Kërleshja për “jetë a vdekje” për Tiranën

0
48

Nga: Kiço BLUSHI

TIRANE – Sikurse ishte parashikuar, zgjedhjet për kryebashkiakun e kryeqytetit po katandisen në një luftë të pashembullt, jo vetëm mes dy forcave kryesore politike, dy shtabeve, dy kampeve të interesave, por mes fatit të nesërm të dy prijësve…Kjo kërleshje e radhës ka për të shkuar edhe më për zi. Kush do të fitojë Tiranën -“Stalingrad”, pavarësisht nga viktimat, mjetet, reklamat, mësymjet me mercenarë e klakerë, me armë mediatike dhe shpenzime të padeklaruara, ka për të fituar nesër “legjitimitetin” mbi shqiptarët e Shqipërinë…

Ja përse Tirana e 8 majit politikisht i ngjan Stalingradit në luftën e dytë botërore, sepse më 8 Maj, – më saktë, të nesërmen, më 9 Maj – do të vendoset fati përfundimtar i fitores mes dy “taborëve”, mes dy partive, por më së shumti mes dy krerëve të gjithëpushtetshëm, Berishës dhe Ramës. Tehu i thikës mbi të cilën do të jetë e detyruar të ecë kjo fushatë është: o njëri, o tjetri! Në majë të “thikës” do të gjendet LSI-ja dhe partitë e tjera të vogla, të futura nën sqetullën e aleancave të hallit…

Besoj se tashmë është e qartë për këdo se kush do të fitojë kryeqytetin, ka për të siguruar jetëgjatësinë e vet të padiskutueshme, së pari në parti; por natyrisht, mbas kësaj, jo vetëm në parti, po edhe në Shqipëri, d.m.th, në qeveri, pasi partitizmi dhe pluralizmi tek ne kanë përfunduar në kryetarokraci. E jo vetëm një mandat, deri në vitin 2013, kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare, por shumë më gjatë, ndoshta derisa udhëheqësit ngadhënjimtar të 8 Majit “historik” t’i japë ymër Perëndia…Kjo veçori i bën këto zgjedhje administrative sa politike aq edhe jetike, sa të vështira aq edhe të premtuara si më të ndershmet nga pararendëset!

Nëse Tiranën, pas tri humbjesh radhazi, do ta fitojë më në fund Berisha, ky ka për “të legalizuar” edhe zgjedhjet parlamentare të kundërshtuara të 2009-ës, edhe 21 Janarin, bashkë me Gërdecin dhe abuzimet e rrugës së Kombit, edhe naftën virgine, edhe…Ndërsa, nëse për të katërtën herë kryeqytetin e merr Rama, ky automatikisht “do të legalizojë” protestat, bojkotin, mosnjohjen e “pushtetit të vjedhur nga Berisha”, mosdorëheqjen, qëndrimin e palëkundur në krye të partisë.

Në këtë dyluftim “për jetë a vdekje” të dy bajlozëve, emri i përzgjedhur i Bashës i ngjan emrit të një bedeli politik i cili, duke pranuar të shkojë pa kushte në emër të Berishës në luftë, shpreson se një ditë do të mund të bëhet trashëgimtar i natyrshëm i fronit, sigurisht nëse ai, Basha pra, ka për fituar “me votë popullore” kryeqytetin, pas katër betejash të vështira e të pamundura elektorale të PD-së.

Kjo “zgjedhje referendare” nga qytetarët e kryeqytetit automatikisht ka për ta bërë Bashën pasuesin e padiskutueshëm të Berishës, duke lënë në hije, madje shumë prapa, rivalitetin agresiv të zonjës Topalli, e cila, në postin e Kryetares së Kuvendit është zgjedhur jo nga populli, por nga deputetët e partisë së saj, duke u vetëmaskulinizuar, për të dhënë prova të pakursyera besnikërie dhe imitimi të berishizmës, vetëm e vetëm që të fitojë e sigurojë “trashëgiminë”e partisë.

Vështruar me këtë sy, shumëkush, ndoshta edhe disa diplomatë ndërkombëtarë, po e stimulojnë këtë fushatë pa kërkuar ndryshime në Kodin Zgjedhor, ndoshta ngaqë besojnë se duke forcuar “buzëqeshjet” e Bashës, të këtij njeriu që buzagaz edhe pa shkak, pra, pas një fitoreje të mundshme në Tiranë kanë për t’u krijuar mundësitë e çmontimit nga brenda (pasi përpjekjet nga jashtë kanë dështuar!) sa më butë dhe pa shumë kosto të Berishës i cili ka provuar se edhe në opozitë, edhe pas ’97-ës, edhe duke ndenjur tetë vjet në opozitë, është tejet i lidhur me ambicien e tij për pushtet…

Kjo është një arsye më shumë që i bën ndërkombëtarët të hamendësojnë se vetëm me një Bashë trashëgimtar, Berisha do të ndjehet nesër më i sigurt e më i qetë për t’u vetëlarguar, pa zullume, pa trazira, pa tensione e konflikte, në një kohë kur ikja e Nanos dhe më pas edhe humbja e mëpasme e Ramës do ta bëjë më të “justifikuar”, më të natyrshëm e, pse jo, edhe më të lavdishëm largimin përfundimtar e “legjendar” të tij nga politika.

Vetëm me një “siguri e garanci” të kësollojtë ai dhe familja e tij, e akuzuar për jo pak afera, krime e skandale, për të cilat Drejtësia nuk ka guxuar të japë deri më sot asnjë vendim apo gjykim (gjë që do të thotë se proceset gjithsesi kanë mbetur të hapura, që nënkupton se Drejtësia një ditë do të detyrohet të thotë fjalën e vet, pa trysninë e tij), Berisha mund të pranojë “t’i vetëdorëzohet paqësisht” e mëvetësisht jo dhe aq Drejtësisë, se sa historisë, dmth lavdisë së dëshiruar. Siguria që i jep një pasues besnik, si Basha, lënia e pushtetit me miklimin e një lavdie të nesërme, ndihur edhe nga harresa jonë tradicionale, krijojnë iluzionin se mund të shuhen e minimizohen dyshimet, frikërat dhe akuzat e rënda që bëhen sot ndaj Berishës.

Ka shumë gjasa që kësi opsionesh për një “ulje të butë” e pa kosto të njeriut më konfliktual jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, (merak ky i pashuar i ndërkombëtarëve, sidomos pas trazirave në Lindjen e Mesme) të jenë, më shumë se të qarqeve të këtushme politike, brenda apo jashtë partive, në sirtarët e padukshëm të miqve tanë ndërkombëtarë. Besohet se ky arsyetim më shumë pragmatik se diplomatik, më pak demokratik se politik, mund të justifikojë deri diku edhe qëndrimet “e çuditshme” të ambasadorit Arvizu dhe jo vetëm. Kërkesa e ndërkombëtarëve për stabilitet në Ballkan po i ha kokën qetësisht etjes tonë për standarde.

Vetëm se për fatin tonë të keq, përherë harrohet që skema të tilla “laboratorike” në Ballkan e sidomos në Shqipëri nuk kanë funksionuar që nga koha e Princ Vidit e tëhu. Sepse krerët shqiptarë trashëgojnë, pavarësisht nga portretet, nga prejardhja, nga sistemet, nga emri, nga kultura apo nga ngjyrimi politik, të njëjtën dukuri: janë të paparashikueshëm; aq të paparashikueshëm, sa shpesh as vetë nuk e dinë dhe as nuk e kuptojnë se ku dhe si do të përfundojë rruga e më pas edhe karriera e tyre…

Ata bëhen “heronj” të autoritarizmit të shfrenuar me vartësit dhe me popullin, ndërsa lepepeqër të pështirë me ndërkombëtarët, gjë që i katandis, në fund të karrierës, kur dalin nga skena, në emra të parespektuar, në mos edhe të urryer. Gjithsesi vepra e tyre e përbashkët mbetet zullumi kombëtar. Prandaj e sigurt është se monumentet, bashkë me kujtimin dhe bëmat e tyre, do të jenë, sipas traditës, ose të shembura, ose të përdhosura!

Ndërsa ardhmëria e popullit ka për të mbetur ndërkaq në zgrip e në ngërç, pavarësisht nga kërcënimet e herëpashershme të Fyleve!

* * *

Në këtë kontekst sloganet: “Të parët janë qytetarët”, “Të parët jeni ju”, janë fund e krye mashtrim, demagogji. Këto slogane tekefundit janë po aq domethënëse e shprehëse sa ç’ishte slogani i kahershëm i Hoxhës, kur shkonte katundeve e zgëqeve të Shqipërisë që të ulej gju më gju me popullin e të thosh: “Jeni ju, pa jemi ne!”…

Ja përse edhe kjo fushatë, e pasqyruar dhe e amplifikuar aq mendjelehtësisht nga mediat elektronike, – të blera a të shitblera, të vobekta apo partiake, partizane apo mercenare, – kanë provuar se të parët kanë qënë dhe janë po ata, dmth krerët tanë, ndërsa ne qytetarët, ne zgjedhësit e përkorë e besimdhënës që ndjekim pas qerren e politikës pa e parë ku po na çon rruga qorre, kemi për të mbetur jo të fundit, por më të nëpërkëmburit e më të keqpërdorurit! Në Shqipëri ekranet ndjekin pas me një përkushtim prej parvenyje udhëheqësin, çdo fjalë e sjellje të tij; ndërsa qytetarin e trajtojnë si numër rendor, me përjashtim të lajmeve për vrasje, vetëvrasje, aksidente, vjedhje apo gjakmarrje.

Sepse tek ne mund të ndërrohen edhe kuajt, edhe qerrja, edhe karrocieri -“kalorës”, ndërsa rruga qorre do të mbetet, çuditërisht, po ajo…E pra, këtë “avaz” të vjetër mund ta kuptojnë katundarët e Tiranës, po ja që nuk po e kuptojnë dot diplomatët e Tiranës, të cilët venevijnë që të na bindin se ne edhe “tunelin” mund ta humbim… Sigurisht, nuk është faji i tyre. Nuk është as faji i zotit Fyle që erdhi sërish në Tiranë për të na bërë kërcënimin e radhës: O shqiptarë, do ta kuptoni apo jo që po e humbisni jo vetëm tunelin, por edhe trenin e integrimit?!

Po pse zoti Fyle na e thotë neve, qytetarëve të thjeshtë këtë, e nuk ia fut këmbët në një këpucë “kalorësit”? Përse nuk e thotë troç që fajin e ka “kalorësi” që nuk pranon të merret vesh as me kalin, as me qerren, as me rrugën, pale me ne qytetarët?!

(GSH/BalkanWeb)