Nga Beqë Cufaj, 2 Shkurt 2013
Në mënyrë gati të heshtur por për këtë të përcjellë me plot kritika dhe recensione, diskutime dhe kontraversa ka filluar të shfaqet filmi më i ri i regjisores së njohur gjermane Margarethe von Throtta, e njohur edhe për filmin e saj Rosa Luxemburg, por që këso radhe kalon në ekstremin, ose thënë edhe më ndryshe kampin tjetër. Atë hebre.
Filmi i titulluar “Hannah Arendt” i von Trotta-s nuk mëton të jetë biografik. As filozofik. Aq më pak ka për synim të shpjegojë shkresat, ose thënë edhe më saktësisht, filozofinë e hebrejes e cila pikërisht me jetën, angazhimin, publikimet dhe diskutimet e saj, bëri që të hapen portat e asaj që njerëzimit deri në vitet 60 dukej e pamundshme. Përmes krimeve të tmerrshme naziste (Holokausti) të shpjegohej edhe arsyeja, ose thënë edhe më mirë, të shpjegoheshin shkaqet e asaj mortaje aq të shpejtë, aq të rrëmbyeshme dhe para së gjithash aq absurde. Edhepse krejt filmi nuk kap më shumë se një periudhë jetësore të saj më të gjatë se 4 vite (1961-1965) megjithatë, janë këto vite ato që Arendt-in e kthyen në kult.
Duke iu falenderuar raporteve/shkresave të saj nga gjykimi i Eichmannit në Jerusalem por edhe kthesave në rininë e saj, lidhjen me mësuesin e madh dhe kontravers Heidegerin, deportimin në kampet e Francës, ikjen prej atje, kalimin në New York, lidhjen e hapur martesore me bashkëshortin e saj, rolin e asistentes dhe kolegëve të saj etj.etj. të gjitha këto pjesëza të një “puzzle”-je që na e japin një pasqyrë të qartë për këtë grua kurajoze dhe të pathyeshme. Në mendim. Por edhe veprim. Së paku kur ballafaqimi me të vërtetën është pyetje.
Filmi i von Trotta në të cilin Barbara Sukowa edhe njëherë vërteton që është prej zonjave të mëdha të Europës kur aktrimi është në pyetje, nuk është një rrëfim i lehtë. Para së gjithash në të nuk ka aksion, ka pak histori- e edhe kur ajo shfaqet nuk mungojnë sekuencat dokumentare (sidomos nga gjykimi i Eichmannit në Jerusalem)… dhe e tëra zhvillohet përmes dialogut. Me një fjalë: dialogu është drama, aksioni i këtij filmi. Bashkë me imazhet e një jete me plot vetmi. Apo nuk ia kishte mësuar mjeshtri dhe me këtë dashnori i saj i parë Heidegeri që: të mendosh do të thotë të jesh i vetmuar. Përkundër krejt këtyre elementeve, ky film është madhështor, sepse përmes dramës pa dramë sjell në kujtesë hapjen e parë të madhe: atë të shpjegimit të “banalitetit të së keqes” por edhe (vet)akuzës së tmerrshme që ajo i bën populli të saj: pafuqinë për t’u mbrojtur para një regjimi gjakatar siç ishte ai i Hitlerit.
Sesi ajo Eichmanin e veneron dhe mëpas edhe shpjegon si një “burokrat të zakonshëm” i cili s’kishte bërë gjë tjetër pos që kishte zbatuar urdhrat që ligji i parashikonte.
Sa frikësuese aq edhe e vërtetë. Sesi “Judenräte” (Këshillat hebreje) në tërë Europën, vetëm e vetëm pse kishin synim të shpëtonin veten dorëzonin miliona hebrenjtë në furrat e vdekjes së kampeve të përqendrimit, duke mos marrë mundin as patur vizionin që së paku të (vet)organizoheshin e (vet)mbroheshin, sesi kjo do të kishte për pasojë që brez pas brezi të zhvillohet një konflikt i tmerrshëm brezash- që të rinjtë akuzojnë prindërit e tyre pse nuk ditën të kundërvihen kundër nazistëve… të gjitha këto, dalin në pah në dialogjet e këtij filmi i cili sa trondit aq edhe duhet parë si përtej këtij rrëfimi.
Sepse, siç Arendt ua shpjegon vetë studentëve të saj, pas bujës, ose thënë edhe më mirë stuhisë që shkresat e saj ngjallën sidomos pasi u botuan në “The New Yorker” dhe më pas në libër, krimet e nazistëve nuk mund të quheshin krime kundër (vetëm) hebrenjve por në radhë të parë ato ishin krime kundër njerëzimit. Shprehje pas shprehjeje. Dramë pas drame. Në zhargone akademike por për këtë me një thellësi dhe me forcën e fotografisë e cila njeriun e hedh në çdo kohë dhe çdo vend. Diktaturë e ideologji. Luftë e sakrificë për liri.
Filmi “Hannah Arendt” është i preferueshëm të shikohet sidomos për vendet që kanë kaluar në filtrat e errësirës së diktaturave apo luftërave (ndër)etnike. Sepse secili do ta shohë dhe ndjejë kohën që ka jetuar apo edhe jeton.
Kurse për ata që duan të dijnë më shumë sesa shprehjet e mësuara përmendësh rreth “banalitetit të së keqes” s’ka dyshim që duhet të përqendrohen tek vepra e saj monumentale e botuar pas vdekjes. Fjala është për “Denktagebuch” (shqip: Ditari i mendimeve), të përgatitur nga Ursula Ludz dhe Ingeborg Nordmann. Dy vëllimet në fjalë përmbledhin përmbledhin 28 “fletore” me shënime ditari që një nga kokat më të rëndësishme të filozofisë botërore Hannah Arendt, e ka mbajtur nga qershori i vitit 1950 deri në korrik të vitit 1973.
Arendt e njohur sidomos me gjurmimin e mendimit dhe shprehjes mbi totalitarizmin dhe ideologjitë që mveshin këtë mortajë të shekullit të kaluar, një lexuesi që do të dëshironte të dinte pak më shumë për të por edhe për kontraverzat që e kanë përcjellur filozofinë e saj të të menduarit e vepruarit, përmes këtij “Ditari Mendimesh”, do t’i ndihmonin në këtë rast lexuesit që të hynte më thellë në botën e mendimeve të saj të cilat arritën të shkojnë përtej mjeshtrit dhe dashnorit të saj… Heidegerit. Edhe një argument se si nxënësi, në këtë rast nxënësja, vret mësuesin!