Agron Kuliçi i kurdisi të gjithë
Nëse me ndodh diçka, e kam nga Sali Berisha dhe unë po i them publikisht se “nuk të kam frikë Sali Berisha”. Ky është mesazhi që ka përcjellë publikisht ish i dënuari politik Skënder Tufa, njeriu që intervistoi për herë të parë në vitin 2002, Hysen Shoshorin. Emisioni investigativ “Xhungël” i transmetuar dje në mbrëmje në NEWS 24, solli dëshmi të reja në lidhje me dosjen e titulluar “Dëshmitari”. Këtë radhë në qëndër të emisionit ishte dëshmia e bashkëvuajtësit të burgut të Hysen Shoshorit, Skënder Tufës, njeriut që pasi publikoi për herë të parë intervistën iu nënshtruar një presioni dhe kërcënimi deri me eleminim fizik.
“Do të të fusim në një gropë ku nuk do të gjejnë dot as ata që të groposën”, ka qenë kërcënimi që i është bërë Tufës në prani të një miku të tij pranë lokalit ku punon. Në rrëfimin e tij Tufa midis të tjerash tregon se çfarë pasojash pati, pasi u vizitua në burgun e Shën Kollit, nga një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit. Më poshtë po botojmë intervistën e publikuar në emisionin “Xhungël”, të realizuar Skënder Tufën.
Kur jeni arrestuar dhe cila ishte akuza ndaj jush?
Unë jam arrestuar në vitin 1980 për pjesëmarrje në organizatë kundër revolucionit me nenin 57 të asaj kohe dhe për agjitacion dhe propagandë me 18 vjet heqje lirie. Jam liruar në vitin 1991, burgun e kam bërë në Spaç, në Qafë-Bari dhe së fundmi jam liruar nga burgun e Sarandës. Dënimin e parë jam dënuar bashkë me pesë persona të tjerë për pjesëmarrje në organizatë.
Çfarë ndodhi më pas me familjen tuaj?
Ne jemi nga Tirana, më saktë nga Zallheri, kemi 70 vjet në Tiranë. Me burgosjen e vëllait tim, me burgosjen time dhe të xhaxhait tim, pati pasoja i gjithë fisi. U internua komplet farefisi, familja ime, gjyshja dhe gjyshja ime, të cilët nuk i pashë më, pasi vdiqën kur isha në burg, xhaxhallarët e mi vajtën në internime për arsye të aktivitetit tonë.
Çfarë profesioni kishit dhe ku ishit kur u arrestuat?
Kam qenë tornitor në uzinën “Traktori”. Kisha mbaruar shkollën e mesme dhe isha tornitor. Jam ndaluar kur isha qethur ushtar, isha 18 vjeç e dy muaj, jam arrestuar te shtëpia e xhaxhait tim. Kam vajtur për të mësuar sesi kishte shkuar aksioni i vjedhjes së makinës së shkrimit. Pak më përpara ishte arrestuar xhaxhai, në atë moment me arrestojnë edhe mua.
Si quhej organizata juaj dhe kush bënte pjesë në të?
Organizata quhej ‘Dora e Hekurt’. Ne vinim nga shtresa të persekutuar, babain e kam pasur në burg, xhaxhai im Ahmet Tufa, që ishte kryetar i organizatës kishte të vëllanë në burg politik edhe personat e tjerë, Fatmir Lagaj kishte një vëlla të pushkatuar, Avni Talo, Lulzim Talo kishin pasur persona të burgosur dhe ishin të motivuar për të qenë njerëz të papajtueshëm me regjimin.
Cili ishte aktiviteti juaj?
Aktiviteti ynë i parë ka qenë për t’u marrë një shtypshkronjë, që dështoi. Me atë punë do të merresha unë, do shtypeshin traktet që shpërndaheshin në Tiranë, se traktet shtypeshin me dorë atëherë. Pas kësaj sensibilizimi dhe pasi të verifikonim se do të kishte një anëtarësim të njerëzve dhe të rinisë, që do të ndërgjegjësohej për situatën, atëherë do të hapej një depo armësh që ishte afërisht mes varrit të Bamit dhe uzinës së “Traktorit”. Me ato armë që ishin në atë objekt synohej që të hapej burgu i Spaçit. Dhe duke pasur parasysh që të burgosurit politikë ishin disidenca e vendit.
Pra kjo organizatë nuk pati jetën e gjatë?
Ajo u shkatërrua në momentin kur do të bëhej aksioni i parë, sepse ishte një spiun brenda organizatës. Megjithatë pati rëndësinë e vet se diku e lëshoi jehonën e vet, se një pjesë e rinisë shqiptare nuk pajtohej me regjimin dhe një nga kërkesat e kësaj organizate ishte që të hapej burgu i Spaçit, të thyhej një depo armësh dhe janë hedhur disa trakte në Tiranë me motivin që populli të ndërgjegjësohej për politikën antikombëtare dhe rrënuese që ndiqte qeveria e asaj kohe.
Kur e keni njohur Hysen Shoshorin?
Hysen Shoshorin e kam njohur që në vitin 1981 në Spaç. Kur kam vajtur atje, bashkë me xhaxhanë, jemi pritur nga disa miqtë tanë nga Tirana, që nuk njiheshim, por aktiviteti ynë ka pasur jehonë. Ata na mirëpritën. Ne tregonim për aktivitetin tonë, ai tregonte për aktivitetin e tij, e kështu patëm miqësi me njëri-tjetrin. Kishim pasur aktivitet të përbashkët. Kam qenë 1981-1983, 83-86 në Qafë-Bari, ai ka qenë aty, pas këtij viti kam qenë gjithë kohës me Hysen Shoshorin.
Kur u liruat nga burgu?
Nga burgu jam liruar më 17 mars 1991. Jam liruar në një ditë me Hysen Shoshorin. Në burgun e Sarandës kemi ndjekur lëvizjen Studentore dhe kemi parë në krye të saj, Sali Berishën. Që në atë moment, Hysen Shoshorin, që e kam pasur mik, ka qenë Gjergj Ndreca, Gjergj Livadhin e shumë të tjerë, e dëgjuan fjalën e Hysen Shoshorit, që tha:”ky person nuk mund të jetë lideri i Demokracisë, se ky më ka dalë dëshmitar”.
Kur e përmendi për herë të parë dëshminë e tij Hysen Shoshori?
Ai nuk mund ta përmendte këtë dëshmi, vetëm kur doli si lideri i Dhjetorit, ai e ka përmendur këtë dëshmi. Ka qenë viti 1990, kur ishim në Sarandë. Kur e ka parë në televizor si lider i demokracisë, ka thënë “si ka mundësi të jetë lideri i demokracisë, me këtë do të vijë demokracia, ai më ka dalë dëshmitar mua dhe ka kërkuar ekzekutimin tim në gjyq”. Kemi qenë ne burg, në sallën e televizorit, atje ku shihnin të gjithë, se një televizor ka qenë për burgun.
Kur u liruat kush ju priti ju, po Shoshorin kush e priti?
Atëherë ishte një metodë që vinin autobusë nga çdo rreth, ne kishim autobusin e Tiranës, kemi ardhur me këtë autobus drejt Tiranës. Familja ime ishte në internim dhe mua s’më ka pritur njeri. Po ashtu dhe Hysen Shoshorin, nuk e ka pritur njeri. Atë e ka marrë një person, që nuk dua t’ia përmend emrin, madje ai përfitoi nga përkrahja që i bëri Shoshorit, dhe pothuajse atë natë kam fjetur jashtë në rrugët e Tiranës.
Pas lirimit a e takuat më mikun tuaj?
Mbas 10 ditësh që jam liruar nga burgu, kam takuar Hysen Shoshorin që më ka treguar këtë fakt. Katër ditë pas lirimit nga burgu, kam vajtur te Partia Demokratike, që ishte te “Rruga e Kavajës”, ka hyrë në zyrën e Sali Berishës dhe i ka thënë, që jam Hysen Shoshori. A më njeh? Berisha, sa ka dëgjuar emrin e tij, ka dalë nga zyra dhe i ka bërtitur rojeve që ishin aty, që pse me futni njerëz të panjohur në zyrë, që nga ai moment ai është larguar dhe nuk e ka takuar më Hysen Shoshorin.
Kur filloi të botohej gazeta “Plaga”?
Gazeta realisht ka filluar të botohet në vitin 2000. Por për mungesë fondesh ka dalë shumë rrallë. Ajo dilte falë ndihmës së njerëzve, si Bahri Kokonozi, Bujar Bakalli. Kjo gazetë ishte organ i shoqatës së ish-të burgosurve politikë. Kjo shoqatë lindi si domosdoshmëri e shkëputjes së problemeve të të burgosurve politikë nga çështjet e të përndjekurve politikë. Sepse Sali Berisha nxori shumë tema e teori, njëra nga këta ishte ‘bashkëvuajtës, bashkëfajtorë’. Me këtë term ai futi të gjithë shqiptarët bashkëvuajtës dhe të gjithë shqiptarët bashkëfajtorë, duke mos e distancuar krimin nga krimineli.
Ndërsa shteti deri më tani ka dhënë ca lekë, ka dhënë edhe dekorata për të persekutuarit dhe të burgosurit. A mendoni se janë dekoruar të gjithë?
Hysen Shoshorti është një nga ato njerëz që demokracia reale duhet ta dekoronte menjëherë, sepse ai ka qenë një disident real, se për 11 vjet më radhë ai ka hedhur në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ai ka hedhur 41 mijë trakte, duke ndërgjegjësuar njerëzit për natyrën e pushtetit komunist dhe për nevojën e demokratizimit të jetës në vend. Ky person me gjithë këtë aktivitet zvarritet në rrugët e Tiranës, duke mos pranuar që të shtrinte dorën apo të bëhej një vegël e politikës që erdhi pas 1990, që si për atë dhe për miqtë e tij, një nga ata jam edhe unë, është një politikë hibride, ishte një politikë shkatërruese.
Edhe pse miku juaj ka dëshmuar për Sali Berishën, ai e ka mohuar një gjë të tillë. Jeni në dijeni të këtij qëndrimi të tij?
Isha në dijeni që nga Saranda që lideri i PD-së, ishte dëshmitar i Hysen Shoshorit. Ai mund ta mohojë, se e kam ndjekur që e ka mohuar. Ekziston edhe një kasetë, që unë për momentin nuk e kam, është bërë në këtë ambient, ai ka folur me gojë se cili ka qenë dëshmitari i tij. Kjo intervistë pati si qëllim për të sqaruar shumë miq tanë, që nuk ishin në dijeni se kush ishte lideri i PD-së, që për 20 vjet i kanë dhënë votën, por që ata janë ndërgjegjësuar se vota e tyre e kanë dhënë në drejtim të gabuar, sepse ai ka qenë personi që për 20 vite e ka varrosur çështjen e të burgosurve politikë, siç ka varrosur çështjen e pronave si dhe mos gjetjen e viktimave që janë ekzekutuar.
Po Hyseni para se ta intervistonit ju a ishte drejtuar në ndonjë gazetë tjetër për të dëshmuar?
Hyseni ishte drejtuar disa organizmave dhe asnjë nuk kishte pranuar ta botonte intervistën e tij. Duke pasur parasysh që ai ishte i burgosur politik, duke pasur parasysh që ishte dhe miku im, që unë e njihja dhe isha në dijeni të këtij problemi, gazeta kishte për qëllim të pasqyronte plagët shoqërore, intervista e tij u pranua pa asnjë ekuivok dhe u botua e plotë ashtu siç e tha, Hysen Shoshori.
Si u prit intervista dhe cilat ishin reagimet e para?
Në përgjithësi intervista është pritur me habi nga shumë njerëz, sidomos nga miqtë tanë, por kemi pasur edhe presione. Kemi qenë këtu në këtë vend, me zotin Bahri, ku na kanë ardhur një person dhe na ka bërë presion të drejtpërdrejtë dhe na ka thënë ‘tërhiqe këtë material që ke bërë, se nëse nuk e tërheq do të fusim në një gropë që nuk do të gjejnë dot as personat që të kanë futur në gropë’. Një presion i tillë s’ka nevojë për t’u komentuar.
A ka folur më Hysen Shoshori për këtë dëshmi që ju ka dhënë juve?
Hysen Shoshori nuk ka folur më, ai është bllokuar. Jetonte në kushte jashtëzakonisht të rënda. Ai u ngrohte te motori i frigoriferit. Pas daljes së intervistës dhe pas ardhjes së PD-së në pushtet, personi që e mbante i detyruar nga rrethana të ndryshme, u detyrua ta largonte. Pasi qëndroi për një kohë rrugëve, e mori familja e vet. Nëse Hysen Shoshori ishte akuza e djeshme e Sali Berishës, unë jam akuzë e sotme e Sali Berishës.
Po vetë Hyseni ka pasur presione për këtë intervistë?
Disa ditë pas intervistës Hysen Shoshori kapet në rrugë nga persona të panjohur dhe çohet në Drejtorinë e Policisë. Pasi iu nënshtrua pyetjeve e liruan duke i thënë, “ti tani nuk je i rrezikshëm, sepse nuk ke më fuqi të na kafshosh”. Kur personi erdhi këtu për të bërë presion unë i thashë ‘jam anëtar i Amnesty International, kam lënë me shkrim e me gojë, familjes dhe miqve të mi, që nëse më ndodh një gjë më e vogël, unë e kam të keqen nga Sali Berisha për arsye të intervistës’. Për dy vite jam survejuar, por s’kam pasur problem të drejtpërdrejtë.
Po ju pse u arrestuat në 2004?
Në 2004 unë arrestohem dhe dënohem për një vepër të pakryer, me makinacione që ia kalojnë atyre të kohës së diktaturës. Ky person nuk bëri veprime direkte, por personat që i ngarkoi e kryen më mirë se ai vetë. Faktikisht jam arrestuar më 4 maj 2004.
Me sa vite burg u dënuat?
U dënova me 7 vjet burg. Neni ishte nga 7 deri në 15 vite me burg, pra u dënova me minimum. E apelova vendimin, deri në gjykatën e Lartë, gjykatën Kushtetuese, e tani e kam në gjykatën e Strasburgut. Kryetari i Apelit ka qenë kundër dënimit, dy anëtarët pro dënimit. Gjykata e lartë nuk e ka pranuar ta gjykojë, gjykata Kushtetuese nuk tha që ka shkelje kushtetuese. Gjykata e Strasburgut e ka pranuar kërkesën time dhe pritet shqyrtimi nga kjo gjykatë.
Në cilin burg vuajtët dënimin dhe si ju trajtuan atje?
Fillimisht më çojnë në burgun e Lezhës. Në 2004 Berisha nuk ishte në pushtet, por presioni i tij ka ardhur qysh në 2002. Dikush më ka thënë se nuk të ka dënuar Berisha për intervistën, por unë them që po, jam dënuar për intervistën. Në janar të 2006, sapo kam shkuar në burgun e Lezhës, kam kontaktuar me një mikun tim që ishte oficer. Ai të nesërmen e vajtjes në këtë burg më çon te drejtori i burgut, që ishte privilegj. Drejtori ishte nipi i një ish-të persekutuari politikë. Ai më priti mirë në zyrë, më ofroi kompjuterin, telefonin, gjithçka që kishte në dorë, për të lehtësuar dënimin.
Më tha që ‘këtu nuk do të jesh i burgosur, por do të jesh i ndaluar’. Sapo kam dalë nga zyra, vjen Agron Kuliçi. Ai ka qenë shoqëruesi i Berishës. Ka ardhur me fuoristradë gri, është futur në zyrën e drejtorit, ka ndenjur rreth gjysmë ore, dhe për dy vite e gjysmë që kam qëndruar në Lezhë, jo që nuk i kam pasur ato lehtësira që më premtoi drejtori, por nuk e kam parë me sy drejtorin, as mikun tim, që ishte i trembur dhe nuk më afrohej më. Që nga atë moment, kundër meje vepronin, të burgosur, policë, që nuk dinin se çfarë bënin, se ishin të kurdisur. Por unë i kam falur të gjithë me shprehjen e vetë birit të Zotit ‘fali o Zot se nuk dinë se çfarë bëjnë’. I kam falur se gjithçka ishte e kurdisur.
Këtë që thoni ju e keni nga fjalët e të burgosurve apo e keni parë vetë personin në fjalë?
E pashë me sytë e mi. Nuk ma ka thënë njeri, targat nuk ia kam parë, por kam parë fuoristradën. Për intrigat ndaj meje kanë futur policë deri edhe mjekun e burgut. Jam liruar në janar të 2010.
Pra ju vazhdoni të pohoni se Shoshori ka bërë me gisht nga Berisha që ka qenë dëshmitari i tij në gjyq?
Ai ma ka thënë disa herë, kur e kemi marrë për ta intervistuar, thelbi i saj ka qenë ‘në sallë hyn një person i gjatë, nga xhepi nxjerr traktin dhe thotë, ky trakt ka përmbajtje armiqësorë dhe ky person duhet të ekzekutohet, ky person duhet të varet në litar, ky person ishte Sali Ram Berisha’. Kjo është prononcimi i Hysen Shoshorit, është bërë prononcim me shkrim dhe me video dhe ajo kasetë ekziston diku.(Kur është marrë në intervistë nga “Xhungël” Skënder Tufa nuk e dinte se ku ndodhej kaseta me intervistën e filmuar të Hysen Shoshorit) Kasetën nuk e mora unë. E mori një mik. Miku që duhej të na jepte nga një kopje të kasetës, nuk e mbajti fjalën, se një kasetë duhet ta mbante ai, një ne.
A ndjeheni i frikësuar dhe nga kush?
Unë deklarohem publikisht, se nëse me ndodh diçka përsëri e kam nga Sali Berisha dhe unë po i them publikisht se “nuk të kam frikë Sali Berisha”.