Preç Zogaj, 31.03.2011
Tryeza midis partive parlamentare qeveritare dhe partive parlamentare opozitare ekspozoi pozicionet e largëta mes palëve, por nuk hapi ndonjë spirale shprese se mund të arrihet një marrëveshje e mirë për zgjedhjet e 8 majit. Tryeza u la hapur, domethënë nuk u përmbys, nën trysninë e vizitës së komisionerit europian për zgjerimin, Stefan Fyle dhe të OSBE-së.
Qeveria ka marrë një mesazh shumë të qartë se është ajo që ka pergjegjësinë e organizmit të zgjedhjeve konform standarteve europiane. Në këto kushte, duke menduar ta hedhë lumin me politikën e fjalëve të mira dhe gurëve në trastë, siç ka bërë edhe më parë me përfaqësuesit e Europës dhe SHBA-së, qeveria po bën sikur po mendohet. Në vartësi të presionit të KE-së dhe OSBE-së, qeveria mund edhe të pranojë ndonjë propozim të opozitës, por me sa u pa dhe u tha dje dështimi i tryezës thjesht është shtyrë.
Arsyeja e dështimit eventual të kësaj tryeze është po po ajo që ka çuar në dështimin e tryezave të mëparshme në zyrën e Presidentit të Republikës, në restorantin “Krokodili” në Strasburg në Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria kërkon dialog për dialog. Opozita kërkon garanci minimale për zgjedhje të lira e të ndershme. Qeveria dëshëron të luajë teatër për ndërkombëtarët. Opozita kërkon të bindë zgjedhesit se vota nuk preket dhe nëse preket, hajduti do të kapet e do të ndëshkohet. Qeveria don të kalojë radhën. Opozita don të përdorë shansin. Qeveria kërkron të lajë duart me një “e bëmë tonën”. Opozita kërkon zgjidhje për “tonën dhe tuajën”.
E githë kjo diadë duket qartë në dokumentet që kanë paraqitur njëra dhe tjetra palë në tryezën e fundit. Po tu hedhim një sy gjashtëmbëdhjetë “pikave” të PD-së do të konstatojmë menjëherë se ato janë që të gjitha deklarative. Ato mund të nënshkruhen pa asnjë hezitim, si një deklaratë e përbashkët, që synon të japë një mesazh shtensionimi të fushtatës dhe zgjedhjeve. Nga kjo pikpamje deklarata ka një vlerë dhe nuk duhet të sakrifikohet.
Por deklarata nuk është Marrëveshje. Kush e ka menduar kështu gënjen veten. Ose pandeh se po gënjen të tjerët. Marrëveshja është një dokument ku e ku më i avancuar se sa deklarata. Dhe ajo që është thelbësore: zgjedhjet shqiptare nuk vuajnë për deklarata. Vuajnë për garanci. Madje për garanci të forta shumë, pasi zakoni këtu është të mohohen dhe të shkelen me të dyja këmbët deri edhe garancitë ligjore, siç ka ndodhur përshembull me nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin.
Kur u vunë në Kod, këto nene kurorëzuan muajin e mjaltit midis qeverisë dhe opozitës. Kur u votuan, të gjithë deputetët e interesuar menduan se po e zgjidhnin thjesht dhe përfundimisht çeshtjen e hapjes së kutive: mjaftonte kërkesa verbale e dy anetarëve të KQZ-së. Por sapo opozitës i lindi nevoja t’i përdorte këto garanci pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2009 u kuptua se qeveria i kishte dhënë asaj një gjë që do t’ja merrte arbitrarisht kur do t’i duhej.
Shumica qeveritare në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor më pas u ngritën mbi Ligjin e parlamentit; me një lojë të sforcuar dhe të ulët fjalësh refuzuan hapjen e kutive që kishin kërkuar dy komisionerë të lartë të opozitës. Është ironike ta thuash, por kriza shqiptare njëzet mujore , që e la vendin pa marrë statusin e vendit kandidat në BE dhe që në përshkallëzimin e saj çoi deri në vrasjen e katër demonstruesve opozitarë me 21 janar nga Garda e Republikës, pra kjo krizë kaq e kushtueshme e ka origjinën te i ashtuquajturi intepretim që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor i kanë bërë togfjalëshit ” vota të caktuara”, duke i veshur arbitrarisht kuptimin “vota të kontestuara”, sepse ashtu nuk hapeshin kutitë.
“Në kuptimin e këtij ligji”, kanë arsyetuar juristët që futën në sherr Shqipërinë, “vota të caktuara” ka kuptimin ” vota të kontestuara”! Domethënë, fjala “dash” ka kuptimin “dele”. Po pse të përdorte ligjvënësi në këto kushte fjalën ” dash” kur e dinte fjalën ” dele”? Diskutim i kotë, që na fut në labirinthet e një absurdi. U është dashur të mos i hapin kutitë dhe pikë. Të tjerat janë vetem budallalleqe juridike.
Ja pra, kur qeveria dhe instrumentat e saj ua bëjnë naftën pa një pa dy garancive ligjore, merret me mend se çfarë do t’u bënin deklaratave. Deklaratat janë shkumë deti. Propozimet e opozitës kërkojnë garanci. Në radhë të parë, meqenese nuk ka shumë ditë, garancinë e rinumërimit, të hapjes së kutive. Do të mjaftonte një rresht në pjesën e shpjegimit të termave.
Ashtu siç thuhet për ” votat e kontestuara”, që janë ato ku nuk kuptohet qartë se per cilin kandidat apo subjekt ka votuar zgjedhësi, të sqarohet se ” vota të caktuara” janë ato që kërkojnë dy anëtarët e KQZ-së. Kaq. Është më e pakta që kërkohet e mund të bëhet. Është reflektimi më minimal i qeverisë ndaj lëvizjes opozitare për trasparencë. Është një paralajmërim dhe një akt që do t’i dekurajonte shumë manipulatorët që ecin me mendimin se ç’janë pislleqe mbyllen në kuti dhe nuk hapen më.
Garancitë e tjera që ka kërkuar opozita nuk prekin Kodin, por kërkojnë të kthejnë në shtratin e ligjshmërisë vendimarrjen në KQZ. Edhe në këtë pikë opozita është minimaliste, pasi pritshmëria e popullit opozitar ka qenë dhe është për garanci shumë më të forta, ku përfshihet rindërtimi i KQZ-së , largimi i kryetarit , Arben Ristani.
Refuzimi i deritanishëm i garancive minimale të kërkuara nga opozita është një shenjë e keqe për zgjedhet e 8 majit.
Është dekonspirim i dëshirës së kësaj shumice për të vënë sërish dorë mbi votën e qytetarëve. Nëse do të gjejë shteg. Nëse do të lejojë opozita, ndërkombetarët dhe qytetarët e Shqipërisë. Zgjedhjet e lira janë pronë e popullit. Askush nuk ka të drejtë t’i prekë. Qeveria e radhës ka detyrën t’i organizojë. Sipas standarteve. Jo sipas deklaratave. Pikat deklarative mund t’i bëjmë tridhjetë e dy, gjashtëdhjetë e katër.
Por ato nuk vlejnë sa një garanci. Njëqind deklarata gënjejnë. Një garanci nuk gënjen. Duhet një marrëveshje ku të shartohen pikat e qeverisë me garancitë e opozitës. Është mundësia e fundit për të shpëtuar zgjedhjet e 8 majit.