Ulërimat e paqes së Berishës

0
32

Mero Baze

Në Shqipëri mungojnë ekspertët e asaj që quhet “body language”. Shumë emisione televizive në botë, sidomos në kohë fushatash, e kanë atë një rubrikë të veçantë. Thirret gjithmonë ekspertë në studio, u tregohen pamje filmike të liderëve në fushatë, duke ua hequr zërin dhe ata të shpjegojnë koshiencën e liderëve, pa ua dëgjuar fjalët.

Ka disa ditë që Partia Demokratike dhe vetë Berisha është angazhuar në Tiranë, por dhe në rrethe, të flasë për një fushatë të qetë, ku nuk do të fyejnë kundërshtarin, ku nuk do të ketë sulme personale… etj. Me sa duket kanë humbur disa orë kohë me ekspertët amerikanë që paguajnë për fushatë. Por puna nuk është çfarë do të thuash, por çfarë thua. Merrini të gjitha pamjet filmike të Berishës në Vlorë, Pogradec, Librazhd, Laç, kudo që ka qenë këto ditë.

Ai është në fytyrë më i irrituar se kurrë 20 vitet e fundit. Ka një egërsi të shfrenuar në fytyrë, dhe gjeste, të cilave, nëse i lejon ekspertët e “body language” të ndërtojnë tekstin, janë një horror i vërtetë. Dora e tij kërcënuese në drejtim të turmës, duke folur për kundërshtarin, ngjan sikur do ta shajë atë me nënë, babë e ç’i përmban pragu, siç thonë vlonjatët.

Fytyra e tij e egërsuar dhe skuqur nga urrejtja të kall datën. Gjestet e tij nervoze dhe skuqja e çdo pjese të zbuluar të trupit nga elektrizimi prej fjalorit të tij, të bëjnë të kuptosh se ke përpara një njeri që është xhindosur keq me rivalin. Nëse lexon pastaj fjalët që të dërgon të zbardhura zëdhënësja e tij, mëson se ai paska folur kundër fjalorit agresiv në fushatë dhe ka thënë që nuk do ta sulmoj kundërshtarin.

E gjitha është shumë qesharake. Problemi i vetëm që ka kjo fushatë është agresiviteti real i Berishës dhe dhuna që ai ka nisur të ushtrojë zyrtarisht kundër opozitës. Ende pa filluar fushata kemi së paku 5 incidente të dhunshme deri me armë. Dje e gjitha kjo ka kulmuar me Shemsi Prençin. Oficeri i lartë i policisë, një mbështetës i pakundërshtueshëm i Partisë Demokratike, që është komandant i RENEA-s, ka bërë një gjest që do mbahet mend gjatë.

Ka kallëzuar në prokurori zëvendësministrin e Brendshëm Avenir Peka, një figurinë qesharake e vendosur aty për ta përdorur si kokë turku dhe për të prodhuar alibinë e dhunës në mungesë të një ministri zyrtar. Pas 21 Janarit, segmentet politike të policisë po bëhen përditë e më agresive dhe po merr fund tradita e mirë e mezikrijuar pas vitit 2001, qyshkurse Ilir Meta përdori për herë të fundit policinë në zgjedhje. Prej atëherë policia ka qëndruar larg zgjedhjeve.

Agresiviteti i Berishës duket se po e përfshin policinë me shpejtësi në spiralen e dhunës së fushatës elektorale. Komunat rreth Tiranës po shndërrohen në arena lufte mes militantëve të PD-së, mbështetur nga policia, dhe mbështetësve të opozitës. Në Tiranë po ashtu. Në shenjë frikësimi të kundërshtarëve, Lulëzim Basha paska marrë një polic që ka qenë drejtor në Elbasan në vitin 2009, kur Basha kandidonte atje, dhe e ka sjellë në Tiranë si njeri që di si të ndërhyjë në fushatë elektorale.

Berisha me një fytyrë të vrerosur dhe një agresivitet të frikshëm po shëtit tribunë më tribunë duke ulëritur për paqe, me qëllim që të mbulojë zhurmat e vërteta të dhunës që po ka nisur të ushtrojë. Ulërimat e tij për paqe janë në të vërtetë sirenat reale të alarmit për luftën që ai po ndjell. Boshllëku në të cilën ai kërkon të mbjellë paqen me fjalë, është një humnerë pa fund, ku fjalët jehojnë, por nuk gjejnë kurrë truall ku të mbështeten.

Berisha ka marrë përsipër diçka që nuk e bën dot. Ka marrë përsipër të flasë tribunave për paqe, ndërkohë që po ndjell luftën në rrugë. Shikoni vetëm një minutë egërsinë në fytyrën e tij për të kuptuar sa pak sekonda është i qetë në 24 orë. Shikoni si ulëret, si kërcënon, dhe si hesht “si fije e barit” kur një nga drejtuesit profesionistë të policisë e denoncon se po tenton të përdorë policinë kundër popullit.

Ulërimat e tij për paqe këtu janë të tepërta. Ai e la vendin formalisht pa Ministër të Brendshëm me qëllim që të ishte vetë i tillë gjatë fushatës. Urdhri i tij makabër për të përdorur forcat RENEA kundër qytetarëve, po rikthen me shpejtësi filmin mbrapa, kur ai shkatërroi policinë dhe ushtrinë nga dëshira për t’i vënë në shërbim të pushtetit të tij politik. Pas kësaj kërkesa e opozitës për largimin e Pekës s’ka kuptim. Njeriu që ka urdhëruar policinë është Sali Berisha.

Pa mbështetjen e tij, pa ulërimat e tij në telefonin e Avenir Pekës, ky i fundit as do kish guxuar ta formonte me mendje numrin e telefonit të Shemsi Prençit. Ai është njeriu që po nxjerr konfliktin në rrugë, po zbraz frikën e tij shesheve të Shqipërisë dhe po rrethon Tiranën me vatra zjarri. Po i bën të gjitha këto me vetëdije dhe po ulëret për paqe. Dhe nga këto ulërima nuk shpëton dot dhe nëse ul zërin e televizorit. Fytyra e tij ulëret më shumë.