Kush është Hysen Shoshori, njeriu që akuzon Berishën

0
90


Lorenc Vangjeli, 07.04.2011

“Shoshori?!! Kush është ky? … Për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare”.
Njeriu që flet është Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë. I sapo kthyer nga Forumi Ekonomik botëror në Davos, më 2 shkurt, zoti Berisha dha një përgjigje të llojit të vet për një nga akuzat më të rënda që i janë bërë gjatë karrierës së tij politike: ka qenë dëshmitar në një gjyq politik që dënoi me vdekje Hysen Shoshorin, një qytetar tiranas i akuzuar për terrorizëm, agjitacion e propagandë dhe përvetësim të pasurisë socialiste në vitin 1975.

Një vendim që u pezullua pastaj nga plenumi i gjykatës së lartë dhe u shndërrua me 25 vjet burg. Vetë Shoshori, në një intervistë të tij të vitit 2002, pohon të njëjtin fakt dhe shënjon zotin Berisha si një nga dëshmitarët kundër tij në proces. Por dhe shumë vite më parë, bazuar në dëshmitë e bashkëvuajtësve të tij, që në dhjetorin e vitit ’90 kur Berisha nisi të shfaqej publikisht e më pas, Shoshori e konsideronte atë si pjesë e mekanizmit që e fundosi në fatkeqësi. “MAPO” ka mundur të sigurojë disa materiale autentike të kohës dhe fillimisht afroi për publikun (në një numër të shkurtit 2009 – shën. red.) dy vendimet e gjykatave komuniste, atë të gjykatës së Tiranës dhe të plenumit të gjykatës së lartë.

Dy dokumente, të cilat, duke ndjekur këshillën e kryeministrit për të zbuluar, nëse është, apo jo, i dënuar në kohën e komunizmit Hysen Shoshori, i japin përgjigje asaj: Po! Shoshori është një i dënuar politik. Pjesa tjetër, nëse Berisha ka qenë apo jo dëshmitar i akuzës komuniste kundër tij, është ende për t´u verifikuar.

Nga njëra anë është dëshmia e vetë viktimës dhe e bashkëvuajtësve të tij të shumtë, por dhe dosja voluminoze e hetimit, e cila deri më tani nuk është bërë publike. Nga ana tjetër, është mohimi i kryeministrit. Një mohim, që të paktën në një nga dy pikat e tij është i pasaktë: viktima Shoshori ekziston dhe është i burgosur politik.

Madje, në listat e ish të përndjekurve që janë publikuar (janar 2009), emri i tij figuron me numër rendor “një” për të marrë dëmshpërblim për ditët e burgut, në masën 8 milionë lekë.

Akuza ndaj akuzatorit të zakontë?
Në fakt, nuk mund të vinte në ditë më të keqe për zotin Berisha. Menjëherë pas miratimit të shumëdiskutuar të ligjit për lustracionin dhe shuplakave periodike, me kah të përcaktuar Uashington, Bruksel, Strazburg drejt Tiranës zyrtare, PS e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se ka qenë autor i një denoncimi politik ndaj një qytetari shqiptar që u dënua me vdekje nga regjimi i dikurshëm.

Prova që Erion Braçe demonstroi në Kuvend ishte gazeta “Plaga”, numri i saj i dytë dhe edhe i fundit – botimi i saj u ndërpre – organ i shoqatës së të ish të përndjekurve politikë. E botuar më 22 maj të vitit 2002, tirazhi modest i saj, nuk mundi as të dalë në qarkullim, sepse u asgjësua në rrethana të dyshimta. Zëra të pakonfirmuar pohojnë edhe se trajtimi i gazetës në këtë mënyrë erdhi si rezultat i një “aleance fluide” mes të akuzuarit të sotëm, Berishës, dhe një pjese të pushtetit të djeshëm të socialistëve.

Vetë botuesi i saj, Skënder Tufa, gjithashtu i burgosur i ndërgjegjes, një vit më pas u arrestua dhe bëri burg pas një procesi dhe akuze të dyshimtë për favorizim prostitucioni.
Hysen Shoshori atëherë përgjigjej: “Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja, të cilët bënin dëshminë të frikësuar dhe pa më parë mua. Në mendje më mbeti vetëm njëri që ishte i veçantë nga të tjerët. Trup i gjatë dhe energjik, me hap të sigurt u paraqit për të dëshmuar.

Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori, me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar sesi e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të theksuar armiqësore, të cilën e tundte para trupit gjykues dhe sallës: “…ky njeri është armik i betuar i partisë, prandaj duhet varur në litar”!

Sipas Shoshorit në 2002-in e sipas Braçes në 2009-ën, ky njeri ishte Sali Berisha. “Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për të arritur në majat e hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Berisha”, – pohonte vetë Shoshori. Pikërisht njeriu që vetë Berisha i vë në dyshim ekzistencën.

Kush është ish-i burgosuri i ndërgjegjes?
Është ende një nga misteret e mëdha të së shkuarës. Një nga ato mistere që nga larg i ngjajnë një konspiracioni kundër një individi, të cilit i kanë shkatërruar jetën, e kanë mbyllur në ferrin e burgjeve komuniste dhe tashmë, pothuaj 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit, edhe e mohojnë.

Për tiranasit e vjetër, emri i tij ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të “krisura” të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste.

Edhe sipas aktakuzës, edhe sipas asaj që ai vetë ka pranuar fillimisht në proces e më pas edhe publikisht me gojën e tij, gjatë periudhës 1961 – 1974 ka shpërndarë 41 100 trakte. Nga gjithë ky mal urrejtje, poshtërimi publik për diktaturën, organet e saj kanë mundur të sigurojnë një sasi prej 277 copash.

Sipas Shoshorit, njërën nga ato e ka pasur kryeministri i sotëm, kurse, sipas bashkëvuajtësve të tij, një tjetër trakt ishte dorëzuar nga një tjetër emër publik në Shqipëri, deri vonë diplomat.

Është kurioze të theksohet se diplomati shqiptar, u penalizua fillimisht për një gjë të tillë në 1996, duke iu hequr e drejta e konkurrimit për deputet, por që më pas mundi të rifitojë pastërtinë e figurës së tij. Në gjyq, ndryshe nga sa pretendohet për zotin Berisha, ai thjesht ka shpjeguar rrethanat, në të cilat ka gjetur traktin.

Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: “…duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve…”, – shkruhet në këtë vendim.

Por Shoshori nuk është ndalur këtu. Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: “…ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve… është i lig, është frikacak, është servil…” Ky trakt mban datën 22 janar 1968.

Pas një viti të gjatë në hetuesi, Shoshori fillimisht dënohet me vdekje nga gjykata e Tiranës, por në një rikualifikim vërtet të habitshëm të veprave penale, me të cilat e akuzonte drejtësia komuniste, plenumi i gjykatës së lartë e dënon atë me 25 vjet heqje lirie.

Më pas, për të fillon kalvari i gjatë i burgjeve. Spaç, Burrel dhe së fundi Sarandë, ku ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar nga burgu. Pas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, në 17 mars 1991, Shoshori do të kthehej sërish në Tiranë.

Pas 18 vjetësh në liri, Shoshori provon në një mënyrë tjetër, viktimizimin. Plot 75 vjeç (në 2009-ën kur daton deklarata e Berishës – shën. red.) ai mund të bëjë një bilanc të trishtuar duke shtuar dhe një detaj më shumë në jetën e tij të trazuar: arrijnë deri sa t´i mohojnë ekzistencën.

Të jetosh me Shoshorin
Bardhi Metaj është një burrë jashtëzakonisht i veçantë. Një shqiptar i rrallë, emrin e të cilin fillimisht e përmendin bashkëvuajtësit e Hysen Shoshorit. “I hapi derën e shtëpisë dhe ndau kafshatën e varfër të bukës me të. Nuk e njihte më parë, por bëri një sevap të paharrueshëm”, – tregojnë disa nga ta që e njohin mirë historinë e Shoshorit dhe pretendimin e tij kundër kryeministrit Sali Berisha.

Vetë Metaj tregon rrethanat, në të cilat është njohur me Shoshorin. “Ishte 17 marsi i 1991-shit, krejt rastësisht, në mbrëmje, hipa në një autobus që sillte të burgosurit e fundit nga Saranda në Tiranë. Isha me gjithë bashkëshorten time, Fatmirën, kur rastësia na uli pranë Hysenit. Nuk e kisha njohur kurrë më parë, por kisha dëgjuar diçka për të”, – thotë Metaj, edhe vetë i rritur jetim, me një baba të pushkatuar nga komunistët që kur ai kishte qenë foshnje.

“Insistoi ime shoqe. Ajo më tha se Hyseni nuk kishte ku të shkonte dhe ne e morëm në shtëpi. Ai ngjante si Zhan Valzhani tek “Të mjerët”, luajtur nga Zhan Gabeni. Kishte një personalitet të fortë. Është hera e parë që dikush më pyet për të. Vetëm në vitin 1991, në gazetën “Republika”, Maks Velo e përmendte këtë fakt dhe madje e krahasonte veprimin e bashkëshortes sime me atë të Nënë Terezës.

Por nuk ishte tamam kështu. Them se çdo shqiptar do ta bënte një gjë të tillë”, – pohon Metaj, dy vajzat e rritura të të cilit ende e quajnë Hysenin “Gjysh”.

Më pas, Shoshori largohet nga miqtë e tij të rinj dhe vendoset për ca kohë te të motrat. Dhe më tej akoma, shkon të banojë te një tjetër mik i tij. Ende në 2009-ën nuk kishte një banesë të vetën. I sëmurë nga mosha, por ende i paepur nga shpirti i tij rebel, Shoshori, ky njeri me një jetë të pabesueshme, madje nuk ka asnjë fotografi të vetën. Miqtë e tij të shumtë thonë se ai nuk e donte foton.

“Ishte krejt i veçantë dhe koha e djeshme që e vrau dhe e sotmja që e ka lënë në harresë, i kanë këtij burri një borxh të pafundmë”, – thonë miqtë e tij.

MAPO, shkurt 2009

Shoshori – Kur gjykatat e dënonin me vdekje

Ishte vetëm 41 vjeç dhe kishte mundur të shpërndante mbi 41 mijë trakte kundër regjimit komunist. Saktësisht, 41 100 të tillë deri në momentin që u arrestua. Historia e pabesueshme e Hysen Shoshorit, antikomunistit të vetmuar që u dënua me vdekje dhe më pas iu fal jeta për ta shtyrë atë në ferrin e burgjeve komuniste, vjen e ndërtuar nga materialet autentike të kohës.

Dy vendime të gjykatave komuniste, asaj të rrethit të Tiranës që e dënoi me vdekje dhe më pas edhe të Plenumit të Gjykatës së Lartë që e dënoi me 25 vjet burg, japin një pamje të zymtë të asaj çfarë ndodhi me një njeri që kundërshtonte komunizmin dhe mbi të gjitha, arrinte deri aty sa bënte thirrje për eliminimin e drejtuesve më të lartë komunistë të kohës, Enver Hoxha e Mehmet Shehu.

Vite më pas, vetë Shoshori ka akuzuar se një nga dëshmitarët e shumtë që kanë hapur varrin e tij “legal” ka qenë dhe kryeministri i vendit Sali Berisha, atëherë gjithashtu anëtar i Partisë së Punës. Vetë Berisha e ka mohuar një gjë të tillë, madje ai ka vënë në dyshim deri dhe ekzistencën fizike të akuzatorit të tij të sotëm. Revista “MAPO” afron detaje rrëqethëse nga dy proceset e shkurt-marsit të vitit 1975, plot 34 vjet më parë.

Vendimi i gjykatës së Tiranës
Është tetë faqe. I shkruar me makinë shkrimi dhe i firmosur nga kryetari i trupit gjykues dhe dy ndihmësit e tij. I firmosur dhe nga prokurorja e çështjes dhe sekretari i gjykatës. Të pandehurit janë dy: Hysen Shoshori dhe Ramiz Vladi, i pari i datëlindjes 15 maj 1934, lindur në Prezë e banues në Tiranë, punëtor në uzinën e artilerisë, i martuar me dy fëmijë.

I arrestuar më 29 gusht 1974. Bashkëvuajtësit e Shoshorit saktësojnë se ai është arrestuar në krah të ambulancës së madhe në Tiranë, me nëntë trakte në xhep, aty ku ka qenë dikur muzeu i luftës që u prish për t´i lënë vendin kullave nëntëkatëshe. Është arrestuar në flagrancë duke ngjitur traktet e tij në një shtyllë. E survejonin prej ditësh me radhë.

Bashkë me të në proces, viktima tjetër Vladi, bashkëmoshatar me të, gjithashtu punëtor në uzinën e artilerisë, është arrestuar një ditë më pas. Shoshori akuzohej për vepra terroriste, agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për të mos e mbyllur këtu, i ishte veshur dhe akuza për vjedhje të pasurisë socialiste. Vladi akuzohej për moskallëzim të krimit. Prokurorja e çështjes kërkoi shpalljen fajtor të Shoshorit për të gjitha veprat penale, me të cilat akuzohej dhe dënimin e tij me vdekje, kurse për Vladin pesë vjet burg.

Vërejtjet e gjykatës
“Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Shoshori ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës… veprimtarinë e tij armiqësore e ka filluar që nga viti 1967 dhe e ka vazhduar deri më 29 gusht 1974 kur u kap duke shpërndarë fletushka me përmbajtje armiqësore kundër Partisë së Punës, pushtetit popullor dhe udhëheqësve të shtetit”, – shkruhet në vendim.

Sipas tij, u provua se Shoshori e ka ndarë mllefin e tij kundër pushtetit dhe me Vladin, të cilit i ka thënë: “Populli po vuan, nuk ka liri, ka diktaturë. Ai i ka lavdëruar sistemin kapitalist dhe revizionist dhe i ka thënë se sipas mendimit të tij, duhej ndërhyrja e sovjetikëve për ta shpëtuar popullin shqiptar”.

Vendimi saktëson se gjykata ka mundur të mbledhë gjithsej 277 trakte të cilat “kanë përmbajtje nga më të poshtrat dhe shpifje nga më të poshtrat. Kërkohej hapja e kufirit e bëhej thirrje për t´u ngritur kundër pushtetit.”

Vetë Shoshori e pranon një gjë të tillë. Sipas tij, ai donte që “populli të bëhej sa më i pakënaqur nga partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve”.
Në të njëjtin konkluzion kishte arritur dhe ekspertiza grafike e datës 15 nëntor 1974, që u
ishte bërë trakteve; ato rezultonte se ishin shkruar me dorën e Shoshorit. Por deri këtu ishte “konsumuar” krimi i agjitacionit.

Më e keqja vinte se Shoshorit 41-vjeçar i ishte vënë tyta e akuzës në ballë: akuza për kryerjen e akteve terroriste.
“Në fletushkat e ndara më 22 janar 1968 ka shtyrë persona të tjerë për të kryer vepra terroriste kundër udhëheqësve të partisë dhe pushtetit duke u shprehur se…”Ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe levave të tyre të këshillave të lagjeve, është i lig, është frikacak, është servil”.

Megjithatë, me një argumentim krejt të pamendueshëm për kohën, gjykata interpreton ligjin në një mënyrë që edhe sot tingëllon mjaft e fortë.
“Kjo akuzë (e prokurorit) nuk bazohet në ligj”, – vëren gjykata fillimisht. Sepse sipas saj: “Për të pasur nxitje për të gjitha krimet,… duhet që nxitësi ta drejtojë veprimtarinë e tij jo në mënyrë abstrakte kundrejt personave të panjohur, por drejt një subjekti konkret, me qëllim që të krijojë tek ky determinimin, vendosmërinë e nevojshme për të kryer një krim të caktuar. Duhet që nxitësi jo vetëm të dëshirojë kryerjen e një krimi, por është e nevojshme që me veprimet e tij të bëjë që kjo dëshirë e tij të përqafohet nga një person konkret”.

Gjykata citon nenin 12 të Kodit Penal, që kërkonte ekzistencën e marrëveshjes mes bashkëpunëtorëve, kur gjithashtu është e nevojshme të krijohet kontakt mes bashkëpunëtorit dhe nxitësit në krim.

“I pandehuri Hysen Shoshori duke mos iu drejtuar personave konkretë nuk ka bërë nxitje, por vetëm ka bërë thirrje për kryerjen e veprave kundër shtetit nga ana e personave të panjohur… në esencë kjo nuk është gjë tjetër veçse shfaqje mendimi për kryerjen e krimeve të tilla”.

Duket se të paktën ishte vendosur t´i kursehej jeta, por hetuesia kishte një tjetër “as” të pistë nën mëngë dhe kjo ishte vjedhja e supozuar. Pra, viktima nuk do të dënohej për terrorizëm, çka do të bënte shumë bujë, por për vjedhje për të demonizuar në mënyrë ordinere “armikun e betuar”.

Akuza mbi akuzë
Ishte normale që në atë kohë, për “armiq” të llojit të Shoshorit, hetuesia ta shoqëronte akuzën politike edhe me ato të kryerjes së krimeve ordinere. Ashtu siç ndodhte rëndom dhe e kundërta; vjedhës përsëritës në një moment të caktuar konsideroheshin dhe si kontingjent politik.

Shoshori nuk i shpëtoi kësaj “ligjësie” dhe ai u akuzua për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në masën e 7078.40 lekë. Hetuesit kishin llogaritur deri në qindarka gjithçka dhe i atribuonin të pandehurit deri dhe vjedhjen e 250 gramëve semenca apo 200 gramëve fletë bakri apo dhe 0.15 metra katror meshin.

Katër dëshmitarë, Shuaip V., Perlat K., Ismet D., dhe Isak Gj., deklaruan se vjedhjet ishin kryer. Për Vladin nuk kishte shumë histori; ai e dinte që Shoshori ishte armik, por nuk e kishte denoncuar. E dënojnë me dy vjet burg.

Vetë i pandehuri kryesor ishte në prag të vdekjes: gjykata vërente se “…me veprimtarinë e tij shumë të theksuar kriminale prej një armiku të tërbuar kundër popullit shqiptar dhe socializmit e ka vënë veten e tij jashtë shoqërisë dhe çmohet se një dënim i zakonshëm nuk mund të ndikojë në edukimin e tij”.

Ndaj, për këto arsye, vendoset: “Ta deklarojë fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës… dhe e dënon me dhjetë vjet heqje lirie. Ta deklarojë fajtor për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste… dhe ta dënojë me vdekje me pushkatim. Ta deklarojë të pafajshëm për krimin e veprës terroriste”.

Kundër këtij vendimi kishte vetëm një afat prej pesë ditësh për të bërë ankimim. Nga ky Moment, Shoshori dërgohet në qelitë e burgut të vjetër, që sot njihet me emrin burgu 313 dhe pret marrjen parasysh apo jo të kërkesës së tij për falje. Pesë ditë, në të cilat ai u mbajt i izoluar me kaskë në kokë për të shmangur vetëvrasjen: edhe vdekjen duhet ta jepte skuadra e pushkatimit.

Plenumi i Gjykatës së Lartë
Shoshori ankohet dhe pothuaj një muaj më vonë, më 13 mars 1975 nis procesi i dytë ndaj tij. Ishte ankuar dhe prokurori i çështjes që këmbëngulte se Shoshori duhej të dënohej me vdekje për krimin e terrorizmit dhe jo të akteve të vjedhjes. Aranit Çela, atëherë kryetar i gjykatës së lartë nis procesin dhe në fund të ditës jepet dhe vendimi.

Ribëhet rishtas një rezyme e veprimtarisë së tij, pranohet si i drejtë vendimi i gjykatës së Tiranës për veprimtari terroriste të Shoshorit – me një interpretim rishtas të pabesueshëm për kohën të ligjit – dhe shkohet madje edhe më tej.

Plenumi vërente se “…krimi i përvetësimit të pasurisë socialiste është vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, por pasojat e rrjedhura prej tij nuk janë të asaj shkalle që për të pandehurin të zbatohej dënimi me vdekje”.

Dhe më pas, me 19 firma, gjykatësit vendosin lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Tiranës, ndërsa për “vjedhjen” Shoshori i shpëtonte plumbit dhe do të dënohej me 15 vjet burg. Gjithsej, … “duke bërë bashkimin e dënimeve, i gjykuari Hysen Shoshori të dënohet me 25 vjet heqje të lirisë”, firmos Aranit Çela.

Këtu mbaroi llogaria e Shoshorit me gjykatësit dhe për të nisi kalvari i vuajtjeve në Spaç, Burrel e Sarandë, prej nga ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar në marsin e vitit 1991. Sipas një njoftimi të ministrisë së Drejtësisë, i takon të marrë 8 milionë lekë dëmshpërblim për vitet e burgut. Një jetë e këputur që shtatë vjet më pas, numëronte me gojën e tij, si një nga dëshmitarët kundër tij edhe vetë kryeministrin e sotëm.

Lorenc Vangjeli, MAPO, shkurt 2009