Fushata e kontrasteve

0
43


Nga Bledar Lumani

Nga rrjetet sociale tek plumbat. Kjo fushatë po shfaq dy anët e saj në ekstrem, anën primitive, të konflikteve dhe plumbave dhe anën moderne, atë të betejës online

Si rrallë herë, fushata elektorale këtë radhë në Shqipëri nuk është duke u zhvilluar vetëm në rrugë. Dy partitë kryesore në vend, PD dhe PS, kanë ndërmarrë edhe një fushatë të egër në ëeb dhe sidomos në rrjetet sociale, siç është Facebook. Këtë po e përdorin më së shumti dy kandidatët që kërkojnë të zgjidhen në krye të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Tashmë stafet e këtyre të fundit janë duke bërë “garë” se kush ka më shumë fansa në Facebook, për të shtuar propagandën e tyre dhe për të bindur njerëzit që të votojnë për ta. Me anë të kësaj fushate, ata kanë si synim që të fitojnë më së shumti të rinjtë, duke qenë se janë pikërisht këta të fundit që qëndrojnë dhe e përdorin më shumë këtë rrjet social. Por, nuk janë vetëm rrjetet sociale.

Duke lënë mënjanë mediat tradicionale, si televizionet, gazetat e revistat, tashmë synohen edhe site-et dhe blog-et e ndryshme. Është një ushtri e tërë e këtyre kandidatëve që punon për të pushtuar hapësirën në këto rrjete, duke bërë sugjerime për kandidatët e tyre të preferuar, komente pozitive, si dhe sharje dhe sulme ndaj kandidatit rival. Dhe të mendosh që fushata zyrtarisht ka vetëm një ditë që ka nisur. Për këtë arsye, propaganda dhe fushata në ëeb gjatë ditëve në vijim pritet që të bëhet edhe më agresive.

Rama-Basha në Facebook

Lulzim Basha, duke qenë se është edhe sfidues, për vetë faktin se Rama është kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, e filloi fushatën e tij disa javë para këtij të fundit. Dhe këtë gjë e bëri pikërisht nëpërmjet rrjetit social më të madh në botë, Facebook. Ende pa u shpallur zyrtarisht kandidat i PD-së për Bashkinë e Tiranës, bashkëpuntorët e Bashës hapën një faqe zyrtare në Facebook, ku bëheshin kërkesa për sugjerimin e kësaj faqeje. Tashmë kjo faqe numëron rreth 50 mijë anëtarë dhe ditë pas dite shtohet. Pas saj, janë hapur edhe disa faqe të tjera me emrin e Lulzim Bashës për kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Kjo bëri që edhe bashkëpuntorët e kreut aktual të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, i cili kandidon për herë të katërt, të hapnin një faqe të posaçme për zgjedhjet e 8 majit. Duke qenë se është hapur disa javë më vonë, kjo faqe numëron më pak anëtarë se faqja e Lulzim Bashës, rreth 30 mijë, por, nëse do të merren edhe anëtarët e faqeve të shumta të Ramës që ekzistojnë në këtë rrjet, atëherë numri i tyre rritet ndjeshëm. Tashmë të dyja kampet janë duke bërë një luftë se kush do të sigurojë më shumë fansa në faqe, a thua se fituesi do të shpallet pikërisht nga fakti se kush ka më shumë fansa në Facebook.

Përditësim i fushatës

Më shumë se kush ka më shumë anëtarë, dy kandidatët për bashkinë e kryeqytetit, Lulzim Basha dhe Edi Rama, janë duke e përdorur këtë faqe për shpalosjen e ideve dhe planeve të tyre. Bashkëpuntorët e tyre, të cilët merren me administrimin e faqes, hedhin çdo ditë takimet elektorale dhe ngjarjet apo evenimentet e tjera në të cilat dy kandidatët kanë marrë pjesë. Në to gjen fjalimet e tyre, foto nga takimet dhe mbi të gjitha, komente inkurajuese nga ana e simpatizantëve të tyre. Në këto faqe ka një kusht, që duhet të plotësohet nga të gjithë anëtarët: nëse doni të bëheni fans i faqes, duhet patjetër që të jeni simpatizant i kandidatit aktual.

Në të kundërt, nëse u shkon në mëndje që të mos keni të njëjtin mendim apo të “guxoni” që të bëni ndonjë kritikë, edhe njëherë, kritikë, jo fyerje, do të shuheni menjëherë nga faqja. Edhe nëse nuk jeni anëtar i faqes, por keni mundësinë të komentoni, komentet tuaja, nëse nuk janë në favor të kandidatit përkatës, do të fshihen nga moderatorët e faqes, të cilët qendrojnë 24 orë të gatshëm. Megjithatë, duke përjashtuar këtë anë, Facebook po u shërben shumë dy kandidatëve për Bashkinë e Tiranës që të shpalosin idetë e tyre tek sa më shumë njerëz.

Të rinjtë, objektivi kryesor

Rrjetet sociale kanë si pikësynimin kryesor pikërisht të rinjtë, të cilët janë të shumtë në numër dhe mund të ndikojnë thelbësisht në zgjedhjet e 8 majit. Duke qenë se pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë interesohet shumë pak për shtypin e shkruar dhe pak më shumë për atë televiziv, partitë kryesore në vend duket se e kanë gjetur zgjidhjen kësaj radhe për të afruar edhe të rinjtë dhe për t’i bërë aktivë. Këtë e kanë arritur me anë të Facebook veçanërisht, duke qenë se ky rrjet social është shumë i përhapur dhe i përdorur në vendin tonë. Duhet kujtuar që në këtë rrjet bëjnë pjesë më shumë se një milionë shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e tyre janë votues potencialë.

Nga këta, shumica janë të rinj dhe jo shumë të interesuar për politikën. Për këtë arsye, bashkëpunëtorët e dy kandidatëve për bashkinë e kryeqytetit kanë vendosur që të hyjnë edhe në këtë hapësirë, duke parë që kjo gjë ka arritur të japë suksese në shumë vende të botës. Dhe, nëse do të hysh në dy faqet e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, do të shohësh që janë pikërisht të rinjtë ata që përbëjnë shumicën në anëtarësi. Tashmë dy kandidatët kanë arritur që të fitojnë vëmendjen e tyre. Ajo që ata kërkojnë tani, është t’i tërheqin drejt kutive të votimit, për të votuar për ta.

Web-i zëvendëson sheshet

Deri më sot ishim mësuar me fushata që bëheshin në sheshe të mëdhenj, ku kishte turma masive njerëzish dhe kandidatët mbanin fjalimet e tyre të rastit. Duket se kjo gjë tashmë ka ndryshuar dhe kandidatët kanë vendosur që të bëjnë takime të vogla, duke shëtitur lagje më lagje dhe shtëpi më shtëpi. Takimet e mëdha bëhen më rrallë dhe me raste të tilla si hapja e fushatës, prezantimi i kandidatëve dhe mbyllja e fushatës. Dhe kështu, vendin e shesheve të mbushura, të cilat pak nga pak, tashmë me vitet kanë filluar të rrallohen, duket se e kanë marrë pikërisht rrjetet sociale.

Nëse do të shohësh turma njerëzish, këtë mund ta bësh fare mirë në Facebook, ku ka jo vetëm pjesmarrje masive, por edhe komunikim masiv. Simpatizantët mund të lënë aty komentet dhe sugjerimet e tyre dhe kandidati përkatës për bashkinë mund t’u kthejë përgjigje. Kuptohet, askush nuk duhet të ushqejë iluzione se është vetë kandidati që u kthen përgjigje: janë bashkëpuntorët e tyre. Por, gjithsesi kjo është diçka më pozitive se sa takimet në shesh, kur kandidati komunikonte me turmën. Tashmë ai mund të komunikojë direkt me personin dhe kjo mund t’i shtyjë simpatizantët që të ndihen më të vlerësuar dhe për pasojë të bëhen edhe më aktivë në fushatën online.

Fushata online, vetëm në kryeqytet

Fushata online në rrjete sociale dhe ëeb ka marrë përmasa të gjera vetëm në kryeqytet. Në rrethet e tjetra ndërkohë, kjo mundësi është shumë e kufizuar, për vetë faktin se përdoruesit e internetit janë shumë të pakët në numër. I vetmi që është duke bërë fushatë edhe nëpërmjet Facebook-ut nga kandidatët e rretheve të tjera, është kandidati i PS-së për Bashkinë e Vlorës, Shpëtim Gjika, që është edhe kryetari aktual i kësaj bashkie. Ky i fundit ka rreth 10 mijë fansa në Facebook, shumë pak në krahasim me kandidatët për bashkinë e kryeqytetit. Kandidatët e tjerë për bashkitë në rrethe, për të mos folur pastaj për kandidatët për komuna, nuk i kanë dhënë shumë rëndësi fushatës online, pasi nuk do t’u shërbente shumë.

Organizim elektoral në stil fashist

Kështu e quan në site-n e tij respublica.al gazetari opozitar, Mustafa Nano. Ndoshta mund të duket e tepëruar, por Nano shprehet se site i tij ka rënë shpesh pre e sulmeve nga përkrahës të kandidatit demokrat për bashkinë e kryeqytetit, Lulzim Basha. “Pushteti po vë në jetë një organizim elektoral të stilit fashist. Ata janë kudo, rrjedhimisht nuk mund t’u shpëtosh dot. Kanë zaptuar gjithçka, rrugë, sheshe, para, media. Duan të krijojnë idenë e një konsensusi plebishitar, dhe është e sigurtë se sa më shumë futen në krime e në zullume të tjera, aq më e fortë do bëhet kjo tendencë.

Një shfaqje e tipit fashist është një lëvizje me emrin “Zgjohu”, për të cilën nuk di askush se ku i gjen paratë. Ata përgatisin spote elektorale që synojnë demonizimin e opozitës, dhe trokasin nëpër dyer televizionesh, ku kërkojnë transmetimin e tyre në këmbim të parave që japin. Spotet janë të ndyra. E dini? Si për të dhënë një dëshmi tjetër të skenarit fashist, pushteti po bën një mobilizim korporativ të të gjithë atyre që ka rrotull vetes. Dhe këtyre u mjafton një porosi e vogël; më pas e dinë vetë detyrën: duhet të fusin hundët kudo për të përcjellë idenë se gjithë shqiptarët janë me Berishën. Kanë zënë të frekuentojnë dhe këtë ëebsite (respublica.al).

Jo ngaqë e pëlqejnë, por ngaqë e urrejnë. Nuk futen për të lexuar shkrime e artikuj. Futen vetëm për të shkruar komente në favor të Lulzim Bashës. Dje site-i m’u sulmua me breshëri me komente të tilla, dhe një pjesë sosh ishin të mbushura me fyerje, sharje e gjuhë rrugaçësh (jemi tek sindroma fashiste), e për këtë arsye nuk u publikuan. Këto falanga duhen mundur me mobilizimin total të njerëzve që s’ngjajnë me ta. S’ka rrugë tjetër”, shprehet Nano në site-in e tij për këtë fenomen, i cili duket se është i ri në vendin tonë.

Nga Facebook tek krimi

Kjo është ana moderne e fushatës, edhe pse shumë agresive. Por fushata po shfaq edhe anën primitive të saj, madje në ekstremin e saj. Dy plagosje në vigjilje të nisjes së fushatës kanë treguar se sa e brishtë është situata në vend. Kandidati i djathtë për komunën e Balldrenit në Lezhë u plagos në pritë nga një person që rezulton të jetë anëtar i Partisë Demokratike. Një luftë brenda llojit. Por për fat kandidati i mbijetoi sulmit. Ndërkohë Tirana u trondit rëndë nga atentati ndaj kryeinspektorit ndërtimor të bashkisë. Ai u qëllua në mes të Tiranës nga dy persona me motorr. Akuzat e para ishin politike dhe lidheshin me një përplasje të kryeinspektorit me simpatizantët e LSI-së, të cilët po mbushin sheshet me flamuj.

E ngarkuar me tension politik, kjo fushatë, e cila është nisur për lokale, por po bitiset si një referendum për qeverisjen, po tregon se ccdo armë është në lojë, mjafton fitorja. Deri ditën e zgjedhjeve, shumë tension na pret.

Obama, “babai” i fushatës online

Barak Obama, përveçse do të mbahet mend si presidenti i parë amerikan me ngjyrë, do të kujtohet edhe për mënyrën e fushatës së tij, e cila ishte një risi. Obama i dha një rëndësi shumë të madhe fushatës online, duke përdorur rrjetet sociale, site-t e ndryshme, blog-et etj, të cilat arritën që të jepnin rezultate, pasi me anë të internetit, presidenti amerikan arriti që të thithte sidomos një elektorat të ri në moshë. Obama hapi rrugën e fushatës online dhe tashmë të gjithë përpiqen që ta ndjekin, edhe pse kjo për politikanët e tjerë është paksa e vështirë, duke parë që presidenti amerikan u konsiderua si një “fenomen” në fillimet e veta.

Tashmë, kur vetëm pak ditë më parë ai lajmëroi se do të kandidojë për një mandate të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë, duket se i ka dhënë sërish shumë rëndësi fushatës online. Madje, edhe vetë njoftimin për rikandidimin për postin e presidentit të SHBA-së, Obama nuk e bëri nëpërmjet ndonjë fjalimi publik, por e bëri pikërisht me anë të internetit, duke u dërguar nga një email të gjithë përkrahësve të tij. Presidenti amerikan jo pak herë ka hyrë dhe ka biseduar në mënyrë të drejtëpërdrejtë me simpatizantët e tij, por jo vetëm, online, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre. Në disa raste madje, ai i ka dhënë konferencat e tij nëpërmjet Youtube.

Kjo ka bërë që Obama të shihet me admirim dhe të ketë një përkrahje të gjerë nga të rinjtë amerikanë, por jo vetëm. Presidenti amerikan është politikani më popullor në të gjithë botën në rrjetin social më të madh, Facebook. Obama numëron rreth 19 milionë fansa vetëm në adresën e tij zyrtare, ndërsa me mijëra të tjerë janë fansa të faqeve të ndryshme të hapura me emrin Barak Obama. Por, nuk mbetet pas as bashkëshortja e tij, Mishele Obama, në këtë drejtim. Zonja e Parë amerikane, e cila u shpall si gruaja më e fuqishme në botë për vitin e kaluar, ka fansa të shumtë dhe numëron më shumë se 4 milionë të tillë vetëm në rrjetin social Facebook.

Një gay, politikani më i dashur europian në Facebook

Nikolas Sarkozi, Dejvid Kamerun, Silvio Berluskoni apo Angela Merkel? Në fakt, asnjë prej këtyre nuk është politikani më i dashur dhe me më shumë fansa në rrjetin social më të madh në botë, Facebook. Politikani që ka më shumë fansa është guvernatori puljez, Nichi Vendola. Ai ka 416 mijë fansa dhe është politikani më popullor europian në rrjetin më të madh social, duke lënë kështu prapa presidentin francez, Nikolas Sarkozi, i cili ndodhet në vendin e dytë si politikani më i preferuar në Facebook. Për t’ja arritur kësaj gjëje, prapa Nichi Vendola qëndron një staf i tërë, që me shaka thotë se tashmë ka si objektiv që të kalojë në këtë renditje edhe presidentin amerikan, Barak Obama.

Një nismë e pamundur, duke qenë se Obama ka rreth 19 milionë fansa. Vendola qëndron në vendin e 45 nga politikanët më të klikuar në Facebook. Duhet thënë se një pjesë të mirë të fansave në Facebook, Vendola i ka prej faktit se përfaqëson edhe një komunitet me shije të ndryshme seksuale, përveçse është guvernator në Pulja. Vendola është gay dhe kjo ka ndikuar që një numër i madh personash të këtij komuniteti të bëhen fansa të tij. Ndërkohë, politikanë të tjerë të njohur europianë, si Nikolas Sarkozi, Angela Merkel, Silvio Berluskoni apo Dejvid Kamerun, me vështirësi i kalojnë 300 mijë fansa.