Nga Mero Baze
Dy vjet më parë kur Shqipëria u pranua në NATO, të gjithë entuziastët, përfshi dhe autorin këtyre rreshtave, u bashkuan së paku në tri pika: Si vend anëtar i NATO-s do të kishim më shumë prestigj dhe do ngjallnim më shumë besim tek investitorët e huaj; si vend anëtar i NATO-s do kishim zgjedhje më të mira dhe standarde perëndimore në institucionet e shtetit; dhe si vend anëtar i NATO-s do ishim një vend më i lirë. Entuziazmi ynë ishte logjik, pasi po e merrnim procesin sikur ne po anëtarësoheshim në NATO ngaqë e meritonim. Dy vjet pas hyrjes në NATO, ne kemi një bilanc tragjik me shpresat tona për atë çfarë duhet të na ndihmonte NATO dhe një dilemë të madhe nëse pritshmëria jonë ishte e ligjshme.
Shpresa jonë e parë se si vend i NATO-s do na rritej prestigji dhe do na afroheshin investimet e huaja u tret si kripa në ujë për shkak të një mungese të padeshifrueshme të mënyrës se si një i huaj i lirë mund të investojë në këtë vend pa lidhje direkte me qeverinë apo familjen e kryeministrit.
Gjatë këtyre dy viteve kemi parë se si vajza e kryeministrit u sugjeron investitorëve të investojnë në parqe energjetike kundrejt një fee-pagese për të, për tu siguruar firmën e babait të saj kryeministër; kemi parë një vërshim të kapitaleve të dyshimta të strukturave të vjetra të ish-Jugosllavisë që po pastrojnë historinë e bizneseve të tyre përmes lidhjeve të ngushta me familjen Berisha, kemi parë në fund një dështim tërësor të prioriteteve të qeverisë për investimet në energjetikë apo projektet për energji bërthamore. Askush nuk vrapoi në Shqipëri pse u bëmë vend anëtar i NATO-s. Përballë imazhit pozitiv që na dha ylli me katër cepa i Aleancës, duket se funksionoi falsiteti dhe mungesa reale e ofertës nga ekonomia shqiptare për investitorët e huaj, përveç miqve të familjes Berisha.
Shpresa jonë e dytë e madhe, standardi i zgjedhjeve të lira dhe institucioneve demokratike u shemb pa mëshirë. Zgjedhjet e para si vend anëtar i NATO-s ishin një përsosje e manipulimit dhe rezistenca e qeverisë për të mos bërë transparencën e tyre ishte një betejë shumë herë me motivuar se sa detyrimi për t’iu përshtatur standardeve të një vendi të NATO-s. Institucionet e shtetit shqiptar, jo vetëm që nuk evoluuan, por dy vjet pas hyrjes në NATO Shqipëria ka shfaqur anën më primitive të saj në arenën ndërkombëtare dhe në dosjet e institucioneve perëndimore, pasi institucioni i kryeministrit shpalli si puçist, Presidentin, kryetarin e SHIK, kryeprokuroren dhe gazetarët kritikë me të.
Ndërkohë shpresa jonë e fundit, zgjerimi i lirive, pësoi një rrënim të paimagjinueshëm. Një javë para se të merrnim ftesën për NATO, një biznes vdekjeprurës dhe korruptiv, ku lobues kryesor ishte djali i kryeministrit të vendit, vrau 26 vetë. Tri vjet më pas, kur ne festojmë dyvjetorin e anëtarësimit në NATO, shteti ynë ligjor ka dështuar dhe e drejta e atyre familjarëve për të gjetur drejtësi për të vrarët është shkelur me këmbë.
Si të mos mjaftonte kjo, katër qytetarë shqiptarë u vranë nga dritaret e kryeministrit shqiptar pse protestonin para zyrës së tij për liritë e tyre. Prej 2 Prillit të vitit 191, asnjë qytetar shqiptarë nuk ishte vrarë pse kish protestuar për liri politike. Bile ka pasur dhe protesta të dhunshme me armë si ajo e 14 Shtatorit duke hyrë brenda zyrës së kryeministrit dhe askush nuk është vrarë. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm i këtij vendi anëtar të NATO-s janë të vetmit në historinë e Aleancës që kanë vrarë demonstrues politikë nga dritarja e zyrës së tyre.
E gjithë kjo hap një debat të madh për vlerën që ka një anëtarësim në NATO kur nuk bëhet për interes të qytetarëve të saj. Ne tashmë e dimë jo vetëm pse e ka publikuar Wikileaks, por dhe sepse po duket hapur që jemi vend i NATO-s, jo për shkak të meritave dhe vlerave të një vendi të NATO-s, por për shkak të dëshirës dhe vullnetit të SHBA për ta na bërë një vend perëndimor. Ne jemi aty falë SHBA dhe pranimit në heshtje të vendeve perëndimore edhe për arsye gjeopolitike. Por në vitin 2009 kur ne hymë në NATO, ne nuk ishim të rrezikuar as nga fqinjët, as nga ndonjë agresion i jashtëm.
Armiku ynë i madh ishte autoritarizmi, korrupsioni dhe mungesa e lirive. Ne shpresuam se duke na futur në NATO, jo për meritat tona, këto shpresa do afroheshin me realitetin. Por ato po largohen. Po largohen sepse ato janë vlera që nuk importohen, pro janë vlera që prodhohen në vend. Ato janë pjesë e vlerave që ne duhet t’i kishim, por që nuk i kemi. SHBA na ofroi NATO-n, por ne duhet të meritojmë anëtarësimin në të. Kështu siç është sot, NATO ngjan e zënë peng nga një regjim, i cili vret për të vjedhur, dhe pastaj vjedh për tu rizgjedhur.
Dy vjet pas anëtarësimit, NATO nuk po na mbron dot nga armiqtë e demokracisë në këtë vend, që janë korrupsioni, mungesa e zgjedhjeve të lira, mungesa e shtypit të lirë dhe mungesa e lirive ekonomike. Dhe unë nuk besoj se ka dështuar NATO. Ne me sa duket nuk jemi ushtarë të betuar për idealet e saj, por thjesht mercenarë që mendojmë se liritë dhurohen. Ose blihen.







