Shenasi Rama, 06.04.2011
– NGA 1001 PËRRALLAT E TRANZICIONIT –
Njëri ndër objektivat kryesorë e të pandryshuar të parisë së Tiranës është që gjendja e krizës së thellë morale, shoqërore e të vlerave në të cilën është shteti e kombi shqiptar te pranohet si e pashmangshme. Kjo gjendje paraqitet si e pashmangshme, dhe e paevitueshme, pasojë e drejtpërdrejtë e rrethanave historike. Argumenti i tyre është se ky ishte ‘fati’ i shqiptarëve dhe se nuk kishte se si që gjërat të mund të shkonin ndryshe. Meqë, gjithnjë sipas tyre, nuk kishte rrugë tjetër përvecse që të shkonim në drejtim të ndërtimit të kapitalizmit ekstrem sic paraqitej prej tyre, atëherë të gjitha pasojat që rrjedhin nga kjo përpjekje për të ndërtuar (sic!) kapitalizmin, janë procese të natyrshme e të pashmangshme e duhet të trajtohen si të tilla.
Cudia është se një masë dërmuese e shoqërisë shqiptare e ka pranuar këtë argumentim të përsëritur me njëmijë mënyra e pa kurrfarë ndërprerjeje si të vlefshëm e të pakontestueshëm. Katër grupimet me peshë në atë shoqëri që dolën nga sistemi i mëparshëm, katundarët, shtresat e proletarizuara urbane, inteligjencia dhe paria e Tiranës, kanë arritur në këtë bindje e përfundim të përbashkët se kjo gjendje ishte e pashmangshme. Kjo bindje është përforcuar me nje nivel rezinjate shoqërore që të shtyn të mendohesh për rrugën ku janë shqiptarët e mundësitë e daljes nga kjo gjendje.
Ndërsa katundarët dhe shtresat e proletarizuara urbane, nuk ja kanë pasur idenë se cfarë sistemi do të ndërtohej mbas vitit 1991, inteligjencia e kishte një ide të ushqyer nga sistemi i mëparshëm se sistemi i kundërt me socializmin do të ishte një sistem kapitalist i tipit të Perëndimit të Largët, ose në rastin më të mirë, një kapitalizëm si ai që përshkruhej nga Engelsi në Mancesterin e vitit 1844. Prandaj, e vetmja shtresë që ishte krejtësisht e qartë, e vetëdijshme për rrugën që po ndiqej, për pasojat që do të kishte shoqëria, dhe për fatkeqësitë që do të sillte ecja në atë rrugë ishte paria sunduese e Tiranës dhe aspirantët për tu bërë pjesë e saj.
Grupimet më kryesore të kësaj shtrese sunduese ishin tre: paria e Bllokut (që ishte edukuar jashtë), profesorati universitar (ajo pjesë që kishte qënë jashtë e që i duhej të dinte se si funksionon sistemi), dhe zyrtarët e shtetit (që duhej të jepnin e të merrnin me botën e jashtme) e kishin një ide të qartë se si funksiononte sistemi. Të bijtë e Enver Hoxhës që kishin studjuar jashtë me vite, mjekët si Sali Berisha që kishin jetuar me vite në botën e huaj, diplomatët apo partiakët si Sofokli Lazri, juristët si Luan Omari apo ekonomistët si Gramoz Pashko e Fatos Nano, fizikanët si Rexhep Mejdani apo matematikanët si Skender Gjinushi, apo edhe drejtorët e Ndërmarrjeve të Fruta-Perimeve si Sabri Godo e dinin se si funksiononte bota e huaj. Ata që mendonin se kapitalizmi ishte ajo cka jepte RAI, nuk e njihnin gjendjen e nuk dinin si funksiononte bota e huaj.
Realiteti që të gjithë këto kishin parë në vendet ku kishin qënë në Perëndim (Francë, Austri, Suedi, Gjermani, Itali, apo Zvicer) nuk ishte realiteti i kapitalizmit ekstrem. Në të gjithë këto vende, shtete-kombe të qëndrueshme, kishte sisteme shoqërore të konsoliduara, shtete të konsoliduara, ekonomi të institucionalizuara e me rradhë. Sistemet e sotme në të gjitha këto vende janë një evoluim i asaj që këto pjestarë të parisë e shumë të tjerë që identifikohen lehtë e kanë parë, e kanë njohur dhe e kanë ditur që është gjendja reale.
Askund, në asnjë vend ku këta kanë qënë, e kanë qënë për shumë vite secili, nuk kanë parë një kapitalizëm ekstrem. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë. Si është e mundur që kur dolën në krye të forcave politike dhe të strukturave shtetërore apo mbetën në prapaskenë, të gjithë këta individë u turrën të ndërtonin një sistem shoqëror i cili nuk ekziston kurrkund përvecse në mendjen e disa ekstremistëve ideologjikë dhe në mendjen e parisë sunduese në shtetin shqiptar?
Cdo gjë që këta bënë gjatë këtij tranzicioni e bënë mbrapsht. Privatizimi me rrënjë i cdo strukture ekonomike e mbrojtjeje shoqërore, shkatërrimi i fabrikave e ndërmarrjeve të ndërtuara me aq sakrifica nga populli shqiptar, rrënimi i shtetit, rrënimi i identitetit, legjitimimi i krimit dhe i poshtërsisë, ngritja në moral e sjelljes së zvetënuar, piramidat, korrupsioni, zhveshja nga vlerat morale. Krimet e kryera nga paria e Tiranës, por me shtytjen e inkurajimin e saj janë të përbindshme. Kujt nuk i kujtohet “ceku i bardhë” i Gramoz Pashkos, thirrjet “kemi bukë vetëm për tre ditë,” “paratë e popullit janë të pastra” të Sali Berishës, bisedat e Fehmi Abdiut me Fatos Nanon në Rogner, bisedat e Edi Ramës me Delijorgjin, krimet e Fatmir Mediut, skandalet e pafund të të tjerëve që për shtatë minuta u bënë milionerë e më rradhë? Kujt nuk i kujtohet 1997-ta? Gërdeci? Përmbytjet e Shkodrës që dy muaj më vonë bën edhe karnival?
Pika e parë e fillimit të gjykimit është se askund nuk ka pasur një gjendje kaq monstruoze sa kjo që u krijua në shtetin shqiptar. E për këtë nuk ka se si t’iu vihet faji katundarëve apo shtresave të proletarizuara urbane apo edhe hajnave e rrugacëve; lufta e sistemit ishte që ti mbante në injorancën më të thellë e që këto shtresa të mendonin ashtu si donte sistemi.
Kur erdhi puna që të vepronin, shumë u shtynë nga urrejtja dhe në një masë të konsiderueshme, këta kanë ba cka iu ka thanë paria e Tiranës. Njerëzit i kanë pa dhe i kanë konsideruar këta pjestarë të parisë së Tiranës, pavarësisht nga partia në krye të cilës dolën, asgja ma pak se sa si shpëtimtarë. Kam bindjen se njerëzit e thjeshtë do ti kishin ndjekur deri në një cak pa hezitimin më të vogël. E ashtu do të ishin ruajtur minierat, vreshtat, fabrikat, uzinat, spitalet, dyqanet e me rradhë sepse ishin pasuria e popullit e jo e dikujt tjetër.
Mirëpo, sic edhe shihet nga sjellja e tyre konseguente e mbas 1990-tës këta pjestarë të parisë së Tiranës kishin objektiva të tjera. Ata e kanë ditur se cfarë po bëjnë e se ne cfarë rruge po e fusin kombin e shtetin shqiptar. Ata i kanë marrë vendimet e tyre me një vetëdije të plotë. Ata duan që edhe sot, mbasi shihet qartë se ky system që është krijuar ka dështuar plotësisht, ta shesin krimin e tyre si arritje. Anjëri nga këto pjestarë të parisë nuk ka kërkuar falje, nuk ka pranuar gabime, nuk i ka kërkuar ndjesë shqiptarëve.
Mbrojtja më e fortë që këto kanë është argumenti i pashmangshmërisë së sistemit. Mirëpo ky sistem nuk ishte i pashmangshëm. Ai u vendos me qëllim e është pasojë e politikave konseguente të ndjekura nga paria e Tiranës e rreshtuar në formacionet politike të dala nga PPSH e të kontrolluara nga vetë paria.
Projekti i tyre afatgjatë ishte i qëllimtë dhe me objektiva të qarta. Synimi i tyre ishte ndërtimi i një kapitalizmi ekstrem të mbështetur në mendësinë katundare të shumicës dërmuese të popullit shqiptar. Katundarët do të merrnin nga një copë tokë, shtresat e proletarizuara do të kishin një copë pronë të vogël apo dyqan, por monopolet e vërteta të kontrollit të ekonomisë dhe të shtetit do të ishin në duart e tyre. Me kohë, këta do të beheshin sundimtarët e vërtetë, oligarkët e një sistemi që do të kishte një polarizim të frikshëm ekonomik, shoqëror e politik.
Hedhja jashtë vendit e një million e gjysëm shqiptarëve në emigracion ishte një arritje por edhe një pengesë e madhe. Ishte arritje sepse këta shqiptarë që dolën jashtë i hodhën të gjithë kursimet e jetës në shtetin shqiptar duke mbajtur gjallë ekonominë që ende mbahet me remitancat e tyre. Pengesë sepse duke cuar ndihma e duke mbajtur familjet e tyre gjallë e me bukë, këta emigrantë nuk lejuan skllavërimin e thellë të familjeve të tyre, cka iu prish planet parisë. Mirëpo për sa kohë që askush nuk e konteston kontrollin e tyre oligarkik mbi shtetin, ekonominë, vlerat, e mbi cdo aspekt tjetër të jetës, paria e Tiranës e toleron këtë gjendje, sepse e din që herët a vonë, emigrantët do të shkëputen dhe skllavërimi i një shoqërie, që tashmë është e zhveshur nga vlerat, është cështje kohe.
Pse duhen thënë këto gjëra? Këto duhen thënë sepse nëse katundarët e shtresat e proletarizuara urbane e panë vendosjen e një sistemi ekstremist si të pashmangshëm, paria e Tiranës, por edhe deri diku inteligjencia e shtresave profesioniste (inxhinjeret, mjeket, etj) e panë si një sistem që iu shërbente interesave të tyre dhe punuan me vetëdije e me ndërgjegje të plotë për vendosjen e një sistemi të tille. Pakkush u distancua nga kjo ndërmarrje kriminale, ata që u distancuan u mënjanuan nga jeta politike dhe shumica dërmuese ka përfituar prej këtij sistemi.
Paraliza e shoqërisë është e thellë dhe e jashtëzakonshme. Mirëpo duhen kuptuar edhe shkaqet e kësaj heshtjeje kolektive. Nuk është se njerëzit nuk e dinë se cka po ndodh. Asnjëri nuk guxon me hedhë gurin mbi parinë, sepse thuajse të gjithë janë ba pjesë e këtij krimi, sepse jetojnë prej këtij krimi dhe mbi të gjitha, e shohin të ardhmen e tyre financiare, ekonomike, e materiale të lidhur pazgjidhshmërisht me vazhdimësinë e këtij krimi. Profesori që jep mësim në tre universitete, mjeku që ka hapur klinikën private, inxhinjeri që ka firmën e ndërtimit, burokrati që ka ble hidrocentralin e vogël, shitësja që ka privatizuar dyqanin, mjeku që të len me vdekë, infermierja që nuk të bën gjylpanën pa lek, katundari që i ka vjedhë tokën tjetrit, analisti që paguhet mijra euro për të thënë budallallëqe, kontrabandisti që shet drogën e Lazaratit e të gjysmës së zonave malore, trafikantët e femrave, vrasësit me pagesë, shitësit e makinave të vjedhura, importuesit e grurit e të hekurit me radiacion, të ushqimeve e e të mishiut të prishur, e shumë e shumë të tjerë, të gjithë këto janë pjesë e këtij krimi, e dinë cka po ndodhë e nuk flasin. E gjithë shoqëria është e kriminalizuar fund e krye. E nuk duhej të ishte kështu, kjo nuk ishte e paevitueshme.
Mirëpo, më e pakta që duhet bërë është se këto gjëra duhen thënë. petku i pashmangshmërisë nuk e mbulon përgjegjësinë e thellë morale të parisë e të veglave të saj. Ajo që ka ndodhur në shtetin shqiptar është e përbindshme. Ky është një krim që është bërë me vetëdije të plotë, me ndërgjegje të plotë dhe që nuk mund të falet e të kalohet lehtë. Gjithcka qëë ka ndodhur ka ndodhur me vetëdije të plotë. Një krim që bëhet me ndërgjegje të plotë duhet dënuar. Në mos tjetër, duhet dënuar para historisë. Dhe ky krim që është kryer këto 20 vjet, nuk duhet lënë të kalojë si kurrgja hic. Nuk ishte dashtë me ndodhë kështu, nuk kishte pse me ndodhë kështu e përgjegjësia për këtë krim është e parisë sunduese të Tiranës të organizuar në të gjitha partitë politike e strukturat që ajo ka ngritur për të përjetësuar këtë sistem që po len pasoja që po përkeqësohen me shpejtësi marramendëse.
“Mirëpo, më e pakta që duhet bërë është se këto gjëra duhen thënë…”
Po pastaj si vazhdon perralla # 36, ose me sakte si duhet te vazhdoje?
Nje gje eshte interesante ne keto kohe, regjizorë te ndryshem paraqesin te njejten ngjarje: historine e 3+1 mosketiereve ne France, por me e bukura eshte se ne te gjitha rastet filmat mbyllen me thenien:
“Franca do t’ju jete mirenjohese per gjithmonë!”
Kur Shqiperia, me ne fund, do te gjeje mosketieret e saj? Kur? Kur?
Comments are closed.