Mero Baze
Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, dy protagonistët kryesorë të shembjes së Piramidës, kanë heshtur publikisht ndaj propozimit të kandidatit të tyre për bashkinë e Tiranës për mosprishjen e saj. Berisha duket se është konsultuar me Bashën për t’ia toleruar formalisht deklaratën, ndërsa zonja Topalli ka reaguar shumë egër në mjediset e brendshme të PD-së ndaj deklaratës.
Në të vërtetë deklarata e Bashës është një nga startet e forta të fushatës elektorale. Basha e ka marrë vendimin bazuar në sondazhe ku diferenca mes tij dhe Ramës shumëfishohej sidomos në pikën kur flitej për qëndrimin ndaj Piramidës. Tani jemi para një debati të brendshëm shumë të fortë, nëse Basha rrezikon apo fiton më shumë nga kjo deklaratë.
Përfaqësuesit e vijës së ashpër në PD dhe sidomos ish të persekutuarit politikë që janë një nga kolonat kryesore të asaj partie, ndjehen shumë të lënduar.
Të indoktrinuar pak dhe nga argumentet populiste të Berishës mbi dobinë e prishjes së Piramidës bile më 20 Shkurt, ata natyrisht që janë tronditur nga qasja tërësisht e ndryshme e Bashës ndaj këtij debati. Po ashtu të mërzitur me të janë dhe gjithë njerëzit drejtues të PD-së, të keqpërdorur për tre muaj rresht në debate për prishjen e saj. Por zonja Toaplli ka një krye-arsye të jetë e tërbuar, pasi ajo kaloi nga fjala në vepra dhe bëri një procedurë të tërë parlamentare dhe administrative për prishjen e saj dhe ndërtimin e një kompleksi modern parlamentar shumë të kushtueshëm.
Pra, gjithçka duket krejt e pamundur për tu prapësuar vetëm për shkak të deklaratës së Bashës. Burime nga zyra e zonjës Topalli bëjnë të ditur se ajo ka pasur një debat të nxehtë me Berishën gjatë ditës së djeshme për këtë çështje dhe është arritur një kompromis që ajo të mos shfaqet para kamerave për disa ditë derisa media të mos e pyesë për këtë çështje.
Por ajo që duket më e besueshme është se Basha nuk ka bërë këto llogari kur ka bërë atë deklaratë. Ai nuk ka llogaritur se sa i fyen ish të përndjekurit brenda partisë tij, apo ata që realisht besojnë se ajo duhet prishur pasi siç u ka thënë dhe Berisha, ka qenë e projektuar për varr të Enver Hoxhës. Basha sipas gjithë gjasave e ka bërë këtë deklaratë për të injoruar dhe pastaj për të hedhur në erë vrullin me të cilën zonja Topalli ka një muaj që flet përditë për piramidën dhe Kuvendin.
Qysh nga prania e saj gazmore në debatin Rama-Berisha për Piramidën, dhe deri para një jave, ajo ka qenë protagonistja e mbajtjes gjallë të debatit mbi prishjen e Piramidës dhe ndërtimin e parlamentit. Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm dy javë para fushatës ajo e shndërroi zyrën e saj në vend pelegrinazhi për gjithë nxënësit, studentët dhe pensionistët demokratë të Shqipërisë për të vizituar maketet e vizatuara të parlamentit të ri.
Pastaj një javë para fushatës ajo u përfshi në polemika publike me liderin e opozitës dhe shtypin, përshi gazetën tonë për faktin se ajo kishte parazgjedhur fituesin. Ne ju referuam një gazete vjeneze që kishte njoftuar qysh më 12 mars fituesin e tenderit të parlamentit të ri dhe zonja Topalli nuk përtoi të dërgonte njerëz në Vjenë dhe ta detyronte gazetarin të shpjegonte dhe rishkruante shkrimin, duke theksuar se ai kishte njoftuar pjesëmarrjen e tij si fitues i sigurt, por jo fitoren e tij.
Të gjitha këto detaje të marrëdhënieve të saj publike mbajnë realisht nën terror kandidatin Basha, i cili kishte në dorë sondazhe të rënda për impaktin publik të kësaj ngjarjeje, të cilën zonja Topalli po e bënte fakt të kryer. Është pikërisht kjo luftë e egër mes tyre, dhe kjo paranojë e Bashës për një veprimtari publike të qëllimshme kundër fushatës së tij që e kanë shtyrë atë më shumë se analizat reale të tronditjes së elektoratit të vet, të bëjë atë deklaratë, e cila po rezulton sipërfaqësore, pasi nuk po mbështetet as nga Berisha, as nga Topalli.
Ajo që është e qartë është se brenda PD-së Basha po përpiqet të bëjë fushatë me strukturat e veta paralele me PD, me shtabin e vet elektoral, që s’ka lidhje me PD-në tradicionale, por është në shumicë me njerëz që kanë qenë dikur pjesë e së majtës kundër PD-së, bile dhe pjesëtarë të stafit të Edi Ramës në vitin 2007. Nga ana tjetër shihet qartë se ka një mosangazhim të fortë të drejtuesve aktualë të PD-së, të cilët jo pa qesëndi u thonë militantëve se Basha i ka punët në rregull, ka “sjellë partinë e tij” dhe “do të fitojë!”
Kjo ndarje e fortë mes tyre, dhe paranoja e tij se beteja për Kuvendin e ri bëhej për të hedhur atë në erë dhe jo për të ndërtuar një parlament, duket se kanë qenë shkaqet kryesore të deklaratës së Bashës. Edhe pse Berisha mund t’i ketë miratuar një lëvizje taktike për këtë çështje, ai është tani në pozitë të vështirë pasi kanë kaluar tre ditë dhe ideja më e guximshme e Bashës nuk ka asnjë mbështetje. Pra është sërish “një akullore me lesh” që po zgjeron boshllëkun dhe zgavrat e fushatës së tij.