Diskursi politik
Në regjistrimin e popullsisë i cili do të zhvillohet nga data 1-15 prill të këtij viti diaspora do të regjistrohet vetëm në aspektin numërik, do të thot pa përkatësinë nacionale, gjuhës amtare dhe ate konfesionale që është paradoks i llojit të vet, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet
Dr. Nail Draga
Regjistrimi i popullsisë paraqet çështje të rëndësishme demografike, statistikore, ekonomike dhe kulturore për çdo vend. Madje nuk është e tepërt të thuhet së ai po ashtu paraqet çështje të identitetit të një vendi. Ndërsa në mjediset të cilat nuk janë të konsoliduara nga aspekti shoqëror paraqet edhe çështje politike. Në këtë aspekt dallohen vendet më popullsi heterogjene nacionale, ku shëmbull tipik është Mali i Zi.
Ndonsë kemi të bëjmë më regjistrim të popullsisë, banesave dhe të ekonomive shtepiake, në Mal të Zi ai ka marrë përmasat e fushatës parazgjedhore. Në lidhje më ketë çështje janë mobilizuar partitë politike por edhe institucionet shtetërore, duke përkujtuar bashkëkombasit e tyre së cilët janë dhe cilën gjuhë e kanë amtare. Një veprim i tillë jep për të kuptuar qartë sindromin e popujve të cilët e kanë të rrezikuar identitetin e tyre nacional dhe gjuhësor. Nga ana tjetër shqiptarët në ketë aspekt kanë qenë të përmbajtur nga fakti së janë të vetmit që nuk i përkasin korpusit të popujve sllavë, dhe së nuk i kemi komplekset e atyre popujve në Mal të Zi.
Dilema kryesore është diaspora
Në sajë të analizës së fletëregjistimit të popullsisë del qartë së një nder çështjet më të diskutueshme paraqet regjistrimi i diasporës. Ajo nuk paraqet ndonjë risi sepse një kontigjent i konsiderueshëm i qytetarëve tanë më vite e dekada jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme, por risi është evidentimi i saj në regjistrimin vijues të popullsisë. Dhe çdo kush pasi të analizojë fletëregjistrimin e popullsisë do të vërtetojë së për diasporën në ketë fletëregjistrim vlejnë vetëm gjashtë pyetje e asgjë më shumë.
Andaj si e tillë ajo do të paraqitet vetëm në aspektin numerik, por pa identitetin e vet. Pse është vepruar në ketë mënyrë mund të supozohet por nga organizatori i regjistrimit të popullsisë-Monstat-i, deri në ketë moment kanë munguar shpjegimet e nevojshme. Një veprim i tillë nuk ka dilemë së bie ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe standartët demokratike, sepse çdo individ kudo qoftë ai ka identitetin e vet nacional, gjuhësor dhe konfesional.
Veprime përfide të Monstat-it
Nuk ka dilemë së një veprim i tillë përfid i Monstat-it, nuk ka të bëj fare me metodologjinë e regjistrimit të popullsisë, sepse në pyetje janë disa çështje të tjera të cilat kanë përmasa politike. Të dhënat nga regjistrimi i viti 2003, japin shifrën e diasporës nga Mali i Zi prej 52511 banorësh, apo 7.8% e popullsisë së përgjithshme. Por,një të dhënë të tillë duhet analizuar më terë spektrin e vet ate nacional, gjuhësor dhe konfesional, sepse atëherë do të kemi mundësi të japim disa përfundime.
Kështu nëse analizojmë këtë numër sipas strukturës nacionale të popullsisë del qartë së në botën e jashtme janë 16519 pjesëtarë të kombësisë shqiptare, nga del së çdi i treti shqiptarë është në botën e jashtme. E dhëna së shqiptarët paraqesin 1/3 e diasporës së përgjithshme te Malit të Zi, është diçka e jashtëzakonshme kur dihet së shqiptarët marrin pjesë më 7.09% në kuadrin e popullsisë të përgjithshme.
Diaspora dëshmi e statusit social dhe politik
Ndërsa pjesa tjetër e diasporës nga Mali i Zi i takon pjesëtarëve të popullit boshnjak, e më së paku atij malazez apo serb. Të dhënat e mësipërme në mënyrë transparente paraqesin gjendjen faktike të diasporës ku popujt të cilët janë numërikisht më të pakët përbëjnë pjesën më të madhe të diasporës nga Mali i Zi.
Një rast i tillë është i jashtëzakonshëm dhe së vështirë mund të haset kund në Evropën Juglindore dhe më gjerë. Nuk ka dilemë së një e dhënë e tillë dëshmon qartë për statusin e tyre social dhe politik të popujve përkatës në Mal të Zi. Sepse nuk ka mundësi të shpjegohet ndryshe që pjesëtarët e popujve numërikisht më të pakët janë pjesëtarët më të mëdhënj të diasporës.
Andaj duke marrë parasysh këto të dhëna mendoj së hartuesit e pyetjeve në fletëregjistrimin e popullsisë eliminimin e deklarimit të popullsisë sipas përkatësisë nacionale, gjuhës amtare e asaj konfesionale e kanë bërë më qellim, për të eliminuar përkatësinë nacionale të diasporës nga Mali i Zi. Dhe nga një veprim i tillë del qartë prapavija politike, më çka dëshmohet së ky regjistrim i popullsisë është politizuar në përmasa të jashtëzakonshme nga subjektet politike në Mal të Zi.
Ide për regjistrim alternativ
Nga një veprim i tillë nuk ka dilemë së numri i shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi do të jetë më i vogël në krahasim më vitin 2003. Por, sa do të jetë realisht, do të dihet pas publikimit të rezultatëve të para të cilat do të publikohen një muaj pas përfundimit të regjistrimit. Shpresojmë që shqiptarët të Mal të Zi përveç pjesëtarëve të familjeve të tyre si popullsi rezidente, do të regjistrojnë edhe të afërmit e tyre në diasporë, mundësisht sa më shumë, sepse edhe ata janë pjesë e popullit tonë.
Ndërsa si do të deklarohën shqiptarët në ketë regjistrim të popullsisë besoj së nuk ka dilema sepse ata dinë se kush janë dhe cilën gjuhë kanë amtare. Dilema në ketë aspekt mund të ekzistojnë vetëm në disa mjedise të përziera multinacionale sikurse janë qyteti i Tivarit, Podgoricës, Plavë-Guci dhe Rozhajë, mjedise këto të të cilat ka ekzistuar mimikria e deklarimit objektiv së cilit popull realisht i përkasin.
Nga ana tjetër këto ditë qarkullojnë ide që të organizohet regjistrimi i popullsisë shqiptare në Mal të Zi dhe sidomos asaj në diasporë, nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve, që është subjekti prezantues i shqiptarëve në Mal të Zi. Pasi kjo çështje nuk i takon një individi apo subjekti politik, por është e të gjithë neve duhet të përpiqemi të realizojmë ata çka mundemi sepse punët tona nuk do të na i kryejnë të tjerët.
29 mars 2011