TemA
Lulëzim Basha gënjeu përsëri kur tha se gruaja dorëzoi shtetësinë nga nevoja për lëvizje të lirë, ndërkohë që gazeta Tema po boton ligjin holandez që lejon dyshtetësinë. Ajo fare mirë mund t’i mbante të dy shtetësitë. Kjo ngre dyshime për arsyet e vërteta përse ka dorëzuar shtetësinë
Lulëzim Basha, kandidati për kryetar Bashkie i kryeministrit Berisha, ka hyrë në një spirale të panevojshme gënjeshtrash rreth lënies së shtetësisë shqiptare prej gruas së tij Aurela Isufi në vitin 2004. Fillimisht Basha tentoi të gënjente përmes liderit republikan Sabri Godo duke zhvendosur kohën kur ka lënë shtetësinë dhe arsyet e paarsyeshme përse e ka lënë. Pasi shpjegimi i zotit Godo doli i gënjeshtërt, Basha tentoi të rigënjejë sërish në emisionin “Opinion” rreth lënies së shtetësisë së gruas së tij. Sipas Bashës, ajo e la shtetësinë pasi kishte nevojë të lëvizte lirshëm në Evropë për shkak të punëve të saj.
Gazeta Tema gjeti ligjin holandez për shtetësinë në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Holandeze dhe aty shpjegohet qartë se çdo qytetar holandez mund të mbajë dy shtetësi, dhe po ashtu shpjegohet mënyra se si fitohet shtetësia holandeze dhe si betohesh të jesh besnike ndaj Holandës.
Ja se si fitohet shtetësia holandeze
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme thuhet se: “Në rast se se ju mbani të njëjtën kombësi të huaj së bashku me kombësinë holandeze për dhjetë vjet dhe jeni me banim jashtë Mbretërisë së Holandës dhe Bashkimit Evropian për dhjetë vjet, ju do e humbisni shtetësinë tuaj holandeze”.
Gjithashtu thuhet se ka tre mënyra për të përvetësuar kombësisë holandeze. 1. Me ligj (automatikisht). 2. Përmes procedurës së opsionit. 3. Nëpërmjet natyralizimit.
1. Me ligj (automatikisht).
A. Nga lindja
“Çdo fëmijë i lindur nga një baba i martuar, holandez, apo nënën automatikisht merr shtetësinë holandeze edhe në qoftë se ai ose ajo është i lindur jashtë Holandës, ashtu si fëmija e një nënë e pamartuar holandeze. Fëmijët e lindur para 1 janarit 1985 nga një nënë holandeze dhe një baba i huaj, si rregull, nuk marrin shtetësi holandeze nga lindja.”
Nga ky ligj shihen qartë shanset që ka një qytetar i huaj për të marrë shtetësinë holandeze pa e dorëzuar atë që ka si dhe faktin se si e marrin shtetësinë holandeze fëmijët e lindur nga nënë ose baba holandez. Vajza e Luëlzim Bashës, Dafina Zeta Basha, është qytetare holandeze pasi është lindur në vitin 2006 nga një nënë holandeze. I vetmi pjesëtar jo holandez i familjes Basha është Lulëzimi.
Shtetësia e dyfishtë
Në faqen zyrtare të ministrisë së Jashtme holandeze thuhet se: “Edhe pse ligji holandez kufizon shtetësinë e dyfishtë, ajo është e mundur për subjektet holandeze ligjërisht për ta mbajtur shtetësinë e dyfishtë në një numër të rrethanave, duke përfshirë:
-Ata që marrin shtetësi tjetër, në kohën e lindjes (për shembull, një fëmijë i lindur nga prindër holandezë në Shtetet e Bashkuara do të mbajë dy shtetësi, atë amerikane dhe holandeze).
-Personat që marrin shtetësinë holandeze përmes procedurës (duke përfshirë ish shtetas holandez duke rinisur shtetësinë).
-Personat që bëhen subjekte të natyralizuar holandez, të cilët marrin një përjashtim nga kërkesa për të hequr dorë nga shtetësia e tyre e huaj, si në rastin e atyre të martuar me subjektet holandeze.
-Subjektet holandeze që natyralizohen në një vend tjetër të cilët janë të përjashtuar nga humbja e rregullit të kombësisë (si ato të martuar me një shtetas/subjekt të atij vendi)”.
Sipas këtij shpjegimi, zonja Aurela Isufi nuk ka pasur nevojë të lërë shtetësinë shqiptare. Bile ajo ka pasur të drejtë që deri në dhjetë vjet të mos qëndronte as në Holandë fare dhe të mos e humbiste atë.
Formula e betimit për tu bërë holandeze
Interesant është dhe formula e betimit për tu bërë holandez. Qytetari betohet për besnikëri dhe respekt ndaj rendit kushtetues të Mbretërisë së Holandës dhe përmbushje të detyrimeve ndaj nacionalitetit të tij. Duke qenë se shumica e familjes Basha është holandeze, ministri ynë i brendshëm është detyruar të jetë në një farë mënyre besnik dhe ndaj Mbretërisë së Holandës. Fati jonë është që Holanda është vend demokratik.
“Nëse dikush kërkon natyralizim ka për të bërë një betim/premtimin aderimin e tij/saj në vlerat e shtetit holandez: “Betohem (deklaroj) që unë e respektoj rendin kushtetues të Mbretërisë së Holandës, liritë dhe të drejtat e saj, dhe unë betohem (premtoj) që besnikërisht do të përmbush detyrimet për shkak të nacionalitetit tim. Pra, më ndihmo o Zot i plotfuqishëm,” thuhet në betimin e përshkruar në faqen e Ministrisë së Jashtme.
Lulëzim Basha gënjen dhe për datën e lënies së shtetësisë së gruas
Gruaja e Lulëzim Bashës, Aurela Isufi, e ka lëshuar shtetësinë shqiptare në janar të vitit 2004, ndryshe nga sa deklaron kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës, i cili tha dje në TV Klan se bashkëshortja e tij e ka lëshuar shtetësinë në vitin 2003. Është e pakuptueshme pse Basha duhet të gënjejë për çdo gjë, përfshi dhe për datën kur gruaja e tij ka lëshuar shtetësinë, ndërkohë që për të ekziston një dokument zyrtar siç është dekreti i presidentit të Republikës. I vetmi shpjegim që ne kemi në këtë rast është fakti që gruaja e Luëlzim Bashës, Aurela Isufi të ketë marrë shtetësinë holandeze në vitin 2003 dhe kjo i është fiksuar në mendje Bashës.
Por kjo zbulon një problem edhe më të madh. Nëse gruaja e Lulëzim Basëhs ka marrë shtetësinë holandeze në vitin 2003 siç pretendon burri i saj, atëherë i bie që ajo e ka marrë shtetësinë holandeze pa e dorëzuar atë shqiptare dhe këtë e ka dorëzuar me dëshirë. Tani Bashës i mbetet të na sqarojë dhe një herë se kur e ka marrë shtetësinë gruaja e tij, pasi se kur e ka lënë e dimë nga dekreti i presidentit që kemi në dorë.