
Nga Mero Baze
Një lajm i botuar nga agjencia prestigjioze e lajmeve Balkan Insight rreth rekomandimeve të dy ambasadorëve të rëndësishëm të Perëndimit për ekspertët e ODIHR, për zgjedhjet e 8 majit, po rihap debatin mbi ndikimin negativ që mund të kenë në procesin zgjedhor disa diplomatë perëndimorë në Tiranë. Edhe pse lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht nga palët, serioziteti i agjencisë dhe raporteve të saj me këtë temë është e vështirë të vihet në dyshim.
Sikur ta kishte parandjerë këtë lajm, një diplomat i lartë perëndimor pati dje takim me disa opinionistë të medies shqiptare, dhe kur ky shqetësim u ngrit prej tyre, e kundërshtoi prerë duke theksuar se vendet perëndimore nuk aplikojnë në Shqipëri teorinë e prioritetit të stabilitetit mbi demokracinë. Fakti që në të dy rastet diplomatët mbeten anonimë, edhe pse gati të gjithë e dimë kush janë, tregon se vërtetë ka një rritje të delikatesës së diplomatëve për të mos marrë përgjegjësi për atë që mund të ndodhë në Shqipëri me zgjedhjet, ndërkohë që janë shumë të përfshirë në dështimin e dialogut politik në vend.
Por, pavarësisht delikatesës që ka krijuar dështimi i mundshëm i zgjedhjeve tek disa diplomatë perëndimorë, frika që kanë shumë njerëz të politikës dhe medies në vend nuk është destabiliteti pas manipulimit të mundshëm të zgjedhjeve, por pranimi i këtij manipulimi si diçka që e ofron Perëndimi. Në Shqipëri për shembull ka një ndjeshmëri shumë të lartë për qëndrimet e SHBA dhe një pro-amerikanizëm që nuk e gjen thuajse në asnjë vend të globit. Berisha deri më sot ia ka dalë të bëjë politikë me diplomatët amerikanë në Tiranë. Xhon Uidhers, i cili mbronte hapur parimet e lirisë që aplikohen në SHBA dhe që kishte shpesh qëndrime kritike ndaj Berishës, e njollosi duke dërguar deri letra në Departament të Shtetit për largimin e tij.
Lulëzim Basha, në atë kohë Ministër i Jashtëm, ndërmori udhëtim privat në SHBA për të siguruar përmes disa ish-diplomatëve lobistë amerikanë, që merren me biznese skrapi dhe demontime në rajon, që ish-diplomati amerikan të zëvendësohej, ose së paku për të të thuhej që i ka qëndrime personale. Në të vërtetë Uashingtoni i injoroi këto përpjekje thuajse zyrtare të Berishës, në Tiranë ato lexoheshin si një betejë personale e Berishës kundër ish ambasadorit. Zoti Uidhers iku kur i përfundoi mandati, por pasardhësi i tij, zoti Arvizu, nuk pati të njëjtin fat me Berishën.
Ai u shfaq menjëherë në krah të tij dhe Berisha bëri shumë kujdes ta paraqiste këtë në opinion si vërtetim i teorisë së tij se ambasadori i mëparshëm kishte probleme personale me të dhe se kjo është SHBA e vërtetë pro Berishës. Në të vërtetë SHBA është dhe duhet të jetë një mbështetëse e palëkundur e çdo qeverie shqiptare për shkak të raporteve tona historike, por të gjithë e dimë që Berisha nuk e do SHBA se mbështet qeverinë e tij, por e do për të justifikuar pushtetin e tij.
Më saktë Berisha do të përdorë raportet shumë të mira që ka me ambasadorin e SHBA për ta përdorur atë si noter të zgjedhjeve më 9 maj. Këtu qëndron edhe problemi. Të gjithë dyshojnë se nëse këtu preken zgjedhjet, më 9 maj njerëzit do të dalin në rrugë dhe mund të ketë humbje të stabilitetit. Unë parashoh një gjë më të rëndë nëse në këtë mes keqpërdoret deri në fund roli i SHBA dhe diplomatëve perëndimorë në favor të pushtetit të Berishës. Më e rëndë se destabiliteti më 9 maj do të ishte një gëlltitje në heshtje i manipulimit si “fat” që na e kanë caktuar miqtë tanë perëndimorë.
Ajo do të ishte një gjë shumë më e rëndë se protestat apo destabilizimi. Për herë të parë këtyre njerëzve do tu jepej një mesazh pervers, që u kujton se për hir të dashurisë për Perëndimin dhe ëndrrës së tyre amerikane, duhet të pranojnë diçka që s’ka të bëjë me parimet e Perëndimit dhe lirisë amerikane. Ky është një fund më i hidhur se çdo fund tjetër në këtë vend, pasi kjo do të jetë vdekja klinike e demokracisë në Shqipëri. Asnjë diplomat perëndimor nuk angazhohet zyrtarisht për këtë fund të hidhur. Askush prej tyre, përfshi dhe ambasadorin e SHBA, nuk angazhohet personalisht për të mbështetur Berishën.
Por Berishës pak i intereson kjo. Atij i intereson perceptimi tek njerëzit, perceptim që ai e prodhon me medien e vet dhe sjelljet e tij publike. Atij i intereson vetëm që këta diplomatë të flasin anonimë, të mos thonë asgjë kundër tij publikisht dhe ta lënë të qetë. Të tjerat ai i rregullon vetë. I rregullon aq mirë, sa dhe diplomatët perëndimorë do të çuditen më 9 maj kur ta shikojnë veten aleatë të njeriut të gabuar që mund të vërë dorë mbi zgjedhje për herë të n-të në këtë vend.
Berisha nuk do ndihmën e tyre për të vjedhur vota, nuk do paret e tyre për vëzhgues, nuk do miliona prej tyre për investime, ai do vetëm një gjë: të mos flasin kundër tij dhe të mos e përgënjeshtrojnë fushatën e tij manipuluese me rolin e Perëndimit në këtë histori të pistë elektorale. Është pikërisht kjo arsyeja që diplomatët janë konfuzë dhe nuk dinë të mbajnë një qëndrim publik të qartë dhe të bashkuar ndaj kësaj që po ndodh. Ata po shkruajnë dhe po flasin pas perdes me shenja që mund t’i lexosh si të duash. Siç i do Berisha.







