek unë se dosjetë e grumbulluar mbi luftën e Kosovës si edhe shkuarja në terren për të mbledhur dëshmitë e miqve kosovarë, të njerëzve të panjohur, të kujtdo që do të ishte i gatshëm të më besonte qoftë edhe një “arnë” sado të vogël të asaj lufte, ishte mënyra më e volitshme, që më shumë më përshtatej.”

E kishte përdorur këtë metodë për “Yjet nuk vishen kështu”, roman për femrën shqiptare në Perëndim. E tani fati i gruas në Kosovë në mars-qershor 1999, në Prishtinë.
U projektua kjo histori dhjetorin e parë të pasluftës, kur autorja kishte zbritur në Prishtinë, e ftuar nga një shoqatë për gruan, për disa takime mbi librin “Yjet nuk vishen kështu”.

Kujton: “Ato gra sapo kishin kaluar atë që kishin kaluar e më ftonin mua, me të paktat para që kishin asokohe në dorë për aktivitete të tilla nga Perëndimi. Më bujtën në Hotel Grand, e ku tjetër atëhere? Ishte dhjetori i parë i pasluftës. Nga dritarja e katit të pestë – dhoma ishte një drejtkëndësh i zymtë me njolla gjaku të ngrirë në moketin e vjetër e tryezën e fiksuar në dysheme në mënyrë të çuditshme, nga ajo dhomë shiheshin mënxyrat e djegieve atjejashtë.

Nuk ishte aspak e vështirë të imagjinoja (kisha lënë pas, në shtëpi, një arkiv të tërë gazetash të ndarë me data, orë, tituj të gazetave më të mëdha mes Europës e Amerikës mbi gjithçka kish ndodhur). Por zbritja në Prishtinë atë dimër ishte thjesht makthi që prekej me dorë, sepse fryma e asaj dhembjeje ishte në çdo fytyrë njeriu, në çdo cep rruge, në çdo njollë të përtharë.

Takimet që zhvilluam, në shtëpitë e aktivisteve, të grave të shoqatës, të pedagogeve e mësueseve të Prishtinës ishin mësimi më i thellë e dinjitoz që kam marrë në jetë. Nuk i dëgjova kurrë ato gra, nëna si unë, vajza të reja e më pak të reja të mburreshin, të theksonin me forcë, t’i jepnin vetes kushedi ç’meritë.”

U kthye disa herë për kërkime në Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë, Drenicë, Pejë.
Shkrimtarja na përshkruan një skenë në një nga këto rikthimet në këto vende: “Në një natë thëllimi mpirës, katër vite pas luftës, ulur kurrizmurit në shiltetë e shtëpisë së një të veje kosovare të përdhunuar, oda e mbushur me dhimbje e hije grash të fshatit që erdhën të më besonin historitë e tyre, nuk bëra tjetër veç ngulçova sëbrendshmi.

Nuk duhej të qaja para tyre, pasi ato gra ishin esenciale, flisnin nën zë, kontrollonin dhimbjen me një dinjitet e bukuri të ngjashëm me të tjera dhembje që kisha hasur më parë në cepat të tjerë të martirizuar të botës. Ato rrëfenin, e e vetmja fjalë që me godiste trurin e mishin e shpirtit ishte as në shqip, por në italisht. Mbllaçisja mesveti fjalën Madreterra. Madreterra. Ato gra ishin të gjitha Toka Amë…”

Në këtë kuptim ky libër me titull ironik, nuk e ka fjalën as për ndonjë luftë të vogël e aq më pak të përkorë. “Lufta e grave” e quan Roberto Saviano, këtë roman të vogël, ku në 180 faqe, “ndërthuren me origjinalitet dhe urtësi dy temat narrative – rrethimi dhe kthimi – që kanë ushqyer letërsinë, që nga kohët e Homerit”
Autorja e prezanton librin në Itali në periudhën 9-22 maj, në disa qytete, Gjenovë, Milano, Romë dhe në Panairin e Librit në Torino, një nga panairet e rëndësishëm për letërsinë italiane dhe më gjerë që zhvillohet në qershor.

Pas Feltrinellit, shtëpia botuese me të cilën Dones ka botuar “Yjet nuk vishen kështu” dhe “Hana”, vjen ky bashkëpunim me Einaudin, një shtëpi prestigjioze botuese në Torino. Einaudi ka botuar edhe dy shkrimtare shqiptare që shkruajnë në gjuhën italiane, Ornela Vorpsi dhe Anilda Ibrahimi.

Nëse “Piccola guerra perfetta” do të vijë në shqip, Elvira thotë se libri do të ketë nevojë “për të paktën një miell gegnishtjeje të cilën unë vetë nuk mund ta bëja”. (Marrë nga “Shekulli”)