
Nga “Faktori Plus”
Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, kryesisht punonjës të administratës dhe nxënës shkollash, mbushën dje sheshin “Skënderbej”, në një miting të organizuar nga Partia Demokratike, duke marrë shkas nga fillimi i lëvizjes studentore 19 vjet më parë. Edhe pse kjo është një ditë e rëndësishme për rininë shqiptare, ajo nuk ishte festuar kurrë me një miting nga Partia Demokratike në thuajse dy dekada, për shkak se tradita e kësaj force politike është përkujtimi i themelimit të partisë, më 12 dhjetor.
Mitingu i djeshëm shihet më shumë si një antimiting kundër protestave të opozitës.
Në fjalën e tij zoti Berisha përdori të njëjtën gjuhë të ashpër ndaj opozitës, duke premtuar se do ta hedhë atë në koshin e plehrave të historisë, një bilanc ky i hidhur për ditën që lindi opozitën shqiptare 19 vite më parë.
Mitingun e çeli Mesila Doda, deputete e Partisë Demokratike, e cila nuk ka qenë më 8 dhjetor 1990 bashkë me studentët, që nisën protestat, por ka qenë një nga studentet e grevës së urisë të shkurtit të vitit 1991.
Më pas foli Dritan Prifti, një pinjoll i ish-nomenklaturës komuniste, që ka qenë kundër 8 Dhjetorit, dhe më pas Sali Berisha, i cili gjendej në Itali më 8 dhjetor të 1990.
Mitingu, siç shihej dhe nga pamjet, ishte masiv, por jo entuziast. Njerëzit e administratës, të sjellë në shesh me detyrim, kanë qëndruar indiferente ndaj fjalimit patetik të Berishës dhe folësve të tjerë.
Shumë prej tyre kanë pasur detyrim të bëjnë foto me celular për t’ua treguar punëdhënësve, që kanë qenë prezentë në miting.
“Vizion Plus” ka ndjekur gjithë përgatitjet e administratës për këtë miting. Nga shumë rrethe të Shqipërisë janë nisur autobusë dhe furgonë në drejtim të Tiranës. Urdhri ndaj administratës për të gjitha rrethet ishte braktisja e orarit të punës, me qëllim sigurimin e një pjesëmarrjeje sa më të madhe në sheshin “Skënderbej”, një synim ky i kërkuar me ngulm nga kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Gjithçka është e hapur dhe presioni është pa dorashka. Sipas korrespondentëve në rrethe, orari i autobusëve për t’u nisur për Tiranë ishte ora 11.00 e paradites, kulmi i punës në një ditë të zakonshme për administratën.
Mësohet se shërbimi urban ishte falas, ndërkohë që urdhri për administratën ishte i prerë: Të lihet puna, me qëllim ndjekjen e aktivitetit të PD, në orën 16.00, në sheshin “Skënderbej!”
Ndërkohë që nga disa shkolla publike në Vlorë, përfshi edhe shkollën e mesme “Ali Demi”, nxënësit udhëtuan drejt kryeqytetit me autobusë, që u nisën nga “Sheshi i Flamurit”. Në disa institucione, puna vazhdoi deri në orën 11:00 dhe pas kësaj ore punonjësit u nisën drejt Tiranës.
E njëjta situatë edhe në qarkun e Fierit. Punëtorëve të kompanisë “Albpetrol” u është komunikuar se ata që nuk janë në punë, do të shkojnë në Tiranë.
Kjo është bërë në mënyrë të organizuar dhe e kontrolluar nga drejtuesit e sektorëve të naftës. Edhe nga qyteti i Tropojës ishin vënë në dispozicion autobusë dhe furgonë falas për të festuar ditën e 8 Dhjetorit në Tiranë.
Në Tiranë as që bëhej fjalë për “dalje nga rreshti”. Policë, mësues, shëndetësi dhe gjithë sektorët e administratës kishin secili nga një kuadrat me vete në shesh. Përgjegjës për kuadratin ka qenë drejtori përkatës.
Gjithçka të kujton mobilizimet e dikurshme për manifestimet e 1 Majit organizuar nga ish-PPSH. Ndërkohë Tirana është zhytur e gjitha në banderola blu dhe tabela e pankarta të panumërta.
Në Durrës ka ndodhur dhe ngjarja me e pazakontë. Drejtori i hekurudhës, një zyrtar i PD, ka vënë tren falas për linjën Tiranë-Durrës, me orar special para dhe pas mitingut.
Protagonistët kryesorë të dhjetorit ’90 mungonin sot në tribunë, për shkak të qëndrimeve armiqësore që Partia Demokratike ka mbajtur ndaj tyre në këto 19 vjet.
Azem Hajdari, figura kryesore e lëvizjes studentore, u eliminua fizikisht në shtator të vitit 1998 dhe me gjithë premtimin se, kur të vinte në pushtet, do të zbardhte vrasjen e tij, Sali Berisha as që e ka përmendur këtë fakt. Figurat e tjera kryesore të vitit 1990 janë sot larg PD, kryesisht për shkak të konflikteve me Sali Berishën.
Ish-kryeministri i parë i PD, Aleksandër Meksi, ish-kryetari i partisë, Eduard Selami, shumë ish-ministra dhe figura qendrore të saj kanë vite që qëndrojnë larg kësaj force politike.
Eduard Selami, duke folur dje për 8 Dhjetorin, e kujtoi atë si një ditë me rëndësi për historinë e Shqipërisë dhe u bëri thirrje forcave politike në vend të punojnë për një Shqipëri evropiane, duke shmangur krizën e rëndë që po u troket tek dera.







