Nga Mero Baze
Në një intervistë të republikanit Sabri Godo, shpërndarë nga stafi elektoral i Lulëzim Bashës, bëhet një përpjekje e panevojshme për të justifikuar gjestin e lënies së nënshtetësisë shqiptare të zonjushës Aurela Isufi, tani grua e kandidatit të Berishës për Bashkinë e Tiranës. Them e panevojshme pasi lënia e shtetësisë është një akt personal dhe për të një qytetar nuk ka pse i jep llogari askujt. Në këtë kontekst zonjusha Isufi, e cila ka hequr dorë me vullnetin e saj nga shtetësia shqiptare, ka pasur arsyet e saj, për të cilat është e lirë të mos na japë asnjë shpjegim.
Në rastin konkret çështja po ngjall debat për arsyen se burri i saj, një vit pasi ajo ka hequr dorë nga shtetësia, ka nisur një karrierë të befasishme politike, sponsorizuar nga familja Berisha dhe është rikthyer në atdhe për të qenë për 6 vite ministër dhe tashmë kandidat për kreun e Bashkisë së Tiranës. Lënia e shtetësisë nga zonja Isufi është një lajm i vjetër që i është përmendur zotit Basha dhe dy vjet më parë, dhe një vit më parë.
Tani çështja bëhet më e ndjeshme pasi ai po kërkon të bëhet qytetar i parë i Tiranës me një handikap të madh në gjendjen civile familjare, pasi gruaja dhe vajza e tij kanë shtetësi holandeze, duke lënë atë shqiptare. Askush të mos pretendojë se kjo gjë mund të mos i përmendet zotit Basha, por është dyfish fyerje për qytetarët e Tiranës që në vend të familjes Basha të përgjigjet zoti Godo dhe për më tepër të thotë disa gënjeshtra që nuk e nderojnë.
Gënjeshtra e parë që nuk nderon zotin Godo është koha kur ai pretendon se ka njohur zonjën Isufi. Po e citoj të plotë: “Unë këtë Aurelën, të shoqen e Lulëzim Bashës, e kam njohur personalisht që 15 vite më parë, që në kohën kur ishte ende çupë e re, që u fejua. Unë e pyeta ku e ke burrin dhe më tha se punon në Kosovë. Që në atë kohë e kam njohur si një vajzë shumë të shkathët, shumë të dashur, inteligjente, që punonte me holandezët…”.
Më vjen keq të mendoj ndonjë arsye shëndetësore në këtë lajthitje të zotit Godo, por nëse bëjmë 15 vite më pas, i bie që zoti Godo ta ketë njohur zonjushën Isufi në vitin 1996. Dua t’i kujtoj zotit Godo, meqë ndonjëherë merret dhe me çështjen tonë kombëtare, se në vitin 1996 Kosova ishte nën Serbi, edhe pse kish vetëshpallur pavarësinë. Zoti Basha, sipas CV së tij, atëherë ishte student në Hollandë dhe nuk kish ç’të bënte në Kosovë, vetëm nëse punonte për serbët. Por unë e besoj që zoti Godo e ka takuar zonjushën Isufi në vitin 1996.
Në atë koha zonjusha, e cila është nga stërmbesat e Vehbi Alimuçës, shërbente në kompaninë e njohur piramidale në vend si ndihmëse e nënës së saj, e cila ishte njeriu kyç në administrimin e kompanisë VEFA dhe pareve të saj. Zotin Godo të gjithë e mbajmë mend që e respektonte shumë zotin Alimuça, merrte pjesë në gjithë veprimtaritë e kompanisë në fjalë, dhe mund ta ketë takuar zonjën Isufi. E sigurt është që zonja Isufi nuk i ka thënë që jam e fejuar, dhe aq më tepër nuk i ka thënë që burri im është në Kosovë.
Këtë ja kanë thënë me sa duket tani tek shtabi i zotit Basha, por kjo nuk e nderon një shkrimtar, që shpesh herë tenton të shkruajë dhe tema historike në letërsinë e tij, pasi është pasaktësi e madhe. Shpresoj që zoti Godo të mos e ketë këtë angazhim nga lidhjet e tij të vjetra me VEFA-n, por nga dëshira për të ndihmuar një kandidat të së djathtës në Tiranë, qoftë dhe duke gënjyer për ndonjë gjë.
Gënjeshtra e dytë e zotit Godo është puna e nënshtetësisë. Godo thotë: “Me sa di unë kjo puna e nënshtetësisë është një spekulim në të vërtetë. Në atë kohë, ajo kishte blerë një shtëpi në Holandë, por ai vend ka ligje nuk është si ne, që mund të ndërtosh si të duash dhe të bësh si të duash dhe ta kthesh oxhakun nga të duash. Atje i thanë që të blesh shtëpi këtu, duhet nënshtetësia holandeze dhe ajo e mori nënshtetësinë holandeze. Dhe doli një ligj në vitin 2004 në Holandë, që thoshte se mund të marrësh nënshtetësi holandeze, në rast se lë nënshtetësinë e vendit nga vjen…”.
E theksuam dhe në fillim se vendimi për të lenë shtetësinë shqiptare është vullnet personal dhe kjo sanksionohet qartë dhe në ligjin tonë për lënien e shtetësisë. Atë nuk mund të ta heqë askush, për çfarëdo arsyeje. Gruaja e zotit Basha ka qenë e lirë ta bëjë këtë dhe e ka bërë. Zotin Godo duhet ta kenë keqpërdorur kur i kanë thënë se në Hollandë nuk lejohet të blesh shtëpi po nuk ishe shtetas holandez, pasi mjafton një leje qëndrimi në një vend evropian për të blerë një banesë.
Po ashtu zotin Godo e kanë gënjyer kur i kanë thënë se në vitin 2004 ka dalë një ligj në Hollandë që nuk lejohej dyshtetësia, pasi legjislacioni holandez e lejon dyshtetësinë. Edhe legjislacioni austriak, që është më i rrepti, nuk të lejon dyshtetësinë në momentin që kërkon atë austriake, por një ditë më pas ti mund të rimarrësh një shtetësi tjetër.
Zonja Isufi-Basha, ka bërë zgjedhjen e saj dhe duhet të ketë arsyet e saj. Do të më vinte shumë keq nëse nuk i është treguar e sinqertë zotit Godo kur është përpjekur ta përdorë për këtë intervistë. Ajo e ka dorëzuar shtetësinë shqiptare pikërisht në vitin 2004, dhe ka pasë kohë, sidomos në vitin 2005 kur burrin e saj e sollën me parashutë në Tiranë për të bërë karrierë politike sponsorizuar nga familja Berisha, që ta rimerrte shtetësinë.
Unë kam dyshimet e mia dhe jo pak informacione se zonja Isufi Basha ka pasë arsye që nuk lidhen me zotin Basha për të mbajtur shtetësinë holandeze, sidomos qyshkurse shteti shqiptar pa dashje nisi të hetonte për pronat dhe investimet e VEFA në Hollandë, hetime që u ndërprenë menjëherë pas vitit 2005. Por ky është problem i saj. Unë këmbëngul që ne nuk kemi pse i kërkojmë asaj me zor të ribëhet shqiptare. Por dhe zoti Godo nuk ka arsye të mjaftueshme publike të keqpërdoret në këtë moshë nga çifti Basha-Isufi, vetëm në mos pastë ndonjë hall personal të vjetër, meqë i ka mbetur në mendje viti 1996.
Më bëri përshtypje po ashtu që zoti Godo bënte sikur e dinte nga Vlora këtë vajzë. Në të vërtetë ajo dhe zoti Godo janë nga e njëjta zonë, nga Progonati i Tepelenës, natyrisht me origjinë. Por në kujtesën e tij më shumë ka ngelur fakti që ajo është një nga stërmbesat e Vehbi Alimuçës nga Vlora, se sa vajzë e një njeriu modest nga Kurveleshi, i transferuar më vonë në Tiranë. Dy fëmijët e kësaj familje janë larguar në Hollandë pas vitit 1997, janë shkolluar në universitete të shtrenjta, kanë blerë dhe shtëpi siç thotë zoti Godo, ndërkohë që prindërit e tyre këtu nuk i kanë pasur ato mundësi.
Mua më kujtohet babai i zonjës Isufi, një burrë modest dhe fjalëpak, që Gramoz Ruçi donte ta bënte anëtar të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve në vitin 2004, mos gaboj, dhe unë për shkak të idesë fikse se ai duhet të ishte ndonjë ekstremist i majtë i kërkova zotit Berisha që PD të votonte Halil Lalaj meqë dhe ky ishte kandidaturë alternative nga Partia Socialiste. Zoti Berisha e bëri meqë nuk e dinte se këtë do ta kishte vjehrrin e “yllit” të familjes së tij pas një viti. Unë pata një shije të mirë nga portreti i tij pasi mu duk njeri modest dhe që e kërkonte atë vend pune edhe për shkakun se nuk kishte shumë pare.
Është pak e çuditshme të besoj se babai kërkonte një rrogë në Shqipëri, ndërsa e bija dhe djali harxhonin nga 100 mijë dollarë në vit në Hollandë për shkollimin dhe blinin dhe shtëpi. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë në këtë histori zoti Godo, dhe nuk do të përgjigjesha publikisht po të mos të njihja dhe po të mos më vinte keq, që je në pozitë kaq të vështirë sa duhet të përdoresh në këtë moshë.
Unë mendoj se rruga e kandidatit Basha për t’u përballur me këtë fakt nuk je ti. Ai duhet të përballet me këtë fakt së pari duke e pranuar dhe së dyti duke ja lënë në dorë qytetarëve ta gjykojnë. Ne mund ta votojmë Lulëzim Bashën edhe sikur të kishte një grua të lindur në Hollandë, që do të bëhet shqiptare, edhe tani që ka një grua shqiptare që dëshiron të jetë hollandeze, edhe nëse nuk do të kishte grua fare, apo do të divorcohej gjatë fushatës.
Kjo është një histori personale e tij dhe një zgjedhje e tij. E vetmja gjë e dyshimtë në gjithë këtë histori është përpjekja për të shpikur gënjeshtra për gjëra që nuk ka nevojë. Mos i fyeni qytetarët, duke u ofruar një gënjeshtër për ta votuar. Ata mund të votojnë një njeri të vërtetë qoftë dhe me të meta, por kurrë një gënjeshtër të përsosur nga gënjeshtarë. Qofshin këta dhe “ekspertë” historish.
Nje gje nuk kuptova: Halil Lalaj ç’hyne ne kete mes?
Eshte babai i Aurela Isufit?
“Mua më kujtohet babai i zonjës Isufi, një burrë modest dhe fjalëpak, që Gramoz Ruçi donte ta bënte anëtar të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve në vitin 2004, mos gaboj, dhe unë për shkak të idesë fikse se ai duhet të ishte ndonjë ekstremist i majtë i kërkova zotit Berisha që PD të votonte Halil Lalaj meqë dhe ky ishte kandidaturë alternative nga Partia Socialiste. Zoti Berisha e bëri meqë nuk e dinte se këtë do ta kishte vjehrrin e “yllit” të familjes së tij pas një viti. Unë pata një shije të mirë nga portreti i tij pasi mu duk njeri modest dhe që e kërkonte atë vend pune edhe për shkakun se nuk kishte shumë pare.”
Fjalet e mesiperme jane te tuajat. (Mero Bazes)
Njehere thua ekstremist i majte, pastaj thua m’u duk njeri modest.
Nuk kuptoj cila nga te dyja qendron?
E kuptuam qe vota jote e deklaruar eshte kunder Lulzim Bashes, me sa kuptoje nuk je edhe per Edi Ramen, te pakten na propozo nje intelektual te nderuar nga Tirana; apo Tirana eshte shuar krejt dhe s’ka ngelur me asnje njeri tjeter perveç ketyre te dyve.
Dhe ne fund qershine mbi embelesiren:
“Nuk duhen gjykuar njerezit nga miqesite e tyre, edhe Giuda frekuentonte persona te pakritikueshem.” Ernest Hemingway
—
Sqarim: Halil Lacaj nuk është babai i Aurelës, por ai u mbështet nga Berisha, përkundër babait të Aurelës, vjehrrit të Lul Bashës… – pas dyshimit se babai i Aurelës është i majtë ekstrem… Mero kishte dyshuar se babai i Aurelës, meqë propozohej nga Gramoz Ruci, është i majtë ekstrem, por më pas e kishte parë se ishte njeri modest…
Stafit te “Fjala e lire”
Jeni duke bere nje pune te mrekullueshme, ne sherbim te nje populli. Populli yne, qe edhe pse, mbase, nuk e di kete qe beni, nje dite e verteta do te dali ne shesh.
Agim Shkodra
————–
Faleminderit Agim. Ne mundohemi të bëjmë më të mirën, shpresojmë që pjesa më e mirë e shqiptarëve të na e kuptojnë drejtë këtë përpjekje modeste tonën.
Arbeni
Comments are closed.